PD depoziton në Kuvend shfuqizimin e katër ligjeve, Bardhi: Ky është zëri i shoqërisë që proteston
Grupi parlamentar i PD, Gazment Bardhi depozitoi sot në Kuvend një paketë ligjore e cila adreson kërkesat e qytetarëve që prej ditësh po protestojnë në Tiranë kundër investimit në Zvërnec. Paketa ligjore përfshin: Shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike; Shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura; Shfuqizimin e ligjit për Paketën e Maleve; Shfuqizimin e disa dispozitave në ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Bardhi theksoi se PD sapo ka depozituar zyrtarisht sot në Kuvend një paketë ligjore që bashkon interesin publik me interesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
”Paketa që dorëzuam në Kuvend nuk është thjesht një nismë partiake e opozitës. Ajo sjell në Parlament zërin e shoqërisë që proteston kundër shkatërrimit të Shqipërisë nga një qeveri që deri më sot e ka trajtuar vendin si pronë private”, tha ai. Sipas tij “kjo paketë sjell në parlament zërin e shoqërisë që kërkon mbrojtjen e natyrës, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mbrojtjen e zonave malore nga babëzia qeveritare. Ne po risjellim në Parlament zërin e shoqërisë që është kundër ligjit për investimet strategjike, simbol i modelit ekonomik të Edi Ramës; një model i bazuar te favorizimi, korrupsioni dhe përdorimi i pushtetit në funksion të interesave private”.
Bardhi nënvizon më tej se shoqëria shqiptare duhet të hyjë në një fazë të re. “Një fazë ku të gjithë të kenë mundësi të barabarta. Në një fazë ku shoqëria nuk pajtohet me modelin e sundimit të më të fortit mbi më të dobëtin. Ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Ku të sundojë shteti ligjor dhe jo ligji i xhunglës”, tha ai.
Sipas tij, këto katër nisma ligjore bashkojnë interesin e qytetarëve, të cilët këtë herë kanë bindje të ndryshme politike, ose nuk i përkasin asnjë partie. “Këto nisma i bëjnë mirë Shqipërisë. Pa ligjin e investimeve strategjike që shpërndan copa të Shqipërisë tek një grusht oligarkësh dhe klientësh të Edi Ramës, Shqipëria do të jetë më e mirë. Pa ligjet që i japin qeverisë mundësinë të cenojë zonat e mbrojtura, apo zonat malore, apo trashëgiminë kulturore dhe interesin publik, Shqipëria do të jetë më e mirë”, thekson ai. Në përfundim, Bardhi i bëri nënvizoi se “ka ardhur koha që Edi Rama t’i lejojë deputetët e mazhorancës t’i votojnë këto nisma”. “Ka ardhur koha të reflektojë. Ka ardhur koha që Edi Rama të japë dorëheqjen”, shtoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

