PD e pakënaqur me Zelenskyn, Sali Berisha: Fatkeq për qëndrimin që dha për Kosovën në Serbi

Deklarata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Serbi se Ukraina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës ka shkaktuar reagime në radhët e Partisë Demokratike. Kreu i PD-së, Sali Berisha e konsideroi qëndrimin e Zelenskyt të papërshtatshëm dhe në kundërshtim me frymën e NATO-s dhe parimet e planit të Ahtisarit. Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha tha se deklarata e presidentit ukrainas është bërë në një kontekst të gabuar dhe nuk i shërben as interesave të Ukrainës.

“Është një deklaratë krejtësisht e papranueshme dhe fatkeqe, e cila nuk duhej të ishte bërë në atë vend dhe në lidhje me pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Berisha. Megjithatë, lideri demokrat nënvizoi se qëndrimi i Zelenskyt nuk duhet të ndryshojë mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës në përballjen me agresionin rus.

Sipas tij, Shqipëria duhet të vijojë të jetë e palëkundur në solidaritetin me popullin ukrainas dhe në kundërshtimin e agresionit të Rusisë. Berisha u ndal edhe te propozimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç për një mbështetje të mundshme nga Ukraina ndaj nismës së tij dhe kryeministrit Edi Rama, lidhur me një anëtarësim të pjesshëm në Bashkimin Evropian. Ai i cilësoi këto ide si “qesharake” dhe të papranueshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Zoti Berisha, pavarësisht shumë takimeve që kryeministri shqiptar ka zhvilluar me presidentin Zelenski, ky i fundit ka deklaruar se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. A keni një koment në lidhje me qëndrimin e tij dhe mbi performancën e diplomacisë shqiptare për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës?

Swiss Digital Mobile Reklama

Sali Berisha: Sot kemi një deklaratë në të cilën ne shprehim keqardhje për deklaratën e presidentit Zelenski në Beograd për pavarësinë e Kosovës, të cilin ai u shpreh se është e njëanshme. Kjo deklaratë e presidentit Zelenski vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me planin e Ahtisarit të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e vendeve kryesore anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Vjen në kundërshtim të hapur me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar, të interpretuara ato me kërkesë të Beogradit nga Gjykata Ndërkombëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është shprehur për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Por nga ana tjetër, deklarata është dhe në një aspekt tjetër jashtë çdo konteksti historik.

Shqiptarët janë një komb mik me kombin ukrainas dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, ata janë solidarizuar plotësisht me luftën heroike të popullit të Ukrainës nën udhëheqjen e presidentit Zelensky kundër agresionit barbar rus. Kurse Serbia gjer para pak kohëve ishte Kali i Trojës i Kremlinit në Ballkan. Është Rusia e vogël, e cila në mënyrë të pamohueshme shërbeu dhe vazhdon në një farë mënyre të shërbejë si prapavijë e fuqishme e Rusisë në Ballkan.

Edhe në këtë kuadër deklarata e presidentit Zelenski është jashtë çdo konteksti, dhe mendoj unë, interesi për vendin e tij. Ndaj dhe Partia Demokratike e cilëson atë një deklaratë krejtësisht pa vend, krejtësisht të papranueshme dhe do të thosha një deklaratë fatkeqe në një vend që s’duhej bërë kurrë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Në vijim të pyetjes së koleges, a duhet që Shqipëria të ndryshojë qëndrim karshi Ukrainës pas kësaj deklarate dhe cila do të ishte masa proporcionale që do të duhej të bënte Shqipëria?

Sali Berisha: Mendoj se shqiptarët dhe Shqipëria duhet të mbeten të palëkundur në mbështetjen e Ukrainës ndaj agresionit rus. Në qoftë se presidenti bëri një deklaratë të tillë, ne nuk e harrojmë dhe ne nuk pranojmë këtë deklaratë, por natyrisht nuk mund të bëhet fjalë që ne të ndryshojmë qëndrimin ndaj agresionit barbar rus, ndaj popullit të Ukrainës dhe kombit ukrainas që po bën një luftë heroike, në fakt në mbrojtje të pavarësisë dhe të integritetit.

Ndërkohë, po të qëndrojmë tek kjo temë, zoti Berisha, të paktën ashtu sikurse theksojnë artikujt e mediave gjermane, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka ftuar Zelenskin që t’i bashkohet nismës së tij me Edi Ramën për një anëtarësim pa të drejta të plota në Bashkimin Europian. Si e komentoni këtë?

Sali Berisha: Sot në Bashkimin Europian ka një debat dhe një problem real madhor për çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Europian. Qëndrimet janë nga kërkesa e Kievit për anëtarësim të plotë tek propozimet e bëra nga kancelari Merc, i cili propozoi fillimisht për Ukrainën statusin e një vendi të asociuar. Nuk ekziston kjo në traktate, por ekspertët ligjorë nuk e quajtën të pamundur statusin e një vendi të asociuar me një seri të drejtash të garantuara.

Po në këtë propozim, kancelari Merc propozoi një status më të pakët, të jemi realistë, për Shqipërinë dhe Serbinë, të cilat mund të kishin statusin e vëzhguesit (observer). Në të cilin, përsëri këtyre vendeve u njihen disa të drejta, më shumë nga këto që kanë tani, por vëzhgues, dhe sipas rregullit, ato nga vëzhgues duhet të kalojnë në asocim, nga asocim në anëtarësim të plotë.

Të gjithë këtë sipar, të jemi realistë, e hapën padroni dhe argati i tij, Vuçiçi dhe Rama, me një letër që publikuan në gazetën më të madhe gjermane, ku ata, pa pyetur kombet e tyre, si diktatorë autokratë të korruptuar, kërkonin që nuk kemi nevojë për veto apo komisionerë, por vetëm na jepni tregtinë e lirë dhe lëvizjen e lirë, gjë e cila ishte një propozim, në vlerësimin tim, i bërë, thuhet me njëfarë konsenti nga një vend, por pa asnjë konsultim me asnjë institucion, në mënyrën më autokratike.

Këta që bënë këtë propozim treguan fytyrën e vet si diktatorë autokratë që nuk pyesin për vullnetin e qytetarëve të tyre. Por ky propozim nuk u hodh në kosh. Ky propozim, në një mënyrë jo siç u propozua nga këta, por për shkak të problemeve të mëdha që Shqipëria dhe Serbia kanë me shtetin ligjor, korrupsionin dhe lidhjet me krimin, atëherë është thënë që këta mund të kenë status vëzhgues. Më vonë kancelari Merz dhe presidenti Makron bënë një letër drejtuar vendeve të tjera anëtare se duhet një miratim i gjerë për këtë dhe duhet që ekspertët ligjore të gjejnë hapësirat ligjore brenda traktateve mbi të cilat bazohet BE. Ndërsa kërkesa e Vuçiçit që Zelenski të barazohet me Serbinë, është qesharake sepse Ukraina faktikisht ka një pozicion më të fortë se Serbia në këtë aspekt. Nuk besoj që të ketë shprehur ndonjë simpati ose ndonjë miratim për këtë propozim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?