Paketa e Maleve nis zbatimin, ministri Demo: 200 aplikime të miratuara nga bashkitë

“Paketa e Maleve” po hyn në një fazë të re, nga aplikimet drejt investimeve konkrete në territor. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo thotë se mekanizmi ka nisur të prodhojë rezultatet e para, ndërsa qytetarët dhe diaspora po e shohin atë si një mundësi për të investuar në vendlindje dhe në tokat e të parëve.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Demo, deri tani 52 bashki kanë miratuar mbi 460 zona prioritare, ndërsa në platformën e Paketës së Maleve janë regjistruar rreth 1 900 aplikime. Nga këto, rreth 200 aplikime janë miratuar nga këshillat bashkiakë, ndërsa kanë nisur të shfaqen edhe rezultatet e para konkrete, përfshirë lejet e para të zhvillimit që i hapin rrugë investimeve.

“Procesi po kalon nga interesi, tek aplikimi dhe tashmë tek investimi real në territor”, u shpreh Demo. Ministri e cilësoi Paketën e Maleve si një instrument të ri në dispozicion të bashkive për nxitjen e zhvillimit ekonomik rural. Sipas tij, nisma synon veçanërisht të krijojë mundësi për qytetarët që duan të investojnë në zonat e tyre të origjinës, por janë përballur prej vitesh me problematika të lidhura me pronësinë dhe përdorimin e tokës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Demo theksoi se mekanizmi nuk prek pronën private, pasi zbatohet mbi pasuri shtetërore. Ai tha se çdo procedurë shoqërohet me verifikime dhe me një periudhë prej 45 ditësh afishim publik, gjatë së cilës pretendimet e dokumentuara për pronësinë duhet të trajtohen përpara vijimit të procedurës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Qeveria e sheh këtë paketë si një mënyrë për të kthyer pasuritë e pashfrytëzuara në burime për investime, punësim dhe zhvillim ekonomik lokal. Sipas ministrit Demo, rezultatet e para tregojnë se nisma po kalon tashmë nga faza e interesit dhe aplikimeve në atë të projekteve konkrete në terren.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?