Operatorët e Transportit publik: Nga 1 shtatori reduktohet flota e autobusëve

Nga data 1 shtator, linjat e transportit publik do të ulin me 20 deri në 30 për qind numrin e mjeteve në qarkullim.

Në një letër drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës dhe ministrive përgjegjëse, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban thonë se gjendja financiare e operatorëve është rënduar ndjeshëm, kryesisht për shkak të kostove të karburantit dhe mosrealizimit të kompensimeve të kërkuara.

Sipas tyre, mungesa e mbështetjes financiare e bën të pamundur vijimin e operimit me kapacitet të plotë.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Për këtë arsye, njoftojmë se, duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30 për qind, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion.

Swiss Digital Mobile Reklama

Masa e reduktimit nuk përbën një zgjedhje të operatorëve dhe as një mungesë vullneti për garantimin e shërbimit normal të transportit publik. Ajo është një pasojë e drejtpërdrejtë e pamundësisë financiare për të mbuluar kostot e operimit me flotë të plotë, sidomos kostot e karburantit, të cilat përbëjnë një nga zërat kryesorë të aktivitetit.

Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik.

Në këto kushte, u kërkojmë institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë me urgjencë, të japin një përgjigje konkrete mbi kërkesat e paraqitura nga operatorët dhe të mundësojnë realizimin e kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit, si dhe vijimin e mbështetjes për periudhën në vazhdim.

Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por, në kushtet aktuale financiare, operimi me 100 për qind të flotës nuk është më i përballueshëm.

Për sa më lart, kërkojmë trajtimin me prioritet dhe urgjencë të kësaj situate, me qëllim shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të shërbimit të transportit publik dhe rikthimin sa më parë të kapacitetit të plotë operacional”, thuhet në njoftim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Erion Braçe apo Arbër Hajdari për kandidat për kryebashkiak në Tiranë nga PS?