Një zgjidhje për statusin e naftëtarit

 

 

Nga Zoto Leskaj

Pasuritë nëntokësore si nafta, gazi, gazi kondesat, bitumet dhe rërat bituminoze, janë minerale të dobishme natyrore fosile të papërsëritshme, me rëndësi kombëtare për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Në bazë të investimeve të bëra në vite, janë zbuluar rezerva të konsiderueshme naftë e gazi në vendin tonë. Kjo pasuri kombëtare është vënë në shfrytëzim që në vitin 1918, me zbulimin e vendburimit të parë të naftës në Penkovë (Drashovice) të rrethit Vlorë dhe ka ardhur duke u zhvilluar nga viti në vit me zbulimin e 13 vendburimeve të tjera naftë dhe 5 vendburime gazi, duke krijuar degë të rëndësishme të ekonomisë, industrinë e naftës dhe të gazit. Në zhvillimin dhe konsolidimin e kësaj industrie, kanë kontribuar breza të tërë punonjësish të naftës e gazit, ku një pjesë e tyre ka dhënë edhe jetën. Krahas zbulimit e shfrytëzimit të rezervave të naftës dhe gazit, industria e naftës dhe gazit ka kontribuar edhe në zhvillimin social dhe kulturor të rajoneve të tjera të vendit. Për vetë natyrën e saj komplekse, industria e naftës dhe gazit, ka krijuar një forcë intelektuale e punëtore të kualifikuar në nivel bashkëkohor. Këta naftëtarë të shumëvuajtur, shumë respektuar dhe po aq të nderuar, ku ka njerëz dhe specialistë të shkëlqyer e të zot, kanë punuar dhe punojnë në kushte të vështira pune, sociale e të ambientit, duke u përballur me rreziqe evidente për jetën. Devocioni dhe përgjegjësia për misionin dhe detyrën që naftëtarët kanë marrë përsipër, i kanë detyruar që ata të jenë gjithmonë të përkushtuar, të lidhur fizikisht dhe shpirtërisht me problemet e shqetësimet e ndryshme. Që lidhen me të drejtat sociale dhe ekonomike të tyre, por me keqardhje është vënë re se megjithëse ato u janë bërë disa herë të njohura organeve punëdhënëse dhe drejtuese shtetërore përkatëse, nuk kanë marrë ende zgjidhjen e duhur. Miratimi i "Statusit te Naftëtarit", është shprehje e vlerësimit (tashmë të lënë në harresë dhe të përgjumur), të punës, nderit, dinjitetit dhe respektit të naftëtarëve nga Shteti Shqiptar, që ata të jetojnë si njerëz e me dinjitet dhe jo thjeshtë që vetëm ekzistojnë si qenie të tilla. Zbulimi dhe shfrytëzimi i shumë vendburimeve në vendin tonë, janë fryt i veprimtarisë kërkimore-shkencore e menaxhuese e të gjithë intelektualeve të naftës dhe gazit, të cilët kanë punuar në të gjithë sektorët e prodhimit të kësaj pasurie kombëtare. Kontributi i kësaj inteligjence, e thënë ndryshe, është njëlloj si patkoi që mban peshën e kalit. Kudo në bote sot, po rrëmbehet ajo që ka mbetur, nën parimin kapitalist: "Rrëmbe që të kesh dhe të rrosh"- Kjo nuk është e drejtë dhe njerëzore. Për te dy çështjet e mësipërme, naftëtarët kërkojnë një pjesë të vogël nga djersa e tyre. Në demokraci asgjë nuk dhurohet, por fitohet. Prandaj naftëtarët duhet të lëvizin me shpirt proteste dhe frymë solidariteti, për të fituar atë që kanë humbur.

Përveç këtyre, duam të sjellim në vëmendjen e Qeverisë Shqiptare:

a) Kushtet e veçanta të censurimit e të shtypjes diktatoriale nga ish-sistemi monist në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë së vendit tonë, përjetuar nga të gjithë naftëtarët tanë, që nga studiuesit e projektuesit e puseve dhe të teknologjisë së shpimit dhe të nxjerrjes së naftës dhe të gazit dhe deri tek punonjësit e zbatimit dhe të realizimit në kantier të kërkimit, zbulimit dhe shfrytëzimit të vendburimeve të vjetër dhe të reja. Në kushtet e përdorimit të një teknike të vjetër dhe izolimi të plotë nga bota moderne e zhvilluar e naftës; duam të sjellim gjithashtu në vëmendjen tuaj, jo vetëm dënimet, burgimet dhe persekutimet e dhjetëra naftëtarëve. Që nga shkencëtare e specialistë të lartë dhe deri në naftëtarë të thjeshtë, por edhe atë ambient të rëndë psikologjik të krijuar, ku të gjithë të tjerët jashtë burgut, punonin dhe jetonin të kërcënuar nga akuzat e gatshme të çastit dhe e ditës si armiq e sabotatore, duke krijuar lodhje psikologjike të vazhdueshme, gjë e cila ka ndikuar në mënyrë të pashmangshme jo vetëm në cilësinë e jetës së tyre, por dhe në shkurtimin e ndjeshëm të saj.

b) Kushtet e vështira të punës së naftëtarëve tanë, duke filluar që nga transporti dhe ambientet e punës e të fjetjes së tyre në kantier, ku gjatë gjithë vitit punohej dhe punohet kryesisht në natyrë të hapur. Në të ftohtë dhe në të nxehtë, të pa mbrojtur sa e si duhej ndaj agjentëve të dëmshëm atmosferik, me tre turne, me lodhje të madhe fizike dhe nervore. Me  përgjegjësi të madhe ligjore dhe penale, gjithmonë larg shtëpisë dhe familjes. Në zona të largëta dhe të izoluara, në baranga të vjetra dhe kushte fjetje e ushqimi të këqija.

c) Kushtet e vështira mjedisore të naftëtarëve tanë, në prani të kimikateve dhe agjentëve të rrezikshëm për shëndetin e tyre, siç janë; avujt hidrokarbure, gazet helmues si  H2S, CO2, SO3, CO etj., si edhe aromatikët koncerogjen si benzeni, toluoli etj..

d) Kushtet dhe rrethanat e punës  e jetesës, ku  shumica e profesioneve dhe e vendeve të punës të naftëtarëve tanë, si pasojë e konsumimit të madh fizik dhe mendor, humbje të parakohshme  të aftësive për punë dhe mbas moshës 50 vjeç nuk janë në gjendje për punë.

e) Kontributin e jashtëzakonshëm dhe të dorës së parë të naftëtarëve në zhvillimin e ekonomisë tonë, ku mbi 35 % e të ardhurave kombëtare sigurohej nga nxjerrja e miliona ton nafte e miliarda Nm3 gas.

f) Faktin, që në këto kushte tej të vështira të punës dhe të jetesës së naftëtarëve tanë, ata ishin vlerësuar edhe nga vetë regjimi diktatorial komunist, i cili  kishte vendosur moshën e pensionit për gratë në përgjithësi 50-55 vjeç, për burrat 55-60 vjeç dhe për burrat që punonin në punët e rënda, si në pastrimin e puseve 50 vjeç dhe jo si tashmë që këto mosha janë respektivisht 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat, me një vjetërsi pune për të dy gjinitë 35 vjet secila.

Në këto kushte, nisur nga kontributi i madh që ka industria e naftës dhe gazit në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit tonë, profesionit të nderuar dhe tepër të vështirë të naftëtarit, nuk duhet t’u bëhet atyre një trajtim i tillë. Duke mos i bërë pjesëtar të pronës dhe pronësisë intelektuale, duke mos ju dhënë vlerësimin e duhur, respektin e duhur, dinjitetin e duhur, e duke lënë kontributin dhe sakrificat në vite të tyre në harresë të plotë e të përgjumura, si deri tani. Ne mendojmë se trajtimi i këtyre problemeve është me vend dhe në nder të shtetit, duke i dhënë atij autorësinë e vlerësimit të punës, nderit dhe dinjitetit të njërit nga profesionet më të vuajtur të vendit tonë. Sikurse janë naftëtarët, nëpërmjet miratimit sa më shpejtë të “Statusit të Naftëtarit” ashtu sikundër dhe i “Statusit të Minatorit” dhe profesioneve të tjera të vështira. Ky problem, megjithëse i është bërë prezent disa herë dhe në kohë të ndryshme. Presidentit  të  Republikës,  Kryeministrit,  Kryetarit të Parlamentit, i cili është mbështetur e vlerësuar si problem i rëndësishëm dhe pozitivisht prej tyre, ende nuk ka marrë zgjidhjen e plotë. Veç kësaj, kompania e naftës dhe gazit Albpetrol sh.a. Patos si dhe organizatat sindikaliste të naftës, për këtë qëllim,  e kanë kërkuar dhe relatuar vazhdimisht miratimin e këtij statusi, pranë organeve dhe institucioneve të Larta të Shtetit Shqiptar. Tani nuk është vetëm cinike shprehja e diktaturës komuniste “Nafta çan bllokadën”, por për ne naftëtarët ajo simbolizon shtypjen dhe shfrytëzimin dhjetëra vjeçar të kontributit, të sakrificave dhe të punës së papaguar, e të bërë me shpirt nder dhembe nga të gjithë naftëtarët.

PROJEKTLIGJI “PER STATUSIN E NAFTETARIT”

Neni 1-“Statusin e Naftëtarit” e përfitojnë të gjithë punonjësit që janë gjalle, që kanë punuar dhe punojnë në industrinë e naftës dhe gazit të të gjitha profesioneve si dhe ata që kanë ardhur për të punuar në industrinë e naftës e gazit nga të gjithë industritë e tjera si: Industria e Minierave, Industria Kimike dhe Industria Metalurgjike, pavarësisht nga shkalla e arsimimit që kanë dhe që plotësojnë vjetërsinë në punë : a) burrat mbi 20 vjet punë dhe b) gratë mbi 15 vjet pune.

Neni 2- “Statusin e Naftëtarit” e përfitojnë dhe ata persona që janë aksidentuar në punë në industrinë e naftës dhe të gazit dhe që kanë humbur aftësinë për punë, pavarësisht nga vjetërsia në punë.

Neni 3-Personat me "Statusin e Naftëtarit", pajisen me dëshmi zyrtare identifikuese të përcaktuara nga Komisioni i ngritur për këtë qëllim nga Ministria përkatëse me vendim të Qeverisë së Republikës Shqipërisë, me paraqitjen e dokumenteve që përfshihen në nenin 4.

Neni 4-Qenia naftëtar vërtetohet me njërën nga këto dokumente:

Libreza e punës, Libreza e Pensionit, Me çdo dokument tjetër zyrtar që vërteton kohën e punës në naftë, në industrinë e minerare, industrinë kimike dhe industrinë metalurgjike d)  Për ata që kane punuar jashtë shtetit dhe në kompanitë e huaja, për njohjen e statusit vlen dokumentacioni i njëjtë i marrë nga institucioni përkatës ligjor.

Neni 5-Personat me status që nuk kanë mbushur moshën e pensionit, përfitojnë një shpërblim mujor prej  30.000 leke në muaj, në rast se ata dalin të pa punë. Për shkak të reformave ekonomike deri në momentin e mbushjes së moshës së pensionit.

Neni 6-Ish-drejtuesit  e industrisë së naftës dhe gazit që kanë shërbyer në drejtimin e njësive organizative të kësaj industrie, si dhe specialistët e lartë e punonjësit shkencore të marrin përveç pensionit, një trajtim të veçantë shtesë përkatësisht prej 10.000-15.000 lekë në muaj. Punonjësit e thjeshtë dhe me kualifikim të mesëm të marrin nga5000-7000 lekë në muaj. Në të kundërt shpërblimi shtesë të caktohet sipas kontributit të secilit pa caktuar limit.

Neni 7-Personave me status u sigurohet falas udhëtimi me mjetet e komunikacionit urban dhe me gjysmë çmimi për atë interurban publik. Dokument identifikimi shërben edhe dëshmia e “Statusit te Naftëtarit”.

Neni 8-Organet e pushtetit lokal, personave me status, t’ju japin përparësi për strehim, punësim, arsimim, specializim, emigracion etj.

Neni 9-Personat me status, përfitojnë të drejtën të mjekohen dhe kurohen falas në spitale dhe klinika shëndetësore të financuara nga shteti dhe në raste të veçanta të kurohen jashtë shtetit me financim nga institucioni punëdhënës (Albpetrol sh.a.Patos).

Neni 10-Ashtu si personat në marrëdhënie pune, dhe personat me “Status të Naftëtarit”, sipas ligjit  përfitojnë në privatizimin e pasurisë kombëtare të industrisë së naftës dhe gazit në raport me kohën e punës (vjetërsinë në punë), shkallën e kualifikimit, natyrën e punës, profesionin, kontributin etj.

Neni 11-"Statusin e Naftëtarit"nuk e përfitojnë ata persona që janë dënuar nga organet e Drejtësisë për krime ekonomike pas periudhës së viteve 1990 e në vijim.

Neni 12-Personat me "Statusin e  Naftëtarit"kanë të drejtë të organizohen në shoqata, dhe sindikata, në përputhje me ligjet në fuqi.

Neni 13-Në rast privatizimi të industrisë së naftës dhe gazit, punonjësit që janë në marrëdhënie pune bëhen aksionerë, sipas kontributit, shkallës së kualifikimit dhe vjetërsisë në punë, duke i blerë aksionet që i përkasin secilit , me 50% të vlerës së tyre reale.

Neni 14-Naftëtarëve pensionist ne raste vdekje t’ju përballohen të gjitha shpenzimet falas nga shteti.

SHKARKO APP