Pashkët e arbëreshëve, mbi 500 vjet valle shqiptare (FOTO)

Më shumë unik se sa i rrallë duhet të konsiderohet fenomeni i këtyre njerëzve, që pas më shumë se pesë shekujsh jetë në një tokë të huaj, qëndrojnë kokëfortësisht të lidhur me gjuhën, traditat dhe kostumet e tokës së origjinës.

Një melodi e ëmbël të fton të kthehesh në shtëpinë tënde, harmonia e trupave në lëvizje thërrasin një të kaluar antike, mendimet fluturojnë e përcjellin detin, humbasin pas maleve të ashpra, drejt formave të largëta që horizonti i fal një ngjyrë ylberi. Është toka që kurrë se ke parë, janë trojet për të cilat gjyshërit kanë dëgjuar të flitet nga gjyshërit e tyre.

Dëgjohet një vaj i ëmbël nga i cili s’mund të fshihesh, fton ta dëgjosh, kthehet në një thirrje të ëndshme që se tradhton dot. Mëndja, trupi, ritmi i kohës rilindin në të njëjtin moment krenarinë se i përket një bote antike. Ndoshta e gjithë kjo është Vallja. Prej pesë shekujsh, në çdo të martë të Pashkëve, vallja mbush e zbukuron rrugët e çdo katundi arbëresh.

“Më shumë unik se sa i rrallë duhet të konsiderohet fenomeni i këtyre njerëzve, që pas pesë shekujsh jete në një toke të huaj, qëndrojnë kokëfortësisht të lidhur me gjuhën, traditat dhe kostumet e tokës së origjinës”, – shkruante Ernest Koliqi në veprën e tij “Studime te letërsisë shqiptare” duke iu referuar komunitetit Arbëresh, popullsisë shqiptare e cila prej shek. XV jeton në brigjet italiane duke ruajtur një gjuhë amtare të pastër antike, plot tradita e zakone që breza shqiptarësh, banorë të sotëm në trojet kombëtare i kanë humbur ose nuk i kanë mësuar kurrë.

Periudha e Pashkëve në këtë komunitet përkon me një kalendar artistik të mbushur me manifestime folkloristike, aktivitete kulturore, panaire etno-gastronomike. Më e shumëpritura është Festa e Valles. Vallja, një nga takimet më të rëndësishme e kuptimplote të traditës arbëreshe është shprehja folkloristike e një populli që nuk ka harruar historinë e tij, rrënjët e tij. “Vallja” lindi gjatë shek XV me një karakter ritual e historik siç ka mbërritur deri më sot.

Ky kërcim popullor evokon me krenari një nga fitoret më të rëndësishme të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut ndaj turqve, të zhvilluar pikërisht në të martën e Pashkëve të vitit 1467.

Veçanërisht në Civita, Frascineto, Ejanina, San Basile, Fermo, San Benedetto Ulliano, Fallkonarë ruan origjinalitetin etnografik të lindjes, e konsiderohet si një nga vallëzimet më antike folkloristike kolektive. Dhe pse e lidhur me një kujtim lufte,Vallja është simbol vëllazërie mes arbëreshëve, që mes këtij manifestimi ndjehen më të bashkuar, flasin një gjuhë, kanë të njëjtat kostume veshur, këndojnë e vallëzojnë me të njëjtin ritëm.

Me një dramacitet spektakolar ajo paraqet një skenar unik, gjatë të cilit etnia arbëreshe rijeton me kërcimin gjithë historinë e saj. Vallja është një ndërthurje e mrekullueshme midis të djeshmes e të sotmes, në një popullsi kaq të vetëdijshme për identitetin e saj. Të martën e Pashkëve, burra e gra, të rinj e fëmijë stolisen me kostumet më të mira tradicionale e zbukurojnë rrugët e katundeve. Dorë për
dore në grupe valltarësh ekzekutojnë koreografinë e kërcimit.

Në ekstremitete qëndrojnë dy flamurmbajtës që me lëvizjet apo rrotullimet e tyre të papritura e ritmike mimëzojnë skema të betejave të Skënderbeut. Here pas here “rrëmbejnë” persona nga publiku i cili e paguan lirimin e tij me një gotë vere. E Hëna dhe e Marta e Pashkëve janë konteksti historik i formave më origjinale të përfaqësimit të identitetit të tyre, përfaqësuar koreografisht nga Ushtria e Skënderbeut dhe Vallja.

Vajzat të veshura me kostumin e çmueshëm tradicional, të udhëhequra nga “kapurelët”, vallëzojnë duke vizatuar spirale të pazgjidhshme e duke kënduar vjershat e rapsodive që himnizojnë vlerat e popullit arbëresh dhe heronjtë të tij. Vallja, me një koreografi në formën e patkoit, ecën hijerëndë nëpër rrugët e katundit, rrethon dhe zë “rob” pas shpërblesës simbolike (pije ose bonbone), “fitojnë” lirinë.

Rreth valles, “ata ç’nxijnë”,me blozë fytyrën e çdo kujt që nuk flet arbërisht. Këngët gjatë ekzekutimit të valles janë në gjuhën arbëreshe, mjaft antike e pa te cilat Festa e Valles nuk do të kishte kuptim. Këndohet rapsodia “Kostantini e Jurendina” (Kostandini e Doruntina, tek arbereshet Doruntina njihet si Jurendina) apo ajo kushtuar betejës së Krujës, por dhe mjaft vargje për prijësin e tyre Skenderbe, ndaj të cilit arbëreshet nuk lodhen kurrë së qeni krenar. Momenti i fundit i ekzekutimit të Valles lidhet me improvizimin e rimave dhe këngëve të nisura nga pijetorja deri natën vonë, mes humorit e serenatave, nga një shtëpi në tjetrën. Vallja për ta nuk është veç një motiv folklorik apo evokim historik, por mbi të gjitha një identitet ekzistues social, enik e kulturor.

Vallja arbëreshe kthehet unike e merr një nur mbretëror në ekzekutimin e saj dhe falë kostumeve të mrekullueshme të grave e vajzave, burrave e djemve. “Kostumi i festës me stofat e çmuara prej atllasi, pëlhurat e mëndafshta, me një kombinim harmonik ngjyrash e qëndisjesh me ar, dëshmojnë ashtu si dhe këngët, mirëqënien e Shqipërisë kur emigrantët e braktisën…”, shkruan Ernest Koliqi.

Minoriteti arbëresh në Itali ka një popullsi mbi 80.000 banorë e që nga koha kur janë vendosur në këto toka e deri më sot ligji i gjakut u ka bërë të ndjehen përherë shqiptarë, pasardhës të Skënderbeut, Heroit të tyre të përditshëm.

10391862_784516341680923_8754293873080563093_n

12524397_784588461673711_8046418897666622332_n

12472799_784628098336414_7494973526185825525_n

10649491_784671448332079_1708698361026473917_n

12472359_784608718338352_7803832830715211422_n

10399349_784576715008219_4373027467548646064_n

10391862_784516341680923_8754293873080563093_n

524776_784506251681932_4234154557849744823_n

 

SHKARKO APP