Paketa e Maleve, kryebashkiaku Benet Beci nga Thethi: Nis së shpejti projekti i rrugës së Dukagjinit
Në Theth u zhvillua një bashkëbisedim me banorët mbi zbatimin e Paketës së Maleve, ku kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci thotë se takimi dëshmoi angazhimin e qeverisë për zhvillimin e Thethit dhe të gjithë zonës së Alpeve Shqiptare, duke vënë theksin te mbështetja për komunitetet lokale dhe nxitja e investimeve.
Një nga njoftimet kryesore të bëra gjatë takimit është se brenda pak ditësh, nisin punimet për rrugën e Dukagjinit.
Ky projekt do të lidhë luginën e Shalës me Tropojën përmes Qafës së Ndërmajës, një investim që synon të përmirësojë infrastrukturën, të lehtësojë lëvizjen dhe të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
Postimi i plotë
Bashkëbisedimi me banorët e Thethit, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, për Paketën e Maleve, ishte një dëshmi e angazhimit të Qeverisë Shqiptare dhe e vëmendjes së veçantë të Kryeministrit për zhvillimin e kësaj zone me potencial të jashtëzakonshëm.
Takimi me banorët shërbeu për të sqaruar çdo pyetje dhe për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre, në frymën e një dialogu të hapur dhe bashkëpunimi.
Një tjetër lajm i rëndësishëm për zonën e Dukagjinit ishte njoftimi i Kryeministrit për nisjen, brenda pak ditësh, të punimeve në rrugën e Dukagjinit që do të lidhë Shalën me Tropojën përmes Qafës së Ndërmajës.
Ky investim strategjik do të përmirësojë ndërlidhjen, do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turistik, duke forcuar lidhjet në të gjithë kurorën e Alpeve Shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

