Nuk harrohet kurrë ai, që luftoi për Shqypni!
DOSSIER/Nga Nikolla Sudar*-Asnjëherë vegjëlia nuk i ka lënë në harresë bijtë e vet që dhanë gjithçka për atdhe. Kujtimin për ta e ruan si gjënë më të shtrenjtë, ndërsa veprën tyre e përcjell nga brezi në brez për ta përjetësuar.
Në periferi të Shijakut ndodhen dy fshatra me emra karakteristikë, Koxhas dhe Borake. Shumica e tyre është e populluar nga të ardhur kryesisht nga Mostari (Bosnjë-Hercegovina) dhe rrethinat e tij. Ky minoritet u dynd masivisht drejt Shqipërisë, pasi Kongresi i Berlinit, i vitit 1878, i dha Perandorisë Austro-Hungareze territorin e Bosnjë-Hercegovinës. Pas një rezistence me armë në dorë kundër pushtuesit të ri, u arrit marrëveshja që të “pabindurit” të linin trojet e tyre. Me ato pak plaçka që mund të mbanin e me një anije mbërritën në Durrës. Një pjesë e tyre zbriti në tokë dhe, pasi u pëlqeu territori ku ndodhen edhe sot, u vendosën aty përfundimisht, kurse pjesa tjetër vazhdoi rrugën drejt Izmirit (Turqi). Të moshuarit do të tregonin:
“Në Durrës na priti një nëpunësi administratës turke me origjinë boshnjake. Ai na këshilloi të gjenim ndonjë vend të përshtatshëm dhe të vendoseshim aty. Periferia e Durrësit nuk na pëlqeu, për më tepër ajo ishte tokë moçalishte. Ne zbritëm më poshtë, duke arritur në Shijak. Terreni këtu ishte i pastër, me pyje dhe përmes kalonte lumi i furshëm Erzen. Pasi shpyllëzuam një sipërfaqe të madhe, me lëndën e drurit ndërtuam banesat e para dhe aty u vendosëm përfundimisht”.
Njerëz të ndershëm, të emancipuar për kohën, punëtorë të palodhur, mjeshtra të bujqësisë e sidomos të kultivimit të perimeve (që në atë kohë në Shijak njiheshin shumë pak), boshnjakët e ardhur do të fitonin shpejt respektin e banorëve vendas. Me kalimin e dekadave ata u inkuadruan shumë mirë në jetën e komunitetit vendas, duke luajtur një rol të veçantë në përparimin e tyre në shumë drejtime (pa i harruar asnjëherë gjuhën, traditat dhe mallin e patreguar për vendlindjen).
Banorët e këtyre fshatrave mbështetën fuqimisht ngjarjet përparimtare politike të kohës dhe mjaft nga bijtë e tyre dhanë gjithçka për atdheun e dytë, Shqipërinë, si për shembull oficeri patriot Sulejman Kadra (Kadragiq).
Cili qe Sulejman Kadra? Ç’i dha ai atdheut dhe luftës për çlirim kombëtar e demokraci?
Duke lexuar dosjen e tij të përgatitur nga organet e diktaturës gjatë procesit gjyqësor të vitit 1946, cilido bindet për veprimtarinë e tij në shërbim të atdheut në vitet 20 e më pas, bindet për devotshmërinë e tij në kryerjen e detyrës si ushtarak, bindesh për humanizmin dhe tolerancën që e karakterizoi, sidomos në periudhën e vështirë të luftës kundër pushtuesve nazifashistë, kur nuk u arrit dot bashkimi i të gjitha forcave antifashiste në të mirë të vendit
Sula u lind në vitin 1903, në fshatin Koxhas pranë Shijakut, në familjen e ndershme, bujare, patriote e fetare të Hasan Kadragiqit (Kadra). Pas mbarimit të fillores ai nuk do ta braktiste asnjëherë studimin si autodidakt dhe shumë shpejt do ta gjejmë në armën e xhandarmërisë. Ishte vitet, kur falë Kongresit të Lushnjës po hidheshin bazat reale të shtetit të ri ligjor si dhe të administratës së parë të vërtetë shqiptare, e cila do të kristalizohej si një administratë e vërtetë moderne gjatë periudhës së mbretërisë. Kështu nga fillimi i viteve 1920 e deri në vitin 1939, si rrallëkush, Sulën do ta gjejmë të shërbejë me ndërgjegje e ndershmëri të lartë në të katër anët e atdheut si: në Dibër, në Vlorë, në Malësi të Madhe (ku fitoi respekt të thellë, për përpjekjet që bëri kundër gjakmarrjes), në Tepelenë, Përmet, Skrapar, Kuçovë, Ballsh, Tropojë, Tiranë, Burrel e Lezhë. Pasi kreu një seri kursesh si edhe shkollën e perfeksionimit, ai arriti gradën e togerit.
7 Prilli i vitit 1939 e gjen oficer drejtues në Lezhë. Pikërisht këtu do të shkëlqente atdhetarizmi tij. Në krye të disa xhandarëve si dhe të vullnetarëve, Sula luftoi për disa orë kundër agresorëve fashistë në Shëngjin e më pas detyrohet të arratiset në Jugosllavi (ky fakt historik qëllimisht nuk është publikuar asnjëherë nga regjimi komunist, kurse në materialet rezervate Sula përmendet vetëm si emër). Fashistët italianë u hakmorën duke internuar për më se dy vjet në Berat prindërit dhe familjen tij.
Në tetor të vitit 1941 ai kthehet nga mërgimi në vendlindje. Si patriot i vërtetë, duke e ndier thellë rrezikun e shkombëtarizimit, me ndihmën e miqve rifillon përsëri detyrën e ushtarakut, por tashmë me një objektiv të qartë: luftë ilegalisht me të gjithë mënyrat kundër pushtuesve të huaj. Në fillim të vitit 1942 e ndeshim në Kavajë, ku fshehurazi kontakton me Myslym dhe Shyqyri Pezën si dhe me Mustafa Gjinishin, të cilëve u jep informata shumë të rëndësishme. Shtëpia e Kadragiqve në fshatin Koxhas do të bëhej çerdhe e vërtetë atdhetarizmi. Këtu janë shtrehuar kuadro antifashistë si Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi, Ramazan Jella, avokat Myshketa, atdhetarë nga fiset DeIialis, Mancakë e Kokol, Ramë Marku, ilegalë etj.
Në muajt e parë të vitit 1943 e gjejmë ushtarak në Pogradec, ku fshehurazi hyn në lidhje me trimin Reshit Çollaku, me të cilin ishte njohur dhe miqësuar kohë më parë. Pas kthimit në Shijak, në korrik të vitit 1943, bashkë me një pjesë të efektivit si dhe me sekretarin e nënprefekturës, patriotin Hysni Shaqiri, arratisen në Pezë, ku gjatë disa muajve jep kontributin e tij edhe si një ushtarak shumë i aftë.
Sula, duke rrezikuar familjen dhe farefisin, për disa kohë strehon në shtëpinë e vet familjen e Myslym Pezës dhe të motrën e Mustafa Gjinishit (kyhumanizëm do t’i mohohej në mënyrën më të paskrupullt pas luftës). Por dështimi i Mukjes, vështirësitë e mëdha për shkak të Operacionit të Dimrit, sëmundja që po e mundonte prej disa kohësh, si edhe bindjet e tij nacionaliste e detyruan Sulën të largohet nga Peza, duke u shkëputur përfundimisht prej saj.
Si nacionalist i vërtetë dhe mik i Abaz Kupit, ai bëhet mbështetje kryesore për organizatën e “Legalitetit” të Shijakut, të drejtuar nga vëllezërit Hysen dhe Zyber Kokoli. Sula dha një kontribut të ndjeshëm për organizimin luftarak të forcave nacionaliste, duke propaganduar në radhët e tyre luftën kundër pushtuesit të huaj dhe, duke i qëndruar me besnikëri tolerancës midis forcave të ndryshme politike. Ai nuk lejoi konfrontimin me forcat e tjera antifashiste apo partizane, gjë që e quante vëllavrasje të vërtetë.
Por hakmarrja komuniste do të binte pa mëshirë edhe mbi atdhetarin Sulë Kadra. Më 27 korrik të vitit 1945 arrestohet dhe për muaj me radhë u nënshtrohet torturave më të egra. Përfundimisht me vendimin Nr. 37, datë 2.04.1946, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës:“…armiku i popullit Sulejman Kadra dënohet me tetë vjet burg të rëndë”. Menjëherë pas vendimit do të derdhej rrebeshi mbi të afërmit: e gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme i sekuestrohet, kurse familja për të dytën herë internohet përsëri në Berat. Ushtaraku i përgatitur e me përvojë të gjatë, Sulë Kadra, do të provonte tmerret e kampit të Maliqit dhe të burgjeve të diktaturës, derisa përfundimisht do të humbiste shëndetin.
Pas daljes nga burgu e derisa vdiq, ai asnjëherë nuk u pajtua me ideologjinë komuniste, kurse familjen do ta ndiqte damka e tmerrshme “familje e armikut të popullit”, që do të thoshte e izoluar nga të gjithë dhe pa asnjë të drejtë. Sula detyrohet të vendoset me familje në Tiranë, duke bërë punë nga më të vështirat në një ndërmarrje komunale, por ai mbeti gjithmonë krenar për të kaluarën e vet.
Oficeri atdhetar Sulë Kadra nuk arriti të shihte proceset demokratike për të cilat kishte ëndërruar gjithë jetën, gjithashtu nuk pati fatin e madh të vizitonte Bosnjën e tij të dashur, tokën e të parëve të vet. Por fëmijët dhe nipat e tij u radhitën në pararojën e luftës për përmbysjen e diktaturës, duke e ndjekur edhe sot këtë rrugë me përkushtim e besnikëri.
Dekada do të kalojnë, por jeta dhe vepra e atdhetarit demokrat legalist Sulejman Kadra do të kujtohet brez as brezi.
*Historian e përkthyes.