Parregullsitë në listat e PD, Kaso: Do të shfrytëzojmë çdo hapësirë ligjore që na jep Kodi Zgjedhor
I ftuar në studion e Ora News, Ivi Kaso ka mbajtur një analizë më të gjatë në lidhje me domosdoshmërinë për lista të pastra nga partitë politike në këto zgjedhje.
Kaso është ndalur në problematikat e diktuara nga KQZ për pasjen e më shumë emrave për kandidatë, se sa lista që parashikon qarku, duke e cilësuar këtë si përshtatje me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor.
Kaso: Ashtu si çdo listë kandidatësh që do formacion politik, aq më tepër me kërkesat e reja të Kodit Zgjedhor që parashikon që në momentin e plotësimit të listës dhe të paraqitjes së kandidaturave këto të vijnë të shoqëruara jo vetëm më një sërë dokumentacioni që shprehin vullnetin e kandidatit për të garuar, por edhe me formalitete të tjera që shprehen me përmbushjen e formularëve të dekriminalizimit apo formularë të tjetër për transparencën e financimit gjatë fushatë të partive politike dhe të kandidatëve. Ky është një aspekt që nga pikëpamja logjistike e rëndon shumë procesin e hartimit të dokumentacionit të plotë dhe shteruar përsa i përket një numri relativisht të lartë kandidatësh. Është një problematikë e lartë nga e cila kanë vuajtur të gjithë subjektet në garën zgjedhore.
Sa i përket numrit më të lartë se sa numri i lejuar i kandidatëve, kemi një lexim dhe interpretim të ndryshëm të dispozitës ligjore përkatëse, të cilën KQZ e lexon dhe e interpreton në një mënyrë dhe besojmë që leximi dhe interpretimi që ne i bëjmë është më në përputhje me vullnetin e legjislatorit, aq më tepër në kushtet kur ne nuk garojmë si një parti e vetme, por në kushtet e një koalicioni, formulë kjo e diktuar nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese të mazhorancës në pushtet. Sigurisht që do të shfrytëzojmë çdo hapësirë ligjore që na jep Kodi Zgjedhor për të paraqitur listën shumëemërore më të mirë të mundshme.