Papa Leoni XIV mesazh Kardinal Simonit: Asnjë burg nuk mund ta ndajë njeriun nga dashuria e Zotit
Leoni XIV i dërgoi një mesazh kardinalit nëntëdhjetë e shtatë vjeçar i cili dje, e premte 31 korrik, kryesoi eukaristinë në kampin e të burgosurve të Spaçit, në Shqipëri, për kujtim të atyre që vuajtën a e humbën jetën atje. Gjatë regjimit komunist, kardinali Simoni e vuajti pjesën më të madhe të dënimit të tij me 18 vjet punë të detyruar, duke e kremtuar Meshën në mënyrë klandestine
“Asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa për të burgosur ndërgjegjen e ndriçuar nga Ungjilli, e asnjë natë nuk është aq e gjatë, sa për të penguar agimin që Zoti përgatit për bijtë e Tij, e asnjë burg nuk është aq i thellë, sa ta ndajë njeriun nga dashuria e Zotit”.
Kardinali Ernest Simoni
Kështu e kujton Leoni XIV letrën e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve (8:35-39) në një mesazh dërguar Kardinalit shqiptar Ernest Simonit dhe të gjithë atyre që morën pjesë në kremtimin eukaristik të kryesuar nga kardinali dje në mëngjes, të premten, më 31 korrik, në ish-kampin e të burgosurve të Spaçit, në kujtim të atyre që vuajtën atje, a humbën jetën.
Në Spaç, shumëkush mbarti kryqin e padrejtësisë
“Ai vend, i ngulitur në kujtesën e popullit” të Shqipërisë, “mbetet një nga faqet më të dhimbshme në historinë e tij. Spaçi ishte vend ku shumë veta mbajtën kryqin e rëndë të padrejtësisë”, i shkruan Papa kardinalit në tekstin e lexuar në fund të Meshës. Papa, më pas, kujton se si “gjaku i atyre që vuajtën dhe vdiqën në ato male” “e vaditi atë tokë, duke e bërë dëshmi të heshtur besnikërie, guximi, shprese”.
Fytyra e persekutimit nga regjimi komunist
Simoni, nëntëdhjetë e shtatë vjeç, u kthye në kamp ku kaloi pjesën më të madhe të 18 viteve të burgimit “për të kremtuar Flijimin e Krishtit që e shndërroi Kryqin nga shenjë vdekjeje – në premtim jete”, shkruan në vijim Papa. Kardinali shqiptar e jetoi me të vërtetë fytyrën e persekutimit nga ana e regjimit komunist, që e kishte dënuar me vdekje si armik të popullit, dënim që më vonë u ndryshua në burgim ndër kampe të ndryshme përqendrimi dhe punë të detyruar.
“Rrezikova jetën sa herë që kremtoja Meshën”
“Gjatë burgimit, duke rrezikuar përherë jetën time, kremtova Meshën në latinisht përmendësh, ashtu siç dëgjoja rrëfimet dhe shpërndaja kungimin fshehurazi”, tregoi Kardinali, i cili gatuante brumin e miellit në soba të improvizuara dhe përdorte rrush të shtrydhur. “Nëse do të më kishin gjetur, do të më kishin varur menjëherë”, shtoi ai. Gjatë Meshës së djeshme, u tregoi të pranishmëve kaskën që mbante si prift i ri, kur zbriste në minierë.
Kardinali Simoni me Ipeshkvin e Rrëshenit Gjergj Meta (kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë), gjatë kremtimit, duke treguar kaskën që mbante kur zbriste në minierë
Lutja e Papës për të vdekurit e varrosur në vende të panjohura
E kush e di, komenton Leoni XIV në mesazhin e tij, duke kujtuar ngjarjet e kohës, “sa lutje u naltuan në Parajsë nga ai vend! Sa lutje u pëshpëritën në zemër! Sa fytyra, të dërmuara nga mundi dhe privimi, ia besuan Zotit shpresën e tyre të fundit!”.
Për secilën prej atyre fytyrave, shpesh të varrosura në vende anonime, ku askush nuk mund t’i vajtonte ose të vendoste një lule, Papa u bashkua në lutje, në mënyrë që “kujtimi i tyre të mbetet i gjallë dhe të jetë për brezat e rinj kujtesë e vazhdueshme e dinjitetit të paprekshëm të personit njerëzor, vlerës së lirisë dhe angazhimit për paqen”.
Vatican News
KOHA JONË SONDAZH

