Parti e majtë, qeverisje e djathtë

 

KOMENT

Nga Sadedin Çeliku

Po të lexosh programin politik e qeverisës të Partisë Socialiste, të mbushet mëndja se është parti e majtë sepse ka simptoma sociale. Duke parë programin duket sikur ajo parti lë kokën për popullin e vet saqë të gjitha ata që merren me zbatimin e saj gati sa s’flijohen për popullin. Në këto dy vjet e gjysmë kemi parë në praktikë që PS ka ecur djathtas. Kjo vërtetohet lehtë se taksat rriten në dinamikë, në bllok dhe fjala burg është përdorur kaq shumë sa tashmë nuk ka më vlerë.

Sigurisht nuk ka qenë e lehtë qeverisja përballë mjaft problemeve të mëdha që la qeveria paraardhëse si borxhi publik, kreditë e këqija, faturat e papaguara, problemet me sistemin energjetik etj. Por kemi pritur dy vjet që të ndodhte ndryshimi i shumëpritur i premtuar nga kryeministri Edi Rama, por me keqardhje e them se kjo nuk po ndodh sepse anëtarët e kabinetit qeveritar nuk janë në gjendje të performojnë, janë të paaftë dhe sigurisht që është e natyrshme që të kesh rezultate të dobëta. Realisht qeveria e drejtuar nga dy forca politike të majta po shkon djathtas ose në kahun e kundërt të interesave popullore ose shumicës më saktë. Arsyet janë rritja e taksave jashtë çdo mundësie për shkak se familjet shqiptare janë më të varfër se më parë dhe kësisoj ato nuk përballojnë. E keqja duket se masat për rritjen e taksave dhe tarifave po bëhen në bllok dhe kjo është e mjaftueshme që pakënaqësitë të rriten.

Kështu tatimi mbi të ardhurat e qerasë u rrit nga 10 në 15 përqind; kontrolli teknik i automjeteve nga 900 lekë në 1200 lekë dhe sot paguhet 1800-2700 lekë pa llogaritur këtu ryshfetet që do duhet të japësh; kontrolli fizik apo si i thonë ndryshe ustallarët homologimi i mjeteve ka qënë me tarifë zero, në vitin 2007 u bë 1500 lek dhe tani sipas burimeve nga Ministria e Transportit ja kanë vënë syrin dhe duan ta japin me koncension shërbim që duan t’ia japin vetëm një firmë duke stimuluar monopolin mbi këtë shërbim. A e dini se sa mendojnë ta japin këtë shërbim? Titullarët mendojnë t’ju zhvatin drejtuesve të automjeteve rreth 100 euro; u vendos taksa parkimeve në Tiranë e panjohur më parë; gjobat ndaj biznesit të vogël nuk hiqen edhe pse janë vënë pa dijeni të përfaqësueseve të biznesit dhe në vend që të hiqen, kërkohet shtyrja e tyre; ligji i procedurave tatimore që tashmë është në fuqi, parashikon gjoba të papërballueshme të cilat do ti vjelin tatimorët që mendojnë për vete dhe aspak për shtetin; u rrit akciza për disa kategori por nuk mbrohet prodhimi vendas; taksa mbi të ardhurat personale të pagave u rritën por nuk dhanë rezultatin e dëshiruar; taksa qarkullimit mendohet të rritet 10 lek për litër edhe pse çmimi i karburantit është më i larti në rajon; taksa mbi depozitat e kursimeve, disa rritje mbi pasuritë e paluajtshme por që për fat të keq ka ndeshur në rezistencën e popullit që nuk e paguajnë as në qytet dhe as në fshat ;tarifat e regjistrimit në universitete publike kur e dorëzoi pushtetin Partia Socialiste në vitin 2005 e kishte 12 mijë lekë, më pas pësojë pak rritje. A e dini pse protestojnë studentët sepse e kanë bërë 80 mijë lekë të reja gati baras me universitetet private; taksa për çdo kalim në rrugën e papërfunduar të kombit, në rrugën që nuk ofron siguri për shkak të pjerrësive tërthore e gjatësore tej normave teknike, dhe në rrugën plot defekte do vendoset 3-10 euro në varësi të llojit të automjetit. Ka dhe mjaft shërbime të tjera që po jepen me konçension jo për të shëndoshur arkën e shtetit por për interesat e vogla. Më duket se ka ardhur koha e ngrirjes së ligjit të konçensionit por këtë temë do ta trajtoj në një shkrim tjetër. Me gjithë këtë dinamikë rritjesh taksash e tarifash a i ngjajnë këto veprime një partie të majtë ? Aspak ! Kryeministri i majtë ka kaluar djathtas por dhe ka të drejtë se na pati paralajmëruar disa herë kur thoshte përtej të majtës dhe përtej të djathtës por ne nuk e besuam. 

SHKARKO APP