
Demokratët u mblodhën këtë të shtunë përpara Kryeministrisë, në protestën e thirrur nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
Gjatë tubimit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi se opozita ka qenë vazhdimisht në mbështetje të studentëve dhe se protestuesit do të zhvendosen drejt Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar atyre.
Noka tha se PD-ja synon të mbështesë kërkesat e studentëve pa marrë drejtimin e protestës së tyre. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorimin e presionit policor ndaj protestuesve, duke deklaruar se opozita do të vazhdojë të jetë në krah të studentëve.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së komentoi gjithashtu të ashtuquajturën “protestë të flamingove”. Ai pretendoi se protesta u dobësua nga ndërhyrja e qeverisë dhe akuzoi disa prej pjesëmarrësve se kaluan në shërbim të saj.
Noka drejtoi akuza edhe ndaj Arlind Qorit, duke e lidhur atë me protestën studentore të vitit 2018 dhe duke pretenduar se qëndrimet e tij kanë favorizuar politikisht qeverinë.