PD depoziton draftligjin, propozon 100 bashki dhe 12 qarqe
Grupi parlamentar i PD-së ka depozituar zyrtarisht në Kuvend draftligjin për ndarjen administrativo-territoriale të vendit, duke propozuar që Shqipëria të ketë 100 bashki dhe 12 qarqe.
Drafti është shoqëruar me një relacion prej 168 faqesh, ku, sipas PD-së, janë analizuar kriteret ligjore dhe teknike për ndarjen e re territoriale.
Sipas propozimit të dorëzuar, reforma synon një model të ri të qeverisjes vendore, me fokus te decentralizimi, autonomia financiare, kompetencat dhe përgjegjësitë e njësive vendore, si edhe zhvillimi i territorit.
PD deklaron se drafti është hartuar pas një procesi konsultimesh në qarqe dhe marrjes së mendimit të qytetarëve. Draftligji dhe relacioni shoqërues janë depozituar zyrtarisht në Kuvend për shqyrtim.

