Partizanët e qeverisë së Kosovës përballë BE

 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama
 
Nga Lavdrim Lita
 
Afishet ilegale të fotos së pasaportës së Përfaqësuesit të Bashkimit Europian në Kosovë, ku gjoja i refuzohej viza hyrëse në Kosovë, janë  gjeste me prapavijë politike. Këto afishe ilegale janë vendosur në Prishtinë një ditë pas deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi si reagim partiak e politik për shtyrjen e liberalizimit të vizave në pranverë.  Për pesë vjet me radhë, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk u ndal asnjëherë së premtuari liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndonëse me vështirësi janë përmbushur pjesa më e madhe e kriteret teknike.  Kanë mbetur për t’u certifikuar edhe 8 kritere të tjera.
Mirëpo qeveria Mustafa-Thaçi ka vendosur të trashë zërin me financuesit më të madh të Kosovës. Kritikat e zyrtarëve të lartë të Kosovës kundrejt BE-së dhe sulmet personale ndaj dinjitarëve të BE në Prishtinë nga ministra të papërgjegjshëm janë veprime provinciale.   E kuptueshme që Qeveria e Kosovës e zënë në çark në parlament, e sfiduar në rrugë dhe me rritje të radikalizmit fetar, po synon të drejtojë mërinë publike  ndaj Bashkimit Europian që nuk po i hapka derën qytetarëve të ikin nga vendi!!! Qeveria e Isa Muftafës harron të kuptojë se kjo sjellje anti-perëndimorë rrezikon të shfrytëzohet nga pasardhësit e haxhiqamilistëve në shoqërinë e Kosovës.
E vërteta është që Bashkim Europian po përballet me shume probleme, që nga vërshimi i refugjatëve sirianë e imigrantëve shqiptarë e kosovarë nga rajoni, kriza ekonomike-financiare e deri tek terrorizmi, dhe nuk ka terezi të shtojë problemet brenda saj, me hapjen e dritës jeshile qeverisë së Kosovës, e cila nuk bënë asgjë të dobishme për të qenë e pranueshme. Gjykata Speciale, marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe ratifikimi i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi janë punë të pakryera.
Qeveria e Kosovës duhet të kuptojë që Kosova po i kushton shumë qytetarëve të BE-së.  Bashkimi Europian është donatori më i madh që ofron ndihmë për Kosovën dhe rajonin e Evropës Juglindore në tërësi dhe udhëheq përpjekjet e rindërtimit.  Kosova ka marrë mbi 2 miliardë euro ndihmë nga BE-ja që nga viti 1999. Misioni EULEX i kushton qytetarëve të Bashkimin Evropian mbi 111 milionë euro dhe zyrtarët e Prishtinës zyrtare i shpërblejnë duke rritur krimin dhe korrupsionin, duke mos ngritur Gjykatën Speciale, emigrimi masiv dhe bllokimin e Parlamentit.
(Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin e Evropës)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?