Pabarazia në konsumin e familjeve, 10% e familjeve kanë buxhet 2.5 herë më të madh se 90%

Një familje mesatare shqiptare në vitin 2016 shpenzoi 73.143 lekë në muaj, por për 90% të familjeve shpenzimi mesatar mujor arrin vetëm në 63.609 lekë.

Për 10 përqindëshin me shpenzimet më të larta, buxheti mujor është 2.5 herë më i lartë, ose 158.946 lekë në muaj.

Për shkak se për këto dy kategori familjesh ka ndryshime të theksuara edhe në madhësinë e njësisë ekonomike familjare, kjo rrjedhimisht sjell diferenca më të theksuara në shpenzimet mesatare për konsum për frymë.

Kjo do të thotë se meqë familjet me shpenzimet më të larta kanë mesatarisht 2.6 anëtarë, buxheti mujor ndahet në më pak individë, se sa në pjesën tjetër të familjeve me mesatarisht 3.9 anëtarë.

Kështu, konsumi mesatar për frymë arrin në 22.563 lekë në muaj, por tek 90% e familjeve shpenzohen vetëm 18.119 lekë për individ. Sa i takon 10% më të pasur, shpenzimi për frymë është 3.5 herë më i lartë, ose 62.562 lekë në muaj.

Pra, shpenzimet për një anëtar të familjes në 10%-shin e familjeve me shpenzime më të larta janë të barabarta me shpenzimet totale të një familjeje tjetër.

Diferenca të theksuara ka edhe në shpenzimet familjare nga njëri qark i vendit në tjetrin.

Tirana kryeson si qarku ku familjet shpenzojnë më tepër, me 85,344 lekë në muaj, ndjekur nga Durrësi, Shkodra dhe Lezha. Këto 4 qarqe janë mbi mesataren e vendit, ndërsa nga ana tjetër e tabelës sa i takon shpenzimeve më të ulëta janë Gjirokastra, Elbasani dhe Vlora.

Por duhet marrë parasysh se familjet në Gjirokastër dhe Vlorë përbëhen mesatarisht nga 3.4 persona, ndërsa në qarqe si Dibra apo Kukësi ato arrijnë deri në 5.2 persona. Kjo do të ngjiste dy të parat më lart në tabelë, ndërsa do të “varfëronte” familjet nga dy qarqet në verilindje të vendit.

/SCAN

SHKARKO APP