Panariti: Masa për të frenuar çmimet abuzive gjatë festave
“Spekulantët do ta kenë shumë të vështirë këtë vit. Javën që vjen bashkë me drejtoreshën e Tatimeve nuk do na shikoni në zyrë, por në tregje dhe supermarkete. Ne jemi të vendosur për ta penguar këtë fenomen dhe Drejtoria e Tatimeve natyrisht që i ka të gjitha instrumentet ligjore e fiskale për të larguar nga biznesi ata operatorë që në shumicën e rasteve janë edhe informalë dhe operojnë jashtë kërkesës dhe ofertës”. Një deklaratë të tillë, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti e ka bërë në kuadrin e një takimi që së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj ka zhvilluar me përfaqësues të biznesit të produkteve ushqimore vendase. Takim ky ku kanë diskutuar mbi marrjen e masave për të frenuar rritjen e çmimeve në prag të festave të fundvitit. E pikërisht, rreth një fakti të tillë, ministri Panariti tha se ka kërkuar nga përfaqësuesit e biznesve që të jenë sa më miqësorë me konsumatorin duke aplikuar çmime të favorshme. Duke shtuar se në bashkëpunim me Drejtoreshën e Tatimeve ka një vendosmëri të madhe për të mos lejuar në asnjë rrethanë aplikimin e çmimeve abuzive dhe spekuluese. “Unë vetë do të promovoj zgjerimin e ofertës me çmime të reduktuara. Padyshim se apeli ynë ishte i qartë, ne u kërkuam këtyre bizneseve përballë festave të fundvitit , që të jenë sa më miqësore me konsumatorin, në rradhë të parë duke aplikuar çmime të favorshme, siç ndodh në të gjithë botën, kur në fund të vitit bizneset aplikojnë çmime promocionale më të ulëta për pritshmëritë e konsumatorit”, tha mes të tjerash kreu i bujqësisë shqiptare. Për të përfunduar me faktin se kjo i shërben një klime të favorshme bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, gjë që e konsolidon këtë lidhje. “Kjo është edhe një promocion që biznesi i bën vetes së tij duke aplikuar çmime të favorshme. Unë u dhashë garanci bizneseve që këtë shembull pozitiviteti që do të bëjnë në fund të vitit, ne do ta inkurajojmë dhe do ta masivizojmë. Me drejtoreshën e Tatimeve ne dhamë edhe një mesazh të qartë, shitësit e niveleve të dyta dhe të treta , të ashtuquajturit shitësit me pakicë, nuk do të lejohen në asnjë lloj rrethane, të aplikojnë çmime abuzive dhe spekuluese. Ne jemi të vendosur për ta penguar këtë fenomen dhe Drejtoria e Tatimeve natyrisht ka të gjitha instrumentet ligjore, fiskale për të larguar nga biznesi, ata operatorë që në shumicën e rasteve janë edhe informalë dhe operojnë jashtë kërkesës dhe ofertës”, përfundoi Panariti.