Pagesa me këste e borxheve të energjisë, ja si do shlyhen nga familjarët

Duke shqyrtuar me kujdes këtë propozim, duke marrë në konsideratë nivelin e të ardhurave mesatare të familjeve shqiptare dhe gjendjen e tyre sociale, Këshilli vendosi sa më poshtë:

– Të gjithë konsumatorëve familjarë, të cilët rezultojnë debitorë për detyrimet e energjisë (principal dhe kamatë vonesë), u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të këtij detyrimi.

– Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, Shoqëria nuk do të llogarisë më kamatë vonesa për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit.

– Shoqëria do të marrë masa që të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve kontraktore të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse që i korrespondon një pjese të detyrimit të prapambetur. Vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria, por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 2,500 lekë në muaj.

– Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike, vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 1.000 lekë në muaj.

– Për konsumatorët familjarë, që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike, të cilët  bien dakord të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin e prapambetur (principal +kamatë vonesë), Shoqëria OSHEE sh.a do të aplikojë një zbritje të vlerës së detyrimit të kamatë vonesave në nivelin prej 80%. Ky kriter do të aplikohet edhe në rastet kur detyrimi i prapambetur përfaqësohet vetëm nga kamatëvonesa. Kjo mundësi pagese do të jetë e vlefshme deri në datën 1 Mars 2015.

– Kushtet e mësipërme nuk do të aplikohen nëse konsumatorët familjarë, nuk respektojnë detyrimet sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shoqërinë OSHEE sh.a. Në këtë rast, ndaj këtyre konsumatorëve do të aplikohen detyrimet e parashikuara në kontratën e furnizimit, përfshirë edhe përllogaritjen e kamatë vonesës.

– Ky vendim hyn në fuqi në datën 01.12.2014.

SHKARKO APP