PD mbledh sot Kuvendin Kombëtar, votohen ndryshimet statutore dhe anëtarët e rinj të Këshillit
Partia Demokratike zhvillon sot në orën 10:00 punimet e Kuvendit Kombëtar, ku pritet të miratohen ndryshime në statut dhe të zgjidhen anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.
Në nisje të punimeve, delegatët do të votojnë për Komisionin e Drejtimit të Kuvendit dhe Sekretariatin Teknik. Komisioni do të drejtohet nga Ivi Kaso dhe do të përbëhet nga Floriana Garo, Bardh Spahia, Eliona Shkreli dhe Nada Meçorpaja. Pas miratimit të tij, Kuvendi do të hapë zyrtarisht punimet.
Sipas traditës, një nga momentet kryesore do të jetë fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në aktivitet pritet të marrin pjesë edhe të ftuar ndërkombëtarë, të cilët do t’u drejtohen delegatëve me mesazhe dhe video-përshëndetje.
Sipas agjendës, Gazment Bardhi do të prezantojë ndryshimet statutore të miratuara më herët nga Kryesia e PD-së.
Gjatë punimeve do të prezantohen gjithashtu dy platforma të reja. Njëra lidhet me procesin e digjitalizimit të partisë, ndërsa tjetra synon angazhimin dhe përfshirjen më të madhe të diasporës në aktivitetin politik të demokratëve.
Në përfundim, delegatët do të votojnë për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar, duke zgjedhur mes kandidatëve të propozuar nga kryetari, kryesia, degët e partisë dhe anëtarët më të votuar të Këshillit Kombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

