Për ata që se njohin historinë e PD
Partia Demokratike zgjodhi lidershipin. Shumica janë të rinj. Nuk e njohin historinë e PD-së. Normale. Koha hedh pluhur. Dua që më haberet e mija, të heq pak pluhur.
Në historinë e PD-së, muajt e parë të themelimit të saj, mbajnë mbi “supe” shumë ngjarje, bëma, mitingje, antimitingje, greva urie, bryla, stërkëmbësha. Një revolucion i vërtetë, për të përmbysur një diktaturë. Personazhe në skenë e në prapaskenë. Figura që ngrihen ose shuhen brenda disa ditëve. Politikanë që u “ngjizën” në PD-në, për të përfunduar në parti të tjera.
Më 12 dhjetor 1990, ditën që u themelua Partia Demokratike, kryetar i parë u zgjodh Azem Hajdari. Propozimin e bëri Sali Berisha. Në Komisionin Nismëtar u zgjodh vetëm një grua: Ekonomistja Merita Zaloshnja. E dinë këtë fakt të rinjtë e PD-së? Sigurisht që jo. Të vjetrit nuk kanë kohë të “fshijnë pluhurin e harresës”?! Më 22 dhjetor 1990, 10 ditë pas themelimit të PD-së, u rikompozia qeveria komuniste e Ramiz Alisë. A i dini emrat e disa ministrave? Fatos Nano dhe Shkëlqim Cani-zëvendëskryeministër. Skënder Gjinushi, ministër i Arsimit. Sabit Brokaj-ministër i Shëndetësisë.
Do t'u rrëfejmë bëmat e dy ditëve: 12 dhe 13 shkurt 1991. Në këto ditë ra "tërmet" në PD. Do të mësoni sesi u shkarkua Azem Hajdari dhe, për një orë, u ngarkua Meksi si kryetar. Ec e ec, me pakëz durim, dhe do ta shihni se Berisha e mori karrigen e kryetarit, më 14 shkurt duke fituar 9 vota. Gramos Pashko, kandidati tjetër, fitoi 6 vota.
A e dini se Ilir Meta dhe Pandeli Majko, e kanë nisur jetën e tyre politike në Sheshin Demokracia në dhjetor 1990? Ben Blushi, shkrimet e para si gazetar i ka botuar në “RD”. Nuk ka asnjë surprizë, kur të mësoni, se Ardian Klosi mblodhi një “torbë” me firma, për të qenë anëtar i Këshillit Botues në “RD”. Nuk fitoi. Edi Rama, më 12 dhjetor 1990, lëvizi të gjithë gurët për të qenë në Komisionin Nismëtar të PD-së. Koço Kokëdhima, në mars të vitit 1991, firmosi listën e intelektualëve që mbështen PD-në.
A e mbani mend se me 31 Mars 1991, Ramiz Alia u mund në zgjedhje nga inxhinieri Frano Kroqi? Kush e ka lënë në harresë këtë inxhinier që korri një fitore historike?! Në prill të vitit 1991, Skënder Gjinushi, shkoi në zyrën e Sali Berishës. Mes avujve të kafesë, bëri kompromis për të rrëzuar qeverinë e Fatos Nanos. Më 22 mars 1992 u bë deputet me “bekimin” e PD-së. Sa me ditë: Partia Socialdemokrate mori pjesë në qeverinë Meksi nga viti 1992 deri në vitin 1994.
Sipas një kronike të “RD”-së, më 9 shkurt 1991 u zhvilluan bisedime mes PD-së dhe PR-së. Demokratët përfaqësoheshin nga Eduart Selami, Genc Ruli dhe Preç Zogaj. Republikanët nga Vangjush Gambeta, Hysen Çobani dhe Agim Zeka. Në një kronikë më të “lashtë” në ditë, del edhe një emër tjetër. Gafur Muço mori pjesë në një debat televiziv si anëtar i Komisionit Nismëtar për themelimin e PR-së. Ku janë sot këta udhëheqës republikanë? Personazhe të tillë e bëjnë “skëterrë” të shkruarit e historisë. Normale që edhe haberet e mija, të bëhet objekt mërie, sarkazmi, sharje, sms, mesazhe ne FB.