”PD duhet të reflektojë”, Alimehmeti: Në protestë ka edhe drejtorë të Partisë Socialiste
Anëtari i Këshillit Kombëtar i PD-së, Ilir Alimehmeti thotë se protesta qytetare para Kryeministrisë po mbledh mbështetës nga spektri i gjerë politik, përfshirë edhe përfaqësues të Partisë Socialiste dhe drejtues të Bashkisë së Tiranës. ”Janë të pranishme të gjitha shtresat, të gjitha rrymat, qofshin politike, afër politikës, apo jo politike. Ka të Partisë Socialiste, ka drejtorë të Bashkisë Tiranë. Ka nga PD, nga Partia ‘Mundësia’, ‘Shqipëria Bëhet’, ‘Lëvizja Bashkë’, pra ka një larmi”, u shpreh Alimehmeti.
Sipas tij, protesta ka një objektiv të qartë politik, pasi kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kreut të qeverisë. ”Protesta ka një emërues të përbashkët që është dorëheqja e Edi Ramës. Në 5 kërkesat që janë bërë është dorëheqja e Ramës dhe 4 ligjet. Unë i mbështes dhe jam i pranishëm në protestë. Të kërkosh dorëheqjen e kryeministrit, patjetër që është kërkesë politike”, deklaroi ai në ”A2cnn”.
Alimehmeti theksoi se sipas vlerësimit të tij, brenda Partisë Socialiste ka nisur një proces reflektimi, i cili po shfaqet në nivele të ndryshme të strukturave të saj. “Te PS ka nisur reflektimi në nivel deputetësh, në nivel drejtorësh. Mund t’ua them edhe me emra se ata janë publikisht në shesh, s’e kanë problem të fotografohen”, tha ai, duke shtuar se një proces i ngjashëm duhet të zhvillohet edhe në Partinë Demokratike.
Në vijim, demokrati nënvizoi se qytetarët duhet të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, duke shtuar se fitorja në zgjedhje nuk duhet të shërbejë si justifikim për abuzim me pushtetin. “Duhet të ketë zgjedhje. Mund të mos duan ata të përfaqësohen politikisht, duan të mbështesin kë duan të mbështesin, por s’i jepet e drejta kujt fiton të abuzojë”, përfundoi Alimehmeti.
KOHA JONË SONDAZH

