Pas tragjedisë në Tale, kryebashkiaku Ndreu kërkon kujdes nga familjarët në zonat e pambikëqyrura
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu ka reaguar për tragjedinë në bregdetin e Tales në Lezhë, ku dy vajza të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, u mbytën në det. Teksa ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, Ndreu ka ngritur shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet publike të pamenaxhuara, plazhe të cilat nuk administrohen as nga subjekte private, por as nga bashkia. Ai ka theksuar se siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë.
Reagimi i plotë
Shpreh dhimbjen time të thellë për humbjen tragjike të jetës së dy vajzave të mitura në plazhin e Tales. Kjo është një ngjarje e rëndë, përballë së cilës fjalët janë të pamjaftueshme. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të tyre.
Si drejtues i pushtetit lokal, shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia. Në hapësira të tilla, kujdesi prindëror ndaj fëmijëve, si dhe vëmendja e familjarëve dhe shoqërisë ndaj personave që nuk dinë not, duhet të jetë maksimal në çdo moment.
Plazhet e menaxhuara janë të pajisura me sinjalistikën përkatëse, zona të identifikuara qartë për pushuesit dhe infrastrukturën e nevojshme për sigurinë e tyre.
Siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë.
KOHA JONË SONDAZH

