Norvegjezja Statoil do të lërë projektin e gazsjellësit TAP

Kompania norvegjeze Statoil do të shesë pjesën e vet të aksioneve prej 20% që zotëron në projektin e gazsjellësit TAP, që do të transmetojë gaz nga Azerbajxhani në Europë, ka bërë të ditur presidenti i firmës shtetësore azere SOCAR, raporton Reuters.

“Statoil ka vendosur që të lërë tërësisht projektin TAP dhe ka një kompani që është gati ta blejë,” pjesën e saj të aksioneve, ka pohuar Rovnag Abdullayev për televizionin Azeri ANS.

“Disa kompani kanë shprehur interesin për të blerë aksionet e Statoil dhe do të ishte më mirë që të ishin disa kompani që ta blinin atë,” shtoi ai.

Statoil nuk bëri komente për lajmin.

“Në përgjithësi ne nuk komentojmë në lidhje me spekulimet për rregullimet e portofolit tonë,” tha zëdhënësi i Statoil për Reuters.

Gazsjellësi TAP është pjesë e projektit që synon të transmetojë 16 miliardë metër kub gaz nga fusha Shah Deniz II e Azerbaxhanit, një nga fushat më të mëdha në botë me gaz, deri në fund të dekadës.

Gazsjellësi prej 870 kilometrash do të lidhet me Trans Anatolian Pipeline (TANAP) afër kufirit turko grek në Kipoi, do të kalojë Greqinë dhe Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të arrijë në Italinë Jugore.

Statoil i ka shitur tashmë aksionet e saj në fushën e gazit të Shah Deniz në Azejbaxhan si dhe në gazsjellësin kaukaz (SCP) tek SOCAR, BP dhe maleziania Petronas.

Kompania Italiane e infrastrukturës së gazit Snam tha muajin e fundit se ajo mund të merrte një përqindje aksionesh deri në 20% në projektin e TAP, i cili synon që të ulë varësinë e Europës nga gazi rus.

Shefi i saj Carlo Malacarne tha se blerësit e gazit po dorëzojnë oferta për gazit azer, të ardhurat e transmetimit janë të garantuara dhe kjo ka hapur rrugën për lojtarë të infrastrukturës, si Snam, që të hyjnë në projekt.

Zyrtarët nuk kanë bërë komente për çmimin, por burime të brendshme thanë se paketa e aksioneve prej 20% e TAP mund të vlejë rreth 400 milionë euro.

Aksionerët e TAP janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), kompania belge Fluxys (19%), Enagas e Spanjës (16 percent) dhe kompania zvicerane Axpo (5%).

SHKARKO APP