Njoftim vlerësimi tatimor nga zyra, çfarë është dhe kur aplikohet ai

Përmes një komunikimi zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton bizneset për provederat që ndiqen në rastet kur nuk kanë dorëzuar në afat deklaratat tatimore. Referuar njoftimit të tatimeve, në rastet e vonesave, tatimpaguesi do të njoftohet përmes një “letër kujtese” brenda 5 ditëve nga përfundimi i afatit të deklarimit. Në këtë rast, tatimpaguesi ka edhe 10 ditë kohë për të dorëzuar deklaratën. Nëse edhe në këtë rast nuk dorëzohet deklarata, atëhere nis procedura e vlerësimit të detyrimeve tatimore.

“Në rast se mbas kalimit të afatit 10 ditor, nga data e nisjes së “Letër Kujtesës”, tatimpaguesi nuk ka plotësuar detyrimin e tij, për të dërguar apo dorëzuar në administratën tatimore deklaratën e padërguar për një periudhë të caktuar tatimore, administrata tatimore ka detyrimin të bëjë një vlerësim të detyrimeve tatimore të tatimpaguesit, sipas njërës prej metodave alternative, të parashikuara nga neni 72 i Ligjit. Sistemi informatik do të nxjerrë një Njoftim Vlerësimi tatimor nga zyra, i cili i njoftohet automatikisht tatimpaguesit”, njoftojnë Tatimet.

Ndërkohë, bizneset duhet të bëjnë kujdes pasi “Njoftim Vlerësimi” nuk mund të ankimohet në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, në rrugën e ankimit të akteve administrative tatimore.

“Tatimpaguesi ka të drejtë, që me marrjen e “Njoftim Vlerësimit” të bërë nga ana e administratës tatimore, sipas parashikimit të kësaj pike, të paraqesë deklaratën e tij tatimore. Vetëm në rastin e paraqitjes së deklaratës tatimore të padorëzuar më pare, me t’u bërë ky deklarim, automatikisht anulohet vlerësimi i detyrimit tatimor të bërë nga zyra prej administratës tatimore. Duhet të jeni të kujdesshëm, pasi: Nëse nga ana e tatimpaguesit, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftim-vlerësimit tatimor nga zyra, nuk është dorëzuar deklarata tatimore ose nuk është paguar shuma e e detyrimit lidhur me të, administrata tatimore fillon procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore. Kjo procedurë ndiqet për çdo lloj deklarate tatimore e çdo tatimi lidhur me të” përfundon njoftimi i Tatimeve.

SHKARKO APP