Opozitë e strukur
Opozita nuk shihet as në krah të qytetarëve për të treguar se vërtetë është e shqetësuar për hallet dhe problemet e shqiptarëve. Në mos për hallet e të gjithë shqiptarëve, të paktën për ata që e kanë votuar historikisht të djathtën. Në vend të këtyre qëndrimeve Partia Demokratike, por edhe aleatët e tjerë të saj, kanë zgjedhur të bëjnë një lloj tjetër politike, duke ndryshuar dhe modelin e opozitarizmit të njohur deri më sot. Nga një PD që dikur kishte agresivitet, nerv, sharm, ndonjëherë edhe jashtë standardeve, sot kemi një opozitë që më shumë merret me formën sesa me përmbajtjen. Nëse mbledh qëndrimet e një jave të Partisë Demokratike, rezulton se opozitarizmi i saj është bërë nga selia e PD-së, tek selia e Bashkisë dhe sallat e konferencave luksoze në Tiranë. Me një fjalë është një opozitë që nuk kalon as Unazën e Vogël të Tiranës. Në qëndrimet e saj nuk duhen harruar dhe “nota e protestës” që vijnë nga kati i 14 i “Kullës” ku është ngujuar ish-kryeministri, Sali Berisha. Por silurat e tij, ka kohë që nuk i bëjnë më përshtypje as vet një pjese të Partisë Demokratike dhe jo më dyshes Rama-Meta që qeverisë sot në mazhorancë. Bile Edi Rama, thuhet, se kënaqet e bën shpoti nga kjo lloj opozite që “as të…. e as të lëshon”. Në më shumë se një vit, PD-ja kishte kohë të organizohej, të hartonte strategji e të niste aksionin e saj opozitar. Gjatë gjithë kësaj kohe mbahen mend vetëm disa deklarata të forta të kryetarit Lulzim Basha, një konventë kombëtare, ndërsa pjesa tjetër e partisë është strukur. Deputetët e PD-së nuk i sheh në zonat elektorale, por në lokalet luksoze të Tiranës dhe konferencat e organizatave jo fitimprurëse. I ke shumicën e deputetëve të opozitës me makinat me të shtrenjta e prodhime të fundit. I ke me vila dhe ku jetojnë si bosa. Tetë vite qeverisje kanë sjellë shkëputjen e përfaqësuesve të mazhorancës nga elektorati. Një pjesë janë pasuruar dhe nuk kanë kohë të merren me opozitën, pasi e dinë që pushteti është ende larg. Një pjesë ndjehen të anashkaluar nga lidershipi i ri i PD-së dhe nën dhëmbë thonë “marrshin veten më qafë”! Ndaj sot deputetët e Partisë Demokratike nuk kanë as interesin më të vogël për të qenë në krye të aksionit opozitar. Më shumë u pëlqejnë të shijojnë pasurinë e vënë gjatë qeverisjes dhe të ruhen nga ndonjë ndëshkim prej mazhorancës. Bile disa deputetë të opozitës janë kthyer sot nga informatorët më të sigurtë të mazhorancës, pasi raportojnë në këmbim të mos prekjes prej pushtetit të interesave të tyre financiare. Ato raportojnë se çfarë thuhet e projektohet në selinë blu. Ata padisin për çdo gjë. Nuk kanë asnjë lidhje me atë nerv të dikurshëm të PD-së, e cila hante edhe hekurin me dhembë kur dilte në protestë.
Prishja e ndërtimeve pa leje, sipas vetë Partisë Demokratike ishte selektive dhe me preferenca politike. Por, pavarësisht këtyre qëndrimeve Partia Demokratike u mjaftua me një xhiro nga ndërtimet e prishura në zonën e Shallvareve të deputetit Gerti Bogdani. Pati dhe dy deklarata të bëra nga zëdhënësja e re e Partisë Demokratike, por siç ndodh gjithmonë me të rinjtë, më shumë kanë hallin që të dalin bukur në ekrane, sesa tu qajnë hallin qytetarëve. Me shumë shikonte se si do ta nxirrnin televizonet në mbremje se sa të përçonte shpirtin opozitar të demokratëve që janë të zhgënjyer me mazhorancën e sotme.
Çmimi i energjisë ishte një tjetër argument për reagim publik nga ana e selisë blu. Deri më sot, ka folur disa herë Basha dhe paksa Sherefedin Shehu, por mesazhet kanë qenë kontradiktore. Më shumë është dukur sikur u kanë thënë qytetarëve; “mirë t’u bëhet që votuat Ramën”, sesa kanë dhënë zgjidhje. Të paktën të pranonin se çmimi i energjisë lidhet dhe me keqadministrimin që i kanë bërë sistemit elektroenergjitik në vend edhe demokratët . Në të njëjtin sektor ditët e fundit kanë nisur arrestimet dhe prerjet e energjisë në gjithë vendin. Për PD-në është njëlloj sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Dy vit më parë, për një aksion të ngjashëm që ndërrmoi CEZ-i i drejtuar nga çekët, ish-ministri Flamur Noka deklaroi se do të arrestonte punonjësit që prisnin energjinë dhe ajo ata që vidhnin dritat. Sot, le të dalin të thonë se kanë të njëjtin qëndrim, ose le të pranojnë që dje e kishin gabim e që shumica e vjedhjeve dhe lidhjeve të paligjshme të energjisë ka ndodhur pikërisht në kohën e Partisë Demokratike. Por asnjë nga këto nuk e bëjnë. Gjithë debati i opozitës është mbërthyer në lojën futemi ose nuk futemi në Kuvend. Në të vertetë Lulzim Basha don që të shkojnë në parlament e të përballen, por kanë frikë deputetët se mos hanë dru përsëri. Njëri del e thotë se “duhet”, të nesërmen nxiton e flet tjetri, po nga PD, se “ nuk futemi se duam arbitër!”. Por asnjë nuk thotë që të bllokojmë bulevardet nëse populli qenka zhgënjyer nga Edi Rama, siç bërtasin nga foltorja e selisë blu. Asnjë nuk ka guxim të shkojë në turmë, asnjë nuk flet se duhet të hyjnë në parlament e të përballën me dyshen Rama-Meta mu në sallën e parlamentit. Shumë prej njërëzve kanë filluar të flasin se “ a thua kanë mbushur brekët… këto deputetët e PD-së që nuk guxojnë për të shkuar e të flasin në parlament?!”.
Kjo është një opozitë që “ as të …. e as të lëshon!”.
Qamil Xhani