Pas 3 orësh protestë para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës
Pas rreth tre orësh tubim para godinës së Kryeministrisë, mijëra qytetarë kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, në kuadër të protestës që ka hyrë në ditën e 15-të.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, ndërsa marshimi është shoqëruar me flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër klasës politike.
Rrugët e kryeqytetit janë mbushur me ngjyrat kuqezi, ndërsa pjesëmarrësit kanë ecur në grup përgjatë akseve kryesore të qytetit. Gjatë marshimit janë dëgjuar slogane të shumta, mes tyre “Revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria nuk shitet”.
Marshimi vjen pas një serie fjalimesh të mbajtura para Kryeministrisë, ku qytetarë të ndryshëm shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend.
Protesta, e cila ka vijuar për 15 ditë radhazi, ka mbledhur pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si edhe përfaqësues të diasporës shqiptare. Organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim deri në realizimin e kërkesave të tyre.
KOHA JONË SONDAZH

