Panama Papers, na thoni një gjë që s’e dimë…

Nga Alfred Lela/ Një shtjellë informacioni me emra, shifra e detaje të tjera, që media e pagëzoi si Panama Papers u ndal edhe në Shqipëri. Vazhdon ende një qëmtim i ethshëm që lidhet me kureshtjen për të errëtën dhe dëshirën për të ditur: Nga gazeta në gazetë, nga sajti në sajt, nga lajmi në lajm.

Pluskimi në sipërfaqe i kësaj tonelate me para të vjedhura dhe më pas të fshehura, me pasuri të grumbulluara kundërligjshëm nga personazhe të botës së politikës, dhe ndoca të sportit, ka provuar edhe njëherë se informacioni është bërë më i pakontrollueshëm. Informacioni nuk komandohet më: Ai rrjedh, del, sundon.

Por, ndoshta edhe këtë e kemi ditur e kësisoj jam duke rënë në përsëritje.

Përsëritje është edhe ajo që kemi mësuar nga informacionet e errëta që na mbërrijnë nga ‘parajsat fiskale’, siç quhen në një zhargon të botës së financës. ‘Asgjë e re nga fronit i Perëndimit’, po të kujtojmë një roman të Remarkut për Luftën e Parë Botërore, i cili ilustron edhe opusin e ri të luftës së re hapësinore, asaj kibernetike.

Nuk kemi mësuar asgjë të re nga Panama Papers. Dhe ja pse.

Po të ulesh poshtë e të ngjitesh lart listës me emra vendesh dhe politikanësh, gjen aty pjellorinë e Botës së Tretë, dhe të ndonjë vendi që është mes të parës, së dytës dhe të tretës. Ose regjimesh të mbyllura despotike që janë botë më vete. Argjentina, Rusia, Ukraina, Siria, Iraku, Jordania, Katari, Gjeorgjia, Arabia Saudite, Sudani, Emiratet e Bashkuara Arabe, vizatojnë një hartë, ngjyrat politike të së cilës lajmërojnë ose monarki absolutiste ose demokraci hibride ose regjime totalitare. I vetmi përjashtim është Islanda, kryeministri i së cilës, si për të përforcuar rregullin, pas një mohimi në të nxehtë të implikimit të tij, dha dorëheqjen.

Demokracia në vendet demokratike funksionon. Për arsyen e thjeshtë se funksionon llogaridhënia, se funksionon opinioni publik, media e lirë e të tjera ente që janë pjesë e fabrikës sociale, politike, kulturore e antropologjike të një vendi. Nëse doni anën tjetër të monedhës, një regjim autokratik si Rusia për shembull, merrni qëndrimin e presidentit Vladimir Putin, i cili i bëri leximin që çdo bolshevik do i bënte Panama Papers: Një konspiracion amerikan kundër Rusisë. Ose, qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara. Pak a shumë.

Që të kthehemi në shtëpinë tonë për të parë ku na pikon çatia. Politikisht, Shqipëria është një regjim hibrid: Formalisht demokratik, por jo aq sa institucionet të funksionojnë paralelisht e pavarësisht njëra-tjetrës. Sistemi i drejtësisë komandohet nga politika. Prokurori i Përgjithshëm na shërben limonatën e një bufonate çdo shtator, a diçka e tillë. Të paktën tri herë që nga fillimi i mandatit, z. Llalla është shprehur publikisht për një aksion të madh që do të vijë dhe për ‘tronditje’ të sistemit.

Nuk ka ende asnjë shenjë të asnjë tërmeti. E vetmja gjë tronditëse është lehtësia me të cilën zyrtarët e lartë, në drejtësi por jo vetëm aty, konsumojnë në sy të publikut, mandatet e tyre. Gjithaq tronditës është edhe dëshirimi i tyre që këto mandate të përsëriten. Ndoshta kjo shpjegon edhe mefshtësinë e tyre. Asgjënë që shtrihet përgjatë mandatit të tyre nën hijen e Republikës. Sepse ata nuk janë aty për t’i shërbyer republikës, por pushteteve dhe karriges së tyre.

Për këtë, ndër të tjera, jemi një regjim hibrid.

Kështu që emri Ismail Mulleti nuk do të thotë asgjë. Edhe sikur Panamaja e largët të na postonte emrat e Mulletëve më të lartë që e kanë fryrë mullën me para publike, nuk do të ndryshonte gjë. Bolshevikët do ta përgënjeshtronin me një teori konspiracioni në fillim, më pas me përligjien ‘luftë politike’, dhe në fund me vrasje karakteriale të kundërshtarëve të vërtetë apo hipotetikë.

Sa herë e kemi parë.

MAPO

SHKARKO APP