PD do hetim për ”Smart City”, Avokati i Popullit: Kërkesa është pranuar
Partia Demokratike i është drejtuar Avokatit të Popullit për të kërkuar verifikimin e projektit qeveritar “Smart City”, edhe pse politikisht nuk e njeh Endri Shabanin si titullar të këtij institucioni. Në 22 korrik, Sekretari për të Drejtat e Njeriut në PD, Franci Nuri, i ka kërkuar Avokatit të Popullit të hetojë mënyrën e funksionimit të projektit dhe përdorimin e të dhënave biometrike e profilizuese.
Në kërkesën e saj, PD kërkon inspektimin e Qendrës së Komandës, sigurimin e kontratës dhe dokumentacionit teknik, dëgjimin e institucioneve përgjegjëse dhe konsultimin me ekspertë të pavarur. Gjithashtu, opozita kërkon publikimin e një raporti të posaçëm dhe rekomandimin për pezullimin e funksioneve biometrike e profilizuese, deri në miratimin e një kuadri të posaçëm ligjor.
Avokati i Popullit i është përgjigjur kërkesës duke njoftuar nisjen e një hetimi administrativ. Në përgjigje, institucioni ka vënë në dukje edhe faktin se PD i është drejtuar pikërisht këtij institucioni si garant i pavarur i të drejtave dhe lirive themelore. Ky komunikim institucional nuk nënkupton ndryshim të qëndrimit politik të PD-së ndaj Endri Shabanit. Nuri ka deklaruar se Partia Demokratike vijon të mos e njohë Shabanin si Avokat të Popullit.
Ai ka sqaruar gjithashtu se kërkesa për verifikimin e projektit “Smart City” nuk është depozituar vetëm pranë Avokatit të Popullit, por edhe pranë institucioneve të tjera. PD vijon kontestimin politik të legjitimitetit të Endri Shabanit, ajo po përdor të njëjtin institucion për të kërkuar ndërhyrje dhe hetim mbi një çështje që e konsideron sensitive.
KOHA JONË SONDAZH

