Pagat minimale dhe maksimale, ja si ndryshojnë
Qeveria ka vendosur tashmë na parim rritjen e nivelit të pagës minimale në masën 9 për qind. Drafti për rritjen e pagës minimale duhej të kishte marrë OK e qeverisë në mbledhjen e së mërkurës të kësaj jave. Nga burime të Kryeministrisë mësohet se, për arsye teknike, projekt vendimi është shtyrë për javën e ardhshme.
Kështu, paga minimale në shkallë vendi do të jetë 24 mijë lekë, kur VKM të hyjë bë fuqi, nga 22 mijë lekë që është aktualisht. Kjo ka qenë një kërkesë e sindikatave gjatë të paktën dy vjetëve të fundit, gjatë të cilëve nuk është bërë ndryshim në pagën minimale. Duke qenë se paga minimale në administratën shteterore tashmë u rrit me një VKM të posaçëm, duke e rritur atë në nivelin 36 mijë lekë në muaj, ky vendim i ri do të ketë fushë veprimi në sektorin privat të ekonomisë. Pra, ka të bëjë me të punësuarit, por edhe me të vetëpunësuarit.
Kategoritë
Janë mbi 100 mijë shqiptarë të punësuar në biznes në pronësi të të tjerëve, kryesisht punëtorë në fasone, lokale, kafe, hotele. Ndërkohë, mbi 100 mijë të tjerë janë të vetëpunësuar. Natyrisht, shteti nuk mund të caktojë të ardhurat që ata i akordojnë vetes, por llogarit pagën e tyre minimale, si një mjet referimi për sigurime shoqërore e shëndetësore, pensione, etj. Ndërkohë, paga minimale në bujqësi njihet shumë më e vogël: 5.035 lekë.
Ndryshimet
Natyrisht që punonjësit që do të kenë rritje page kanë arsye që të gëzohen, por edhe shteti merr një të ardhur plus për efekt sigurimesh. Kështu, pas ndryshimit, shuma mujore e kontributeve për çdo të punësuar me pagë minimale bëhet 6.696 lekë, nga 6.139 lekë, që ishte më parë. Pra, shteti do të marrë 500 lekë më shumë kontribute për secilin prej tyre.
Por, krahas pagës minimale, ndryshon dhe ajo maksimale. Të dyja këto kategori janë të lidhura me ligj me njera-tjetrën. Kështu, për efekt të llogaritjes së kontributeve, paga maksimale llogaritet pesë herë më e lartë se ajo minimale. Paga maksimale për personat e punësuar bëhet kështu 105.850 lekë, nga 97.030 lekë, që ishte më parë, me një rritje prej 9%, apo 8.820 lekë për çdo person me pagë të tillë. Si rrjedhojë, sigurimet për të punësuarit me pagë maksimale bëhen 29.532 lekë, nga 27.071 lekë, që ishin më parë.
Edhe për të vetëpunësuarit, paga minimale mujore do të njihet jo më pak se 24 mijë lekë dhe, sipas përcaktimit të vetë personit, deri në 105.850 lekë. Të vetëpunësuarit me pagë minimale do të paguajnë tashmë 7.152 lekë kontribute për sigurimet, nga 6.491, që paguanin më parë. Sigurimet shëndetësore për të vetëpunësuarit llogariten mbi dyfishin e pagës minimale prej 48 mijë lekësh (3.4% e 48 mijë lekë), i barabartë me 1.632 lekë.
Për invalidët, që marrin pension invaliditeti të pjesshëm, paga minimale mund të jetë deri në 50% më e ulët se paga minimale zyrtare. Kurse të vetëpunësuarit si shitës ambulantë duhet të deklarojnë kontribut minimal mujor prej 5.120 lekësh, nga të cilat 3.488 për sigurimin shoqëror dhe 1.632 për kujdesin shëndetësor.
Privatët
Duke qenë se paga minimale në administratën shteterore tashmë u rrit me një vendim të posaçëm të mëparshëm Këshillit të Ministrave, që ka hyrë në fuqi, duke e rritur atë në nivelin 36 mijë lekë në muaj, ky vendim i ri do të ketë fushë veprimi në sektorin privat të ekonomisë
Raportet
Por, krahas pagës minimale, ndryshon dhe ajo maksimale. Të dyja këto kategori janë të lidhura me ligj me njera-tjetrën, me diferencën 5 herë.