PD kërkon heqjen nga rendi i ditës të “Statusit të Magjistratëve”: S’mund të tallemi me pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi në seancën e sotme plenare heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për “Statusin e Magjistratëve”.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi tha se trajtimi financiar i prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk duhet të trajtohet në këtë mënyrë dhe kërkoi që projektligji t’i nënshtrohet një shqyrtimi më të specializuar.
“Ne s’mund të tallemi me trajtimin financiar të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Propozoj të hiqet nga rendi i ditës, t’ia kalojmë projektligjin për një opinion më të specializuar në Këshillin e Legjislacionit”, u shpreh Bardhi.
Përgjigjen ia ktheu kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili tha:
“Kuvendi i Shqipërisë, të paktën prej vitit 1998 e më këndej ka një praktikë të konsoliduar sa i përket procedurës që ndjek në transpozimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i legjislacionit e ka përfunduar në mënyrën e vetë në mënyrë shembullore. Madje GKJ duhet të marrë shembull nga këshilli i legjislacionit. Kuvendi ka kërkuar opinionin e qeverisë dhe këtu është mbyllur. Kërkesa juaj nuk mund të miratohet sepse Këshilli i Legjislacionit ka vendosur. Mua më vjen mirë që PD-ja del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse është një reflektim nga ato sharjet dhe fyerjet që bëni shpesh. Sot jemi këtu për të votuar një projektligj. Vota jonë ndaj kërkesës së PD-së është kundër, sepse kërkesa është hipokrite.”
Më tej, kërkesa e PD-së, u rrëzua.
KOHA JONË SONDAZH

