Papa nga Sheshi i Shën Pjetrit u bën thirrje të pushtetshmëve të botës: Kini guximin e çarmatimit
Leoni XIV kryeson lutjen e Rruzares për paqen në Sheshin e Shën Pjetrit dhe rikonfirmon se asnjë ideologji, besim apo politikë nuk mund të justifikojë eliminimin e të afërmit. Duhet parë bota me “sytë e të vegjëlve”, thotë Ati i Shenjtë, dhe u kërkon atyre që kanë përgjegjësi në botë të ndërtojnë “kushtet për një të ardhme paqeje”: “Jini të butë dhe të vendosur. Mos u dorëzoheni! Zoti ecën me ju”.
“Shtjere shpatën në mill!”. Fjalët e Krishtit drejtuar Pjetrit në Kopshtin e Ullinjve, Papa, i cili është zëvendës i Krishtit dhe pasardhës i Pjetrit, ua drejton “fuqive të botës, atyre që udhëheqin fatet e popujve”
“Keni guximin e çarmatimit!”
Paqja, në fakt, buron nga bashkimi, dhe jo nga parandalimi. Nga dialogu, dhe jo nga ultimatumi. Është një guxim, ai i heqjes dorë nga armët – çarmatimi, pikërisht – që kërkohet më shumë se kurrë nga fuqitë e sotme. Sepse “për asnjë ide, apo fe, apo politikë ne nuk mund të vrasim”, thotë Papa Leoni XIV në predikimin e tij gjatë lutjes së Rruzares për paqen kryesuar këtë mbrëmje, më 11 tetor, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.
Për të mbikëqyrur Papën dhe mijëra besimtarë të mbledhur në lutje nën një qiell fillimisht të kthjellët dhe gradualisht gjithnjë e më të errët, është statuja origjinale e Zojës së Fatimes, e sjellë në Romë me rastin e Jubileut të Spiritualitetit Marian.
Një zemër “copëz kozmosi mikpritës”
Nga tubimet e “Kishës së parë” deri te ato dy mijë vjet më vonë, prania e Virgjrës Mari është konstante. Po aq pa u lodhur, pra, Leoni XIV nxit të mos ndalemi së luturi për paqen, “dhuratë e Zotit që duhet të bëhet arritja dhe angazhimi ynë”. Ashtu si Maria, nëna e Jezusit, me fjalët e Shën Gjon Palit II, Papa Prevost fton secilin të bëhet “tendë e përvuajtur e Fjalës së Zotit, e lëvizur vetëm nga era e Shpirtit”: të pajisur me një zemër që dëgjon, që shndërrohet në “copëz kozmosi mikpritës”.
Përmes saj, gruas së pikëlluar, të fortë, besnike, kërkojmë të na kemi dhuratën e dhembshurisë ndaj çdo vëllai dhe motre që vuan dhe për të gjitha krijesat.
Grua që do, nënë që qan
Papa nuk i referohet vetëm Virgjrës Mari, por të gjithë grupit të grave, “të vogël” por të guximshëm, që qëndronin nën Kryq të Krishtit. Sot, Jezusi është “ende i kryqëzuar te vëllezërit e tij”, dhe secili është i thirrur t’i sjellë ngushëllim, bashkësi dhe ndihmë. Me fjalët, të cituara nga Papa, të meshtarit italian, David Maria Turoldo:
Nënë, ti je çdo grua që do; nënë, ti je çdo nënë që qan njëbirë të vrarë, një djalë të tradhtuar. Këta bijë nuk ndalojnë kurrë së vrari
“Gjithçka që t’ju thotë, bëjeni”
Për të ndriçuar vigjiljen e lutjes për Jubileun e spiritualitetit marian nuk janë vetëm dritat e mbrëmjes romake, por dritë “e butë dhe këmbëngulëse” që buron nga fjalët e Marisë, në Ungjijtë. Midis të gjithave, Papa kujton fjalët që Maria u tha shërbëtorëve në dasmën e Kanës: “Gjithçka që t’ju thotë, bëjeni”. Një “testament” që duhet të jetë “shumë i dashur” për fëmijët.
Ajo është e sigurt se Biri do të flasë, Fjala e tij nuk ka mbaruar, ajo ende krijon, gjeneron, vepron, mbush botën me pranvera dhe enët e festës me verë. Maria, si një sinjal tregues, orienton përtej vetes, tregon se pika e mbërritjes është Zoti Jezus dhe Fjala e tij, qendra drejt së cilës gjithçka konvergjon, boshti rreth të cilit rrotullohen koha dhe amshimi.
“Gjest dhe trup, mundim dhe buzëqeshje”
Rekomandimi amnor është pra të mishërohet Ungjilli, duke e bërë atë “gjeste dhe trup, gjak dhe mish, mundim dhe buzëqeshje”. Ajo që do të mbetet është pikërisht kjo e fundit: një jetë që nga e zbrazët bëhet e plotë. Nga e fikur, e ndezur.
Gjithçka që t’ju thotë, bëjeni: gjithë Ungjillin, fjalën kërkuese, përkëdheljen ngushëlluese, qortimin dhe përqafimin. Atë që kupton dhe atë që nuk kupton. Maria na nxit të jemi si profetët: të mos lëmë të shkojë bosh asnjë nga fjalët e tij.
“Shtjere shpatën në mill!”
“Shtjere shpatën në mill!. Ja Fjala e Jezusit që nuk duhet “lënë të bjerë” sot, drejtuar Pjetrit apostull. “Çarmatose dorën dhe para saj zemrën”: rikonfirmimi i “paqes së çarmatosur dhe çarmatosëse” aq shumë të dëshiruar.
Paqja është e çarmatosur dhe çarmatosëse. Nuk është parandalim, por vëllazëri, nuk është ultimatum, por dialog. Nuk do të vijë si fryt i fitoreve mbi armikun, por si rezultat i mbjelljeve të drejtësisë dhe faljes së guximshme.
Ky urdhër, në radhë të parë, u drejtohet “të fuqishmëve të botës”, të cilëve Papa Leoni XIV u drejton një nxitje tjetër: “kini guximin e çarmatimit!”. Por ftesa shtrihet te secili, me vetëdijen se nuk mund të eliminohet kurrë një vëlla apo motër në emër të një ideje, një feje, një politike.
“Nëse nuk ka paqe në ne, nuk do të japim paqe”
“Por ju mos bëni kështu”
“Por ju mos bëni kështu”. Një tjetër Fjalë e Jezusit kumbon. Një paralajmërim kundër “të mëdhenjve të botës”, që ndërtojnë “perandori me pushtet dhe para”. Zoti nuk vepron kështu: nuk ulet në frone, por gjunjëzohet te këmbët e secilit, i rrethuar vetëm me një peshqir, i shtrënguar në atë “pak hapësirë që mjafton për të larë këmbët e miqve të tij dhe për t’u kujdesur për ta”.
Sy të rinj
Është e nevojshme, pra, një ndryshim i shikimit: të soditet bota “nga poshtë”, sy më sy me ata që vuajnë, me të vegjlit. Me vejushën, jetimin, të huajin, fëmijën e plagosur, të mërguarin, të arratisurin. Dhe akoma, me ata që pësojnë përmbytje. Me Lazrin e varfër, dhe jo me pasanikun – siç tregohet në Ungjillin e Lukës. Edhe këtu, ylli polar është Maria, dhe kënga e saj e Madhërimit, në të cilën ajo thekson “pikat e thyerjes” së njerëzores, ku ndodh “shtrembërimi i botës”. Ku takohen të përulurit dhe të fuqishmit, të varfrit dhe të pasurit, të ngopurit dhe të uriturit.
Dhe zgjedh të vegjlit, qëndron në anën e të fundmëve të historisë, për të na mësuar të imagjinojmë, të ëndërrojmë së bashku me të qiej të rinj dhe tokë të re.
“Lum ju, paqebërës”
“Lum ju, paqebërës”. Fjala e fundit e Jezusit e marrë në shqyrtim fton të soditet dhurata që Zoti u bën atyre që “fitores mbi armikun, i preferojnë paqen me të”. Leoni XIV u drejtohet atyre që sot janë thirrur të ndërtojnë paqen e pajtimin: i fton të jenë “të butë dhe të vendosur”, të mos i lënë “të bien krahët”. Me sigurinë se, gjatë rrugës, Zoti nuk braktis, por “krijon dhe përhap” paqe përmes “miqve të tij të paqësuar në zemër”. Papa e përfundon fjalimin e tij me një lutje drejtuar pikërisht Marisë, “gruas së paqësuar thellësisht”, që, duke hequr dorë nga “egoizmi i errët”, secili të mund të “ndjekë Krishtin, dritën e vërtetë të njeriut”.
R.SH. – Vatikan
KOHA JONË SONDAZH

