Nuk ka mirëqeverisje pa audit efiçient

Nga Prof. Dr. Omer Stringa

Konferenca e Tretë shkencore e Kontrolli të Lartë të Shtetit, e mbajtur në datat 29-30 tetor 2014 ishte një përpjekje e suksesshme për të analizuar problemet aktuale dhe perspektive të auditit, si një nga faktorët themelorë të mirëqeverisjes se vendit. Konferenca tregoi edhe njëherë se KLSH ka organizuar dhe punuar për të krijuar një bashkëveprim të frytshëm me të gjitha institucionet simotra të saj në Europë, si dhe ka ngritur në një shkallë më të lartë bashkëpunimin me grupet e interesit në vendin tonë. Personalitete europiane të auditit më të lartë publik, pjesëmarrëse në konferencë, jo vetëm i dhanë hijeshi dhe bukuri aktivitetit, por me kumtesat dhe diskutimet e tyre ishin një kontribut i rëndësishëm për detajimin e detyrave të KLSH-së, për rritjen e performancës së auditimit në Shqipëri. Ia vlen të theksohet pjesëmarrja e gjerë e personaliteteve të grupeve të interesit, si akademikët, profesorati shqiptar, përfaqësues të organizatave profesionale, të cilët sollën eksperiencën e tyre, por gjithashtu hapën horizonte të reja për kërkime të mëtejshme në fushën e auditit, të cilat u sintetizuan në fjalën përmbyllëse të Kryetarit të KLSH, Bujar Leskaj. Konferenca forcoi edhe njëherë mendimin se performanca e qeverisjes asnjëherë nuk mund të ekzistojë pa performancën e auditit. Institucionet supreme të auditit kanë pranuar se qeverisja kombëtare efektive është faktori kryesor për ruajtjen e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe të progresit social, si dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të jetës së qytetarëve. Auditi kombëtar është një forcë e rëndësishme në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, për mbrojtjen e interesit publik, duke raportuar mbi përdorimin e burimeve publike dhe promovuar zbatimin e ligjit dhe të rregullave.

Konferenca deklaroi se nuk mund të rregullojmë performancën e auditit pa rregulluar performancën e informacionit. Nga analizat në diskutimet rezultoi që si performanca e auditit, edhe ajo e informacionit varen nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Meqë Konferenca ishte e organizuar nga KLSH, u dhanë drejtimet dhe detyrat që duhet të kryejë KLSH në lidhje me faktorin e brendshëm. Përsa i përket ndikimit të faktorit të jashtëm, sikurse e deklaroi me forcë dhe përpara mediave shqiptare Eurodeputeti Igor Sholtes, i ftuar dhe referues në Konferencë, nëse institucionit suprem të auditimit nuk i jepet qasje e plotë në informacion, atëherë më mirë të mos jetë një institucion i tillë kushtetues. U sollën eksperienca, gjetje dhe rekomandime në fushën e përpjekjeve të auditit publik evropian për përmirësimin e qeverisjes dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit. Në planin teorik dhe praktik të menaxhimit të financave publike, dobia u pa dhe në faktin se, nga shumica e 28 kumtesave të paraqitura, përmirësimi i cilësisë së menaxhimit të financave publike, si një mjet për të optimizuar arritjen e objektivave kombëtarë të zhvillimit strategjik, u prezantua si sfida kryesore në shumë vende. Mesa kryesor ishte se, duke përmirësuar proceset dhe institucionet buxhetore, cilësia e financave publike rritet, ndërkohë që efiçienca, efektiviteti dhe transparenca përbëjnë sot tre objektivat themelorë të buxhetimit modern. Rregullat fiskale, planet dhe kornizat afat-mesme, si dhe buxhetimi i performancës kanë provuar të jenë efektivë në arritjen e këtyre objektivave. KLSH ka dhënë kontributin e tij në vijimësi në përmirësimin dhe forcimin e këtyre rregullave fiskale. Nga ky forum shkencor doli po ashtu i fortë mesazhi se Institucionet Supreme të Auditimit munden të kontribuojnë në efiçiencën qeveritare, me mbikëqyrjen dhe vlerësimin e aktiviteteve qeveritare dhe zbulimin e mangësive në qeverisjen dhe kontrollin kombëtar. Ato mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e mashtrimeve financiare, duke ruajtur interesat kombëtare, nëpërmjet sigurimit te informacionit objektiv, të besueshëm dhe në kohë, për të zbuluar risqet në funksionimin ekonomik dhe social kombëtar. Si institucione të mandatuara nga Kushtetuta, ato (ndër të cilat edhe KLSH) mund dhe duhet të luajnë rolin e sistemit imunitar për qeverisjen publike kombëtare. Vetëm duke e pranuar këtë sfidë dhe përmbushur këtë rol parësor, këto institucione do të jenë në gjendje të vazhdojnë të kontribuojnë për të ruajtur demokracinë dhe shtetin ligjor, duke promovuar administrim dhe një qeverisje të ndershme dhe të pastër, duke mbajtur rregull ligjor, duke zbuluar paligjshmërinë, duke kufizuar abuzimet me pushtetin, nëpërmjet mbikëqyrjes së rreptë të pushtetit publik.

Rëndësia e Konferencës qëndron dhe në planin se ajo përbën një mjet të rëndësishëm për modernizimin e Institucionit. Kryetari i KLSH Bujar Leskaj u shpreh se formimi shkencor për KLSH është institucionalizuar tashmë dhe është fryt i bashkëpunimit me homologët, si anëtarë të EUROSAI-t, me profesoratin shqiptar, me organizatat profesionale të fushës dhe me OJF-të aktive në luftën për transparencë në administratën publike. Ky forum konkludoi se Institucionet Supreme të Auditimit mund të nxisin më tej përmirësimin e jetesës së qytetarëve, duke ndihmuar për të siguruar që fondet dhe projektet publike që kanë të bëjnë me jetesën e tyre, të jenë nën mbikëqyrje të rreptë dhe të arrijnë efektin e dëshiruar. Ato mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e mashtrimeve financiare, duke ruajtur interesat kombëtare, nëpërmjet sigurimit te informacionit objektiv, të besueshëm dhe ne kohe, për të zbuluar risqet ne funksionimin ekonomik dhe social kombëtar. Ndër konkluzionet dhe propozimet konkrete të Konferencës ishin theksimi se baza e të dhënave është themelore për njehsimin e riskut. Konferenca e ardhshme shkencore e KLSH duhet të përqendrohet në analizën e riskut për auditimin në sektorë të ndryshëm ekonomiko-socialë, si në burimet energjetike, drejtësi, financë, arsim, minerale, shëndetësi, rend, mjedis, etj. Konferenca propozoi ngritjen e një institucioni që të merret me standardet e burimeve njerëzore, natyrore, energjisë, mineraleve, etj, duke përfshirë rezervat, klasifikimin etj., deri në analizën e riskut, shfrytëzimin e tyre, kontratat, etj. Sektori publik duhet të adoptojë për raportimin financiar parimin e të drejtave e detyrimeve të konstatuara, pasi kjo i shërben mirëqeverisjes, transparencës e përgjegjshmërisë dhe rritjes së besimit publik. Konferenca propozoi gjithashtu që të bëhet një riklasifikim në rritje i kufijve të njësive ekonomike që ligjërisht i nënshtrohen detyrimit për t’u audituar. Si dhe zhvillimin e mekanizmave dhe procedurave që lehtësojnë punën e secilit prej aktorëve ne auditimin e jashtëm publik. Planifikimi i veprimtarisë dhe aktiviteteve, ndërtimi i strategjive të qarta dhe realiste, si dhe ndërtimi dhe zbatimi me rigorozitet i proceseve dhe kontrolleve ndihmojnë institucionet të përqendrojnë energjitë dhe resurset në përmbushjen me efikasitet të objektivave afatgjate. Kjo mundëson që auditet, me punën e tyre të sjellin vlerë të shtuar në funksion të arritjes së objektivave të institucioneve publike.

Është hera e parë që në Shqipëri KLSH ka hapur një debat të rëndësishëm, atë të analizës së riskut për auditin. Diskutuesit tentuan të kontrollojnë edhe rrezikun, si një nga faktorët më të rëndësishëm të financave dhe investimeve publike. Mund të themi me modesti që tre kumtesa në Konferencë hapën siparin e studimeve për formalizimin e auditit të riskut. Me të drejtë në fjalën mbyllëse, Kryetari i KLSH caktoi tematikën e Konferencës së Katërt Shkencore të KLSH, e cila do të ketë dy drejtime kyçe, analizën e riskut dhe formalizimin e tij deri në nivel standardi, dhe krijimi i disa standardeve për të kontrolluar performancën. Tashmë mund të flasim me siguri se KLSH ka krijuar një institucion, i cili studjon, hulumton dhe zhvillon kërkimin shkencor në audit. Dua t’i uroj të gjithë organizatorët për kontributin e tyre në këtë forum, i cili dha mesazhin qendror se pa një audit të zhvilluar dhe efiçient, nuk ka mirëqeverisje.

SHKARKO APP