PD bojkoton seancën në Kuvend, Taulant Balla: Keqardhje do të shpallim Iranin si shtet sponsorizues të…
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar pasi PD deklaroi nuk do të merrte pjesë në seancën plenare nesër në Kuvend. Balla shkruan në Facebook se ky bojkot i seancës nga grupi parlamentar i PD-së vjen në një moment që PS-ja ka propozuar një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Ai shtoi se seanca e nesërme jo vetëm që nuk ka agjendë personale, por është propozuar që në 18 shkurt dhe miratuar me vendim të seancës plenare një muaj më parë.
Reagimi i plotë nga Balla
Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale.
Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni.
Gjithashtu qenka thënë se seanca është thirrur në kundërshim me Rregulloren. Gënjeshtër! Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë.
Gëzuar Natën e Kadrit.
KOHA JONË SONDAZH

