PD depoziton kërkesën: Të zgjatet me 3 muaj Komisioni i Reformës Territoriale
Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht kërkesën për zgjatjen me 3 muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.
Kërkesa e firmosur nga bashkëkryetari i këtij komisioni, Luçiano Boçi, bazohet në argumentin se objektivat kryesore të projektkalendarit nuk janë realizuar ende dhe se vendimmarrja nuk mund të përmbyllet pa garantuar një proces të plotë konsultativ dhe pa marrë një opinion zyrtar nga Këshilli i Evropës.
“Në cilësinë e Bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, bazuar në Vendimin nr. 75/2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, kërkoj zgjatjen e mandatit të Komisionit me 3 (tre) muaj, si dhe të vijojë puna e Komisionit edhe gjatë muajit gusht, me qëllim përmbushjen e plotë të mandatit të tij. Gjithashtu, vlerësoj se Komisioni nuk duhet të konsiderojë të përfunduar veprimtarinë e tij dhe nuk duhet të depozitojë produktin përfundimtar në Kuvend të pakaluar në Komision e të pavotuar në Komision, sikurse pa u konsultuar paraprakisht dhe pa marrë opinionin institucional të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, si institucioni më i specializuar evropian në fushën e demokracisë vendore, decentralizimit dhe autonomisë së pushtetit vendor. Kjo kërkesë mbështetet në faktin se deri më sot nuk janë përmbushur një pjesë e konsiderueshme e objektivave dhe aktiviteteve të miratuara nga vetë Komisioni në Projektkalendarin e Punës”, thuhet në kërkesë.
KOHA JONË SONDAZH

