Partizani, pas derbit kalendari i dhuron kurorën e dimrit
Titulli i munguar prej 21 vitesh do ende kohë, por kurora e “kampiones së dimrit” është shumë pranë. Partizani, pas fitores 2-0 në derbi, ndodhet tre pikë para vendit të dytë, që mbahet nga Skënderbeu dhe katër pikë nga Tirana e vendit të tretë. Të kuqtë e kryeqytetit kanë shanse të mëdha për ta mbyllur të vetëm në krye fazën e dytë të Kategorisë Superiore, duke qenë se kalendari i tre javëve të mbetura, i favorizon më tepër. Nga 4 skuadrat pretendente, Partizani ka ndeshje më të lehta “në letër”. E vetmja sfidë e vështirë për formacionin e Duros është transferta e kësaj jave ndaj Flamurtarit, megjithatë diferenca prej 3 pikësh i mban të kuqtë edhe në rast humbje, në krye. Më pas Partizani ka në kalendar dy përballje me skuadrat që luajnë për mbijetesë, si me Vllazninë në “Qemal Stafa” dhe me Elbasanin, në fushë asnjanëse, për të mbyllur fazën e dytë. Por këtë javë në Tiranë do të përplasen ndjekësit më të afërt të Partizanit, Tirana e Skënderbeu, që do të thotë se Partizanit mund t’ia heqë vetëm ndonjë mrekulli kurorën e kampiones së dimrit. Kukësi do të presë Tiranën në tre javët e fundit dhe do të luajë ndaj Flamurtarit në Vlorë, çka do të thotë se Partizani mbetet sërish i favorizuari i madh.
Tirana
Humbja në derbi tronditi kampin e Tiranës. Një dite pushim pas derbit dhe dje të gjithë lojtarët bardheblu janë rikthyer nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Tirana nisi mesditën e së mërkurës punën përgatitore për ndeshjen e radhës, ndaj Skënderbeut, edhe pse zhgënjimi në derbi nuk mund të fshihej nga fytyrat e lojtarëve. Ndryshe nga ditët para derbit atmosfera në “Skënder Halili” tek Tirana ishte e qetë, ndërsa klubi ka vendosur të qëndrojë në heshtje shtypi. Grupi i lojtarëve u mblodh rreth trajnerit Gugash Magani, në një analizë para ndeshjes me Skënderbeun, (të shtunën ora 13:00), dhe më pas vijoi stërvitjen, me synim për ta fituar këtë ndeshje dhe për t’u ngjitur në vend të dytë.
Vllaznia
Bordi drejtues i Vllaznisë, i zgjedhur pak kohë më parë nga mbledhja e këshillit bashkiak të qytetit të Shkodrës, ka vendosur që të premten të organizojnë një mbrëmje koktej ku do te jenë të ftuar të gjithë biznesmenët shkodranë. Ideja është për të afruar sponsorë në ekip, që t’i vihet në ndihmë Vllaznisë. Shkodranët do të luajnë në fundjavë ndaj Laçit në fushën e tyre, por deri tani beteja e kësaj skuadre me emër mbetet e njëjtë, si në vitet e fundit, për mbijetesë. Bordi ka vendosur po ashtu, që skuadra të përbëhet më së shumti nga djem shkodran, produkt të akademisë së klubit Vllaznia, teksa pritet që të rishikohen edhe një pjesë e mirë e kontratave të futbollistëve aktual.
Kategoria Superiore
Java e 16-të
Tirana – Skënderbeu
Flamurtari – Partizani
Teuta – Kukësi
Vllaznia – Laçi
Apolonia – Elbasani