Paratë e “pista”, Banka e Shqipërisë forcon rregulloren

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Rregullorja e re synon një kontroll më rigoroz të transaksioneve të klientëve, për të sinjalizuar veprime financiare që mund të kenë burim apo qëllim të dyshimtë.

Rregullorja e re përcakton se bankat dhe institucionet e tjera financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë duhet të verifikojnë në çdo rast që klientët e tyre nuk bëjnë pjesë në listën e përditësuar të personave të shpallur si financues të terrorizmit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Institucionet financiare duhet të njoftojnë menjëherë Bankën e Shqipërisë në rastet kur personat e shpallur kanë të drejta dhe interesa në fonde dhe pasuri të tjera.

Gjithashtu, bankat duhet të kryejnë monitorim dhe analiza të transaksioneve të klientëve, për t’u siguruar se ato janë në përputhje me natyrën e aktivitetit të klientit dhe për burimin e fondeve.

Subjektet financiare përcaktojnë në procedurat e tyre të brendshme, frekuencën e monitorimit të vazhdueshëm, në përputhje me profilin e rrezikut të klientëve, raporton Scan.

Subjektet kryejnë vlerësimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, bazuar në vlerësimin e rrezikut të vendit ku vepron klienti, në kategoritë e klientëve dhe të transaksioneve të kryera.

Ndryshimet në rregullore synojnë ta bëjnë më të vështirë transferimin e fondeve me origjinë të dyshimtë në sistemin financiar shqiptar.

SHKARKO APP