Oketa krahason zgjedhjet me ndeshjen Serbi-Shqipëri: Nuk luhet me këto kushte

Gazment Oketa, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, krahasoi zgjedhjet në Shqipëri me ndeshjen Serbi-Shqipëri.

“Sot në Kuvend u tha se në datën 30 qershor është caktuar një datë zgjedhjeje, ekipi ynë është gati, ekipi kundërshtar duhet të paraqitet etj. Të kthehemi pak në vitin 2014, kur u luajt Serbi-Shqipëri. Ndeshjen e arbitroi një nga arbitrat më të mirë, nga Anglia. Aty hynë në fushë huliganët, dhunuan lojtarët tanë, por çuditërisht arbitri nuk i pa ato skena, UEFA ia dha fitoren në tavolinë Serbisë, ndërsa CAS vendosi t’ia jepte fitoren Shqipërisë. Të gjithë ishim dakord me lojtarët tanë që nuk donin të ktheheshin në fushë, pasi vetëm ndeshje futbolli nuk ishte ajo. Me këtë dua të them se Rama dhe dy zëdhënësa të Rilindjes i bëjnë thirrje opozitës që të hyjë në zgjedhje, ndërsa huliganët janë ata që kanë listat, siç doli nga përgjimet, të cilët shkojnë nëpër shtëpi dhe blejnë vota dhe shantazhojnë. Në këto kushte nuk mund të luhet”, deklaroi Oketa.

Demokrati Oketa theksoi në lidhje me dekretin e Presidentit Ilir Meta se “në një shtet normal do të flisnin gjykatat dhe do të mbyllnin çdo diskutim politik”, por, sipas tij, “data 30 duhet të ndryshojë me çdo kusht pasi do të ishte përplasje shumë e fortë mes kampeve politike dhe pasojat do t’i vuanin qytetarët e thjeshtë”.

Oketa krahason zgjedhjet me ndeshjen Serbi-Shqipëri: Nuk luhet me këto kushte

SHKARKO APP