Papa po gabuaka?

Nga Shtjefën Dodes S.J.

A po gabuaka Papa?!? Të bësh pyetje mundesh gjithmonë. Por jo çdo pyetje merr përgjigjen që (ndoshta) e pret. Kohë më parë, gjatë kthimit për në Vatikan nga vizita që i kishte bërë Amerikës së Jugut Papa Françesku ishte pyetur nga një gazetar se pse nuk kishte folur më shpesh për klasën e mesme (në krahasim me fjalimet e tij të shpeshta për ekseset e të pasurve dhe të drejtat e të varfërve). Përgjigja e tij ishte e kundërta e asaj që shumë presin nga një zyrtar publik, që është, mbrojtja, mohimi ose distancimi. Në vend të kësaj, ai kishte thënë: “Është gabimi im. Ju faleminderit shumë. Ky është një korrigjim i mirë, faleminderit. Keni të drejtë. Është një gabim i imi që nuk paskam menduar për këtë. Unë do t`i bëj disa komente, por jo për të justifikuar veten. Ju keni të drejtë. Unë duhet të mendoj pak.” Përgjigjja e Papës e nxiti jezuitin At James Martin SJ për të reflektuar më thellë dhe për të hedhur më shumë dritë në mënyrën e veprimit të Papës. Sipas tij Papa është shembull i gjallë i “ungjillëzimit të ri”.

Jetojmë në një botë ku shumë lehtë flitet – edhe në mënyrë publike – për fajet e të tjerëve. E marrim si të mirëqenë që tjetri ta pranojë fajin e vet. Por kur vjen puna të flasësh për fajet e tua personale, kjo është shumë e vështirë. Atëherë ose mbrohemi, arsyetohemi ose e mohojmë se jemi fajtorë… Është bërë tabu që mos të pranohet faji vetjak, ose gjithmonë të flitet për gabimet e të tjerëve. Kështu nuk jemi mësuar që një zyrtar publik ta pranojë se ai ose ajo ka gabuar. E pra, nuk është hera e parë që Papa Françesku e bën pikërisht këtë. Në një intervistë amerikane në në vitin 2013 menjëherë pas zgjedhjes së tij, ai me keqardhj ee kujtonte kohën e tij si provincial jezuit, ose superior rajonal, i Argjentinës, dhe foli gjerë e gjatë për gabimete tij. “Stili im i qeverisjes prej jezuiti në fillim kishte shumë gabime…Mënyra ime autoritare dhe e shpejtë për të marrë vendim emë bëri që të kem probleme serioze.”

Për një të krishterë është e domosdoshme ta pranojë se ai ose ajo ka gabuar. Ka shumë arsye, përse duhet bërë këtë. Mëkatet në njëfarë mënyre janë gabime. Teologjia katolike thekson nevojën për të rrëfyer mëkatet, gabimet me ndershmëri, të kërkohet falje dhe të bëhet pendesë.

Ne duhet ta pranojmë shkeljen që i përfshin të dyja nivelet: atë individual dhe shoqëror. Kjo e fundit u tregua në Amerikën e Jugut, kur Papa kërkoi falje për “mëkatet e rënda” dhe krimet që kisha i kishte kryer kundër popujve vendas gjatë periudhës koloniale.

Së dyti, duke pranuar gabimet është një kujtim i dobishëm se ne nuk jemi të përsosur. Veçanërisht për ata që kanë role udhëheqëse, te të cilët të tjerët shpesh mbështeten, kërkojnë udhëzim, të cilët i admirojnë, madje i adhurojnë, tundimi për madhështinë mund të jetë i madh. Aq më tepër kur njerëzit e thërrasin Papën “Shenjtëria Juaj”.

Sipas At James-it, duke pranuar se ke gabuar është një mënyrë e shëndetshme për të përqafuar përvujtërinë dhe i reziston tendencës së madhështisë apo mendjemadhësisë, madje tundimit të mesianizmit (të shpallesh vetë shpëtimtari i botës). Mendjemadhësia dhe mesianizmi të thonë: së pari, ti nuk ke nevojë për Zot dhe, së dyti, ti je Zoti.

Së treti, duke pranuar gabimin ti e pranon se mund t`i bësh gjërat më mirë, gjë që ka kuptim praktik. Të dëgjuarit e kritikave, me një mendje të hapur, siç e tregoi Papa, duke ndryshuar kursin dhe duke i ridrejtuar gjërat është një strategji e mirë e menaxhimit. Kjo ndihmon për të parandaluar (edhe organizatën tuaj) mediokritetin dhe verbërinë. E kundërta është të mohosh se ke nevojë për kritikë, duke u shtangur kështu në gjykime dhe mungesë raporti.

Në pyetjen se ku e gjen Papa gatishmërinë për të pranuar se ai ka nevojë për të ndryshuar kurs, At James-i arsyen e gjen kryesisht te sfondi i tij jezuit. Shën Injac Loyola, themeluesi i Jezuitëve, herë pas here është përshkruar si “Shenjti mbrojtës i planit B.” Nëse ju dini diçka në lidhje me jetën e tij, do të shihni një sërë pranimesh të gabimeve që i kishte bërë, duke i ri-menduar përbrenda planet e veta dhe duke i ri-vlerësuar qëllimet e veta. Dhe ai veproi kështu në masë të madhe pa ndjenjën se ai (a) kishte dështuar ose (b) kishte dështuar për të dalluar vullnetin e Zotit.

Për të përmendur vetëm disa shembuj: në fillim Shën Injaci kishte menduar të bëhej i famshëm – i pëlqente lavdia e kotë. Gjithçka dukej e qartë, derisa nuk u plagos në një betejë dhe iu desh të qëndronte në shtrat për t`u shëruar. Çka tash? E po, mirë: Plani B – edhe pse ende nuk e dinte çka do të mund të ishte ai.

Gjatë rikuperimit po lexonte jetën e shenjtërve dhe jetën e Krishtit. Filloi të mendonte: përse nuk do të mund të bëja edhe unë si ata?! E ndjeu një frymë të re. Filloi të ndryshonte. Kjo e çoi atë të heqë dorë nga ëndrrat e tij për të qenë një kalorës i famshëm, dhe vendosi të bënte pendesë – të shkojë në një shpellë të vogël në Manrezë. Këtu ai i nënshtrohet një serë përvojash mistike që e bindën atë për rrugën e tij të drejtë.

Në Manrezë Injaci vendos që mënyra më e mirë për të arritur Zotin është të jetosh një jetë të rreptë asketike. Por filloi të ndjente veten shumë keq për shkak të ushqimit të dobët dhe lënies pas dore të vetvetes. Në fund, ai e kupton se kjo kishte qenë gabim: ai po e dëmtonte shëndetin e vet. Pra, një tjetër ndryshim. Plani B ishte për t’u kujdesur për shëndetin e vet. Dhe ky mësim do të ketë implikime në Shoqërinë: ai më vonë vendosi dispozita nëKonstitucionet jezuite që jezuitët të kujdesen për shëndetin e tyre.

Plani B e mësoi atë diçka. Shën Injaci me kalimin e kohës nuk kishte frikë nga ndryshimi. As nuk frikësohej t`i bënte gjërat ndryshe se që i kishte bërë më parë.

Më vonë në jetën e tij, ndoshta shembulli më i spikatur i ndryshimit të kursit të tij qe kur Injaci zgjedh për të shtegtuar në Tokën e Shenjtë. Pas një sërë aventurash pikëlluese, ai arrin në Tokën e Shenjtë – por duke e marrë vërejtjen nga kujdestarët françeskanë se kjo për të ishte shumë e rrezikshme, dhe atij i duhej ta lëshonte atë vend. Ai thotë se do të largohej vetëm në qoftë se ata i urdhërojnë dhe ia bëjnë me dije mëkatin e mosbindjes. Ata bënë ashtu. Plani B ishte që të kthehet në shtëpi.

Për pjesën tjetër të jetës së tij, Injaci vazhdimisht do t`i rivlerësojë gjërat dhe i kthehet planit B. Pasi e mbledh një grup njerëzish rreth vetes në Universitetin e Parisit, grupin që bëhet thelbi i Shoqërisë së Jezusit, vendosin të shkojnë në Tokën e Shenjtë (për Injacin ishte hera e dytë). Por kjo nuk funksionoi përsëri, kështu që, përsëri Plani B. Ata do të paraqiten te Papa, i cili do t`u thoshte atyre se ku donte që ata të shkonin. Së fundi, Injaci dëshironte të jetë thjesht një ndër anëtarët e Shoqërisë si gjithë të tjerët, dhe të shkojë ku të ishte e nevojshme. Por, ja ku e kemi planin B: ai u zgjodh epror i përgjithshëm (gjeneral), iu desh ta udhëhiqte urdhrin, dhe të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në Romë.

Pra, duke thënë “Unë e kam gabim” dhe duke qenë i hapur për një mënyrë të re veprimi nuk është e habitshme për jezuitët, thotë At James. Sepse ne nuk do të ishim këtu po të mos kishin qenë këto ndryshime në jetën e Shën Injacit të Lojolës. Ai ndoshta do të kishte qenë dikush i cili do të kishte vepruar pa rënë në sy ​​në Tokën e Shenjtë, dhe ndoshta nuk do ta kishte themeluar një urdhër rregulltar.

At James përfundon: Dhe ne nuk do ta kishim këtë Papë që e kemi tani.

Pelegrinus.al

SHKARKO APP