Një zemër që rrahu vetëm për mëmëdhenë
Nga Nikolla Sudar
Atdhetari i flaktë, Petro Nini Luarasi në çastet e fundit do të thoshte: “Vramëni, por gjakun mblidhmani, se do t’u duhet nipërve të shkruajnë gjuhën shqipe”. Shembullin e këtij martiri do ta ndiqnin me qindra të tjerë e midis tyre edhe luftëtari i paepur i penës dhe i pushkës, nga Shijaku, “Mësuesi i Popullit”, Qazim Domi. Lindi ai në vitin 1888, në Shijak, në një mjedis me tradita të shquara atdhetare dhe fetare. Familja e dërgon për të ndjekur gjimnazin e Shkodrës. Gjatë viteve të shkollës ai arrin të mësojë fshehurazi alfabetin shqip, të cilin e përhap midis bashkënxënësve, gjë për të cilën paralajmërohet për t’u përjashtuar nga gjimnazi. Në Shkodër ai njihet nga afër me atdhetarin Luigj Gurakuqi, miqësinë me të cilin do ta ruante si gjënë më të shtrenjtë gjatë gjithë jetës së tij. Tashmë i formuar dhe me pikësynime të qarta kthehet në Shijak, ku fshehurazi organizon grupe të rinjsh për të mësuar alfabetin shqip. Për vite me rradhë në këtë mision të madh atdhetar do ta mbështesnin kushëriri i tij Riza Domi (klerik i nderuar në gjithë zonën e Shijakut) dhe miqtë e tij Avni Fortuzi, Sulë Zalla, Tahsim Këlliçi etj. Qazim Domi do të angazhohet fuqimisht në çështjen e madhe të Pavarësisë. Ai rreshtohet me armë në dorë në batalionin e Shqipërisë së Mesme, kurse të vëllanë, Halilin, e dërgon në mbrojtje të Shkodrës, ku edhe bie heroikisht, në shkurt të vitit 1913. Edhe atje, në batalionin e Shqipërisë së Mesme, ai do do të lumturojë shumë luftëtarë, duke u mësuar shkrim e këndim. Mbas Shpalljes së Pavarësisë, Qazimi lufton me të gjitha forcat për vënë në jetë vendimet e qeverisë së Ismail Qemalit, duke qenë gjithnjë kundër lakmive dhe përpjekjeve atishqiptare të Esat Pash Toptanit, i cili kishte edhe një çiflig të madh pranë Shijakut. Në mes të një injorance të thellë dhe të një fanatizmi anadollak, mësuesi atdhetar Qazim Domi bën të gjitha përpjekjet për të hapur shkollën e parë shqipe në fshatin Prezë, në vitin 1914. Atë e kërcënojnë për ta vrarë, sabotojnë regjistrimin e fëmijëve, por pa dobi. Atëherë elementët turkoshakë, besnikë të regjimit të vjetër, i vendosin para dhomës-klasë një arkivol dhe mbi të një fishek (nënteksti ishte shumë i qartë). Por Qazim Domin asgjë nuk do ta shmangte nga rruga e atdhedashurisë, që kalonte përmes dijes. Ai grumbullon fëmijët para hyrjes dhe u drejtohet me fjalët: “Bijtë e mi! Ju sot po hyni në rrugën e madhe të ditunisë, por asnjëherë mos ta harroni këtë që po shihni sot. Armiqtë do të përpiqen gjithmonë me na lanë në errësinë, por s’ka pengesë që të na kthejë nga rruga jonë e drejtë”.
Vitet kalojnë, por mësuesi patriot diti të orientohet gjithmonë drejt, duke mbajtur në qendër të vëmendjes interesat e larta te atdheut, të mishëruara në vendimet e Kongresit historik të Lushnjës. Ne qershor të vitit 1920 Qazim Domin e gjejmë me pushkë krahut në radhët e batalionit vullnetar të Shijakut, të komanduar nga atdhetari i nderuar shijakas Kapllan Deliallisi. Vullnetarët në fillim u vendosën në frontin e Llakatundit, por më vonë do të përlesheshin edhe në fronte të tjerë me pushtuesit italianë. Gjithnjë në qendër të batalionit gjendej mësuesi atdhetar, i cili u jepte zemër luftëtarëve edhe në momentet më të vështira. Pas kthimit nga Vlora Qazimi bashkëpunon me trimin legjendar Bajram Curri për eliminimin e mbeturinave esadiste në të gjithë ish nënprefekturën e Shijakut. Ai njihet dhe mban miqësi të ngushtë me patriotin Avni Rustemi dhe drejton për vite me rradhë organizatën “Bashkimi” të Shijakut, në të cilën sekretar ishte mësuesi tjetër patriot, Tasim Këlliçi. Figurën e A. Rustemi e nderoi dhe populli I Shijakut. Në njoftimin që shkrimtari Haki Stëmilli i jepte gazetës “Dajti”, më 10 maj të vitit 1924, thuhet:
“… Trupi i Heroit të Kombit, Avni Rustemi, u përcuall nga Tirana për në Durrës e prej andej në Vlonë… në Shijak u prit me një kurorë të bukur. Edhe në Durrës si edhe në Shijak, gjithë populli, gra e burra, kishin dalë me kunora me lule dhe shfaqën hidhërimin për këtë humbje të madhe”. Në mesin e atyre që e shoqëruan trupin e heroit për në Vlorë ishte edhe miku i tij, patrioti shijakas Qazim Domi. Në shkresën e datës 29.5.1924, që Ministria e Brendshme njoftonte Ministrinë e Arsimit, thuhet: “… lutemi të urdhnoni emnimin e një mësuesi në Shijak, në vendin e Qazim Domit, që u largue nga detyra, tue shkue në Vlonë…”. Më pas ai emërohet kryetar bashkie i Shijakut, ku brenda mundësive përpiqet për ta ndryshuar gjendjen në arsim, shëndetësi e në shërbimet publike. Në emër të popullit të nënprefekturës ai thërret për vizitë kryeministrin Fan Noli dhe demokratin Bajram Curri, ngjarje e cila pati jehonë të veçantë. Ndër njerëzit më të besuar, të cilit ia ngarkoi ruajtjen e jetës së këtyre personaliteteve të rëndësishëm të kohës, ishte edhe trimi i rrallë, kreshniku i paharruar, Kadri Nërjaku.
“Isha shumë i ri atëherë, – tregon mësuesi veteran Mehmet Domi, – por atë ditë nuk do ta harroj asnjëherë. Një delegacion me në krye patriotin Qazim Domi në emër të popullit të Shijakut fton për vizitë Fan Nolin dhe Bajram Currin. Dhe ja atë ditë vere rreth orës pesë mbasdite, mbërrijnë burrat e nderuar. Qyteti ishte zbukuruar si për festë. Qindra banorë nga qyteti dhe fshatrat mbushnin rrugët e qytetit. Kudo dëgjoheshin thirrjet: “Rroftë Fan Noli!”, “Rroftë Arusha e Maleve! (për Bajram Currin). Kryeministri përshëndet turmën për këtë pritje të nxehtë dhe e mbyll vizitën me fjalët: “Populli i Shijakut ka qenë dhe do të mbetet përkrahës i vendosur i forcave përparimtare të kohës”. Mbas disa orësh qendrimi në qytet miqtë e lartë u larguan”.
Në situatën e krijuar më vonë Qazimi detyrohet të largohet jashtë vendit bashkë me patriotin Luigj Gurakuqi. (Ai u ndodh në momentet e fundit me të, në një kafene të Barit (Itali), kur iu bë atentati). Pas më se dy vitesh arratisjeje në Itali, Qazimi kthehet në atdhe, por për mjaft kohë lihet pa punë. Pjesën më të madhe të karierës së tij pedagogjike ai e ka kaluar nëpër fshatra të ndryshëm e më pak në qytet. Pushtimin fashist Qazimi e priti me urrejtje të thellë. Në vitin 1940 Mustafa Kruja i ofron postin e prefektit në Durrës ose në Berat, por patrioti nuk pranon të bashkëpunojë me fashistët. Shtëpia e tij kthehet në një nga bazat kryesore të luftës për liri për të gjithë zonën. Ai aktivizon në rezistencën antifashiste të gjithë të afërmit e vet, vëllezërit: hoxhë Hamdiun, Sulën; nipat si Mehmetin, Muharremin dhe Samiun (veteran i Brig. 4-S). Dy djemtë e Qazimit, Dilaveri dhe Aliu, marrin pjesë në luftë me armë në dorë, kurse Sadiku, me lëvizjen ilegale në qytet. Në nëntor të vitit 1942 Q. Domi zgjidhet anëtar i Këshillit NÇl për qarkun e Durrësit dhe ngarkohet për organizmin e këshillave në qytet dhe në gjithë zonën e Shijakut.
Disa herë me radhë pushtuesit e bastisën shtëpinë e Qazim Domit, por nuk e zunë asnjëherë në befasi. Në agimin e datës 20 nëntor të vitit 1943, sipas planit të fshehtë të Komandës pushtuese naziste të koduar me emrin “Hafenfahrt” (“Shetitje në bregdet”), Durrësi, Shijaku dhe Kavaja u gdhinë të rrethuar. Nazistët i bastisën këto qytete me synimin që antifashistët e arrestuar t’i nisnin për në kampet e vdekjes. Lidhur me këtë ngjarje veterani Hamit Berberi tregon:
“Në Shijak të gjithë burrat u grumbulluan me forcë në ish gazermën italiane (ish fabrika e niseshtesë), ku midis tyre isha edhe unë. Këtu na viziton agjenti i njohur Osman Velja, i cili harton listën e “elementëve të rrezikshëm”. Në atë kohë nazistët angazhonin si përkthyes njeriun, që shijakasit i kishin vënë nofkën “Arif vagabondi”, që në realitet ishte njeri i mirë dhe trim. Ai futet midis njerëzve dhe me zë të ulët përsëriste vazhdimisht: “Kush e ka mizën nën kësulë të largohet sa ma parë!”. Në këto kushte, duke u lidhur edhe me shokët jashtë, u arrit që të nxirren jashtë rrezikut drejtuesit ilegalë që ndodheshin në mes turmës. (Nga një grup i madh të arrestuarish u sajua një zhurmë e fortë, e ngjashme me atë të bombarduesve anglezë. Të alarmuar nazistët u futën nëpër vendstrehime. Ndërkohë drejtuesit ilegalë u nxorrën jashtë telave me gjemba). Në kontrollin e dytë “elementët e errezikshëm” nuk figuronin më. Të zemëruar në kulm nazistët na vunë të gjithëve para disa grykave zjarrit dhe, duke na kërcënuar, na mbajtën deri në mbrëmje. Para se të errësohej vjen një kamion dhe, duke na goditur me kondakët e pushkëve, ushtarët gjermanë hipin me forcë mjaft patriotë e të rinj antifashistë, midis tyre Qazim Domin, Filip Toçin, Mihal Dedën, Qamil Gashin, Zylyf Deliallisin, mua etj, mbi 30 veta dhe na dërgojnë në burgun e Tiranës. Me të mbërritur atje, na përplasën të gjithëve në një qeli të errët dhe plot lagështi. Qysh të nesërmen filloi hetimi nga ana e oficerëve të gestapos. Marrja në pyetje shoqërohej me tortura nga më çnjerëzoret. Gjithmonë ato bëheshin në prani të agjentit nazist Osman Velja, i cili donte të dinte se ku u zhdukën ilegalët e kapur gjatë shtetrrethimit. Më i moshuari nga ne ishte patrioti i njohur Qazim Domi, të cilin, ndonëse edhe i sëmurë, torturat nuk e mposhtën dot.
Pas disa ditësh vjen për të na vizituar Bahri Deliallisi, që në mirëbesim na thotë se Kapllani dhe Mustafai po banin interesim të vazhdueshëm që të liroheshim si nacionalistë, përndryshe na priste kampi i përqendrimit”. Mbas dy muajsh torturash në burg, të arrestuarit u kthyen në Shijak. Në tetor të vitit 1944, Kuvendi i delegatëve nga e gjithë krahina, i mbledhur në fshatin Shetel, zgjodhi patriotin antifashist, Qazim Domin, kryetar të pushtetit të ri “popullor” për nënprefekturën e Shijakut. Çlirimi i vendit e ripërtëriu këtë burrë të paepur, por tashmë të moshuar dhe të lodhur. Në krye të pushtetit për zonën ai bën gjithçka për ta nxjerrë popullin nga vështirësitë e mëdha të kohës. Tre ishin prioritetet e tij të momentit: furnizimi me ushqime e veshmbathje, rindërtimi i shtëpive të shkatërruara nëpër fshatra dhe lufta kundër analfabetizmit, e shoqëruar me hapjen të sa më shumë shkollave nëpër fshatra. Në këtë kohë Qazim Domi lidhet në krushqi me atdhetarin e nderuar antifashist nga Durrësi, Shyqyri Hidri. Dilaveri djali i madh i z. Qazim, antifashisti i orëve të para, agronom i shquar, që aq shumë do të jepte për zhvillimin e bujqësisë në zonën e Shijakut, zgjedh për shoqe jete, të motrën e Shyqyriut, të paharruarën Servete Domi. (Nga kjo martesë lindën shumë fëmijë: Genci, Ylvija, Teuta, Liljana, Luli dhe Arti, të cilët sot janë shumë krenarë për të parët e tyre). Por entuziazmi i këtij humanisti të rrallë me kalimin e ditëve fillon e bie. Në këtë kohë dikush përpiqet që ta “aktivizojë në Parti” (atëherë ajo ishte ilegale dhe përfaqësohej nga Fronti Demokratik), por përgjigja e tij qe e prerë: “… tashmë jam i moshuar, le t’ua lemë të rinjve rradhën”. Ky do të ishte “minusi i parë i madh për të”. Por burri i shquar e me zemër të madhe tronditet thellë nga masat çnjerëzore që po ndërmerrte pushteti i ri popullor”. Arrestimet e pushkatimet që bëheshin me motivacionet “armiq të pushtetit popullor”, apo “strehues kriminelash” etj., sekuestrimet masive e internimet e zhgënjejnë plotësisht atë. Këto mendime, ai bashkë me veprimtarët e tjerë, anëtarët e komitetit Abdyl Keçin e Metali Aliten, që kishin dhënë shumë gjatë luftës, i shfaqin hapur, deri edhe në qendër.
Për këtë arsye, në vitin 1946, Qazimi, Metaliu dhe Abdyli shkarkohen nga detyra, si elementë të padëshirueshëm për “pushtetin e ri popullor”. Qazimi lihet për disa vite pa punë, e, megjithëse i sëmurë, nuk i jepet asnjë mbështetje materiale. Ndërkohë hiqet nga detyra në organet e Punëve të Brendshme të Elbasanit i biri, Dilaveri, ndërsa tjetri, Aliu (ish partizan i Brigadës IV), nuk u lejua të vazhdonte studimet për oficer. Po ashtu e tërë familja vihet nën vëzhgim të vazhdueshëm. Këto do të ishin vite të një torture të vërtetë morale, fizike dhe ekonomike. Me shumë vështirësi ai pranohet përsëri në arsim, derisa më 1949, për arsye shëndetësore largohet nga detyra. Që nga kjo kohë e derisa vdiq, më 1951, diktatura e la në harresë, duke ia mohuar pensionin vetë atij e më vonë edhe së shoqes, nënë Hajrijes.
Cili ishte Qazim Domi? Nëse do të shpreheshim me dy fjalë, ai ishte thjeshtësia vetë: i qeshur, zemërgjërë, i gatshëm për të ndihmuar cilindo në nevojë, bujar e mikpritës. Nuk kishte natë që në shtëpinë e tij të mos kishte disa miq, apo bujtës të panjohur nga vise të ndryshme të vendit. Qazimi ishte shumë kërkues ndaj vetes dhe i jepte shumë rëndësi shfrytëzimit të literaturës. Në këtë drejtim atë e ndihmonte aftësia e rrallë në studimin dhe njohjen e gjuhëve të huaja. Edhe sot do t’ia kishte zili cilido studjues, po të mësonte se ky intelektual i vërtetë zotëronte shumë mirë turqishten, arabishten, serbo-kroatishten, italishten, frëngjishten dhe gjermanishten. Në morinë e problemeve që e mundonin tërë kohën, ai gjente pak kohë edhe për më të vegjëlit. Më kujtohet sesi na mblidhte e, pasi na tregonte ndonjë ngjarje apo përrallë (që na linte gojëhapur), na mësonte edhe këngë të ndryshme patriotike. Veçanërisht i pëlqente kënga e bukur “Doli nana në çardak”, e periudhës së luftës. Me atë zërin e tij melodioz ai na i mësonte me shumë dashuri këto këngë. Ndër miqtë e tij të ngushtë mund të përmendim edhe armëtarin e talentuar Sefer Baleta. Ky burrë i urtë dhe gazmor kishte kryer 8 vjet me rradhë shërbim ushtarak në Jemen, gjatë periudhës së perandorisë. Tregimet e tij dhe për atë kohë dhe për ato vende, na entuziazmonin edhe ne, fëmijët.
“Në asnjë mënyrë nuk do të mundesha të realizoja qëllimet e mia atdhetare pa mbështetjen e fuqishme e me dekada të bashkëshortes sime, Hajrije Domi, (motër e atdhetarit të shquar shijakas, Abdulla Malltezi)” – do të shprehej më vonë, me respektin më të thellë për të shoqen. ky patriot i madh. Nënë Hajrija, kjo grua vetmohuese, do të akzivizohej fuqishëm edhe në organizatën e grave antifashiste për Shijakun. Në momentet më të vështira para dhe mbas çlirimit, ajo u bë bashkudhëtarja më besnike e këtij njeriu të rrallë.
Regjimi diktatorial sa ishte gjallë e mohoi dhe e la pa asnjë mbështetje morale e materiale mësuesin atdhetar, tashmë të sëmurë, që u nda nga jeta në vitin 1951. Por populli i Shijakut i ndenji pranë birit të vet të shquar, patriotit më të madh të tij, Qazim Domit. Këtë do ta vërtetonte organizimi i varrimit madhështor të këtij personaliteti të paharruar. Të vendosur në një arkivol të denjë, me fytyrë të zbuluar, duke sfiduar hapur autoritetet e nënprefekturës, patriotin e paharruar e shetitën, duke e mbajtur në krah nëpër të gjitha rrugët e Shijakut. Me mijëra vetë nga qyteti, nga të gjitha fshatrat, miq nga Tirana e Durrësi, Shkodra e Vlora kishin ardhur për t’i dënë lamtumirën e fundit këtij demokrati fisnik. Një varrim i tillë madhështor nuk do të përsëritej më në Shijak.
Me gjithë vështirësitë e krijuara, pas shumë dekadash Qazim Domi zuri vend në muzeun historik të Shijakut dhe me përpjekjet dashamirëse të banorëve të qytetit, pallatit të kulturës iu dha emri i këtij patrioti dhe intelektuali fisnik.
Por do të vinte koha e ëndërruar e demokracisë dhe vepra e Qazim Domit do të lartësohej me tërë dimensionin e vet. Me rastin 80-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, këtij biri të vërtetë të vegjëlisë së Shijakut e të Shqipërisë së Mesme, iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”.
Rrugën, sa të vështirë aq edhe humane, të demokracisë së vërtetë do ta ndiqnin trashëgimtarët e atdhetarit Qazim Domi e në mënyrë të veçantë nipat e tij, Dardani dhe Gazi, të cilët u rreshtuan të parët në përmbysjen e diktaturës, kurse sot militojnë për forcimin e themeleve të demokracisë së ëndërruar nga gjyshi i tyre i shtrenjtë.
*Historian e përkthyes