Parlamenti i ri ka tre studentë ende të padiplomuar

Parlamenti i ri ka tre studentë ende të padiplomuar, si dhe një deputet që ka deklaruar se nuk ka arsim të lartë. Të tjerët kanë deklaruar diplomim të rregullt në një ose më shumë fusha studimi.

Konkretisht, referuar të dhënave të evidentuara nga Instituti i Studimeve Politike në projektin monitorues, rezulton se parlamenti i ri përbëhet në shumicë nga juristët (36) dhe ekonomistët / financiarët (31).

Disa deputetë kanë më tepër sesa një fakultet, dhe pothuajse të gjitha fakultetet e dyta janë juridik, kryesisht në universitete private ose në universitetet e qyteteve të tjera. Dy deputetë kanë deklaruar studimet juridike jashtë vendit, – njëri në Holandë dhe tjetri në Strugë, shtatë deputetë në tërësi kanë deklaruar përfundimin e studimeve jashtë vendit. Kategoria e tretë më e përfaqësuar janë mjekët (13) dhe bashkë me ta kemi edhe një farmacist në parlament.

Kategori të tjera të përfaqësuara profesionale janë inxhinierët, mësuesit, kimistët dhe më pas veterinerët dhe agronomët. Në total gjashtë deputetë kanë studiuar shkenca politike ose marrëdhënie ndërkombëtare, gjashtë të tjerë kanë mbaruar akademinë ushtarake apo policore. Dy deputetë kanë përfunduar Akademinë e Sporteve dhe dy kanë studiuar në arte, njëri në pikturë dhe tjetri në menaxhim arti.

Kur shihen të dhëna të tilla duket se është përmbushur nevoja e madhe që elitat tona politike kanë për njohuri të thelluara në çështjet juridike (funksioni kryesor i parlamentit është shqyrtimi dhe miratimi i ligjeve) dhe në çështjet ekonomike (gjithçka varet nga ekonomia).

Nëse hyjmë në brendësi të dhënat nuk janë aq pozitive: nga 36 deputetë juristë 12 e kanë fakultet të dytë kryesisht part-time, vetëm 3 deputetë janë diplomuar në juridik përpara vitit 1990, 15 deputetë kanë përfunduar studimet juridike në universitete private përfshirë në tre universitete të mbyllura tashmë, dhe vetëm 10 nga 36 deputetë kanë përfunduar studimet e rregullta në Universitetin e Tiranës.

I njëjti arsyetim vlen edhe për ekonomistët e dhe financën, kryesisht të diplomuar në UT ose në universitete të tjera, përfshirë disa universitete periferike ose private. Për transparencë ia vlen të theksohet se kryeministri aktual ka studiuar pikturë, kryetari i shumicës parlamentare ka studiuar biokimi, kryetari i pakicës parlamentare ka studiuar gjeologji miniera, – një tregues se fusha e studimit nuk mbetet një tregues suksesi në karrierë në sistemin tonë partiak e politik.

Lidhur me formimin e avancuar universitar, ia vlen të ndalemi tek : Me titullin “Profesor Doktor” janë 10 deputetë: 4 nga PS (Anastas Angjeli, Besnik Baraj, Evis Kushi dhe Vasilika Hysi), 4 nga PD (Sali Berisha, Tritan Shehu, Valentina Duka dhe Romeo Gurakuqi), si dhe dy nga LSI (Sezai Rokaj dhe Edmond Panariti). Me titullin “Profesor i Asociuar” janë 6 deputetë, – 4 nga PS (Englantina Gjermeni, Mirela Kumbaro, Ismet Beqiraj dhe Andrea Marto), si dhe 2 nga PD (Luciano Boci dhe Fatbardha Kadiu).

Me gradën shkencore “Doktor i Shkencave” janë 17 deputetë, 11 nga PS (Shameti, Spahiu, Balla, Golemi, Kodheli, Ahmetaj, Gjylameti, Gjebrea, Manastirliu, Hyseni dhe Bello), 4 nga PD (Tabaku, Duma, Shehi dhe Pampuri), si dhe dy nga LSI (Kryemadhi e Tavo).

Në total 33 nga 140 deputetët kanë grada të larta shkencore, ndërkohë që katër deputetë vijojnë studimet doktorale, si dhe mbi 20 kanë njoftuar në CV e tyre se kanë përfunduar studimet master. Dy partitë e tjera, PDIU e PSD nuk kanë deputet me tituj shkencor.

/Instituti i Studimeve Politike/

SHKARKO APP