Për një gërmë…
Fejton nga Thoma Goga
Besoj të gjithë e keni dëgjuar atë vjershën e bukur: …”Për një “m” që ti s’e vë,/Fjala “mik” bëhet “ik” /Po ç’na bëre, o Besnik,/A i thuhet mikut “ik”!
E pra, një gërmë e ndryshoi dhe e prishi kuptimin. Ndoshta jo saktësisht, por afërsisht kështu ndodh edhe në jetën e përditshme. Sebep për këtë shkrim u bë një urim. Një miku im, që më do të mirën, sapo mori vesh se kisha filluar një punë të re, më shkruante si babaxhan dhe se ishte i gëzuar shumë. Po formulimin e kishte bërë kështu: “Eh, mor kik, sa sumë u rrëxova. Të dërgoj një lum me urine…”Dhe unë ia ktheva me pak humor se, si mik që ma donte të mirën, nuk do i mbetej qejfi. “Të falemi menderit, o fik! Po mos e harxho kot gjithë atë urinë…Le që të mbledhësh gjithë Kinën, nuk e bënë dot një lum…Ruhu mos rrënxohesh prapë…”. Nejse. E nisa kështu rrëfenjën me disa paralelizma për një gërmë dhe me këtë ngjarje, që sado e stisur, ka brenda një gjë reale. Urimi i mikut tim më bëri ta zgjeroj fantazinë, për të sjellë edhe ndonjë fakt tjetër e për të treguar se deri ku shkon keqkuptimi për një gërmë. Ndonjë mund të thotë “E mo, se një gërmë është, s’prish gjë…”. Ashtu duket. Një gërmë e vogël po prish kuptimin. Si ai druri i shtrembër që prish gjithë stivën. Ja, vetë fjala “gërmë” po t’i ndërrosh fillimin, mund të bëhet “kërmë”. Po fjala e fjalia nuk bëhen me “kërma”… Por kjo ka dhe anën tjetër të medaljes. Se jo një gërmë, por vetëm një presje ka shpëtuar jetën e një të dënuari nga “naltmadhnia”. I dënuari kishte kërkuar falje, por falja ra në vesh të shurdhër. Naltmadhnia urdhëroi: “ Falje e pamundur, të pushkatohet!”. Po fati këtë radhë kishte qënë me fukaranë. Sekretari, me apo pa dashje, e spostoi presjen dhe fjalia doli:”Falje, e pamundur të pushkatohet”. Dhe fakiri shpëtoi. Të paktën kështu thonë gojëdhanat.
Nga presja tek gërma. Meseleja që do rrëfej tashti lidhet me një gërmë. Po, po me një gërmë…Ishte dita e fundit e vitit të vjetër e gjithë njerëzia përgatiteshin për vitin e ri. Gjitoni im Gëzim, që jemi rritur bashkë, punonte shofer në fermë… Që pa gdhirë dëgjova portën e tij. Nuk e pashë as në drekë, as mbasdite. Çoç takoheshim në mbrëmje e hidhnim ndonjë “të vogël” sa për të lagur gurmazin. Po atë ditë e doja ta mbyllja vitin e vjetër me bashkëmoshatarin që ishim rritur. Më thanë se kishte ikur larg. E ndërsa errej, e humba besimin se do e takoja. Vetëm kur po boshatisej sheshi, u shfaq me “zisin” e vjetër të fermës. Frenoi si i tërbuar dhe erdhi tek vendi ku e prisja. Në fytyrë dukej gjithë gëzim.
– Edhe këtë vit do ta ha vitin e ri me familjen, – tha ai. – Për një gërmë kam shpëtuar. Kushedi kur do kthehesha, po rroftë ajo gërma… Prandaj merre “të madhe”, mbushe dopio, të them.
U bëra mënjëherë kureshtar. Dhe miku im Gëzim filloi rrëfimin:
… Që në mëngjes magazinieri i fermës urdhëroi që, sipas planit, duhet të çonim një makinë me misër në Korçë. Bëra ca debat, po ku mbush ky magazinieri ynë! Tashti edhe mbush, po unë kisha ca ditë që “s’ia kisha mbushur” as teke e as dopio… Ndaj e mora edhe si inat personal.
– Hajde, gëzuar, – i thashë,- inatet shkojnë e vijnë. I marrtë pas viti i vjetër…
– Nejse. Urdhëri, urdhër.- vazhdoi Gëzimi. – U nisa, që thua ti. Ik e ik. Ku ne, ku Korca. Mirë kjo, po plasi dhe goma. Shyqyr që kam jo një, po dy rezervë. E mbrrita. Shkarkova misrin e drejt tek dispeceria e qytetit me fletën e udhëtimit në dorë. “Shpejt,- ma priti dispeceri, – ngarko mollë për në Koman. Kërkojnë mollë punëtorët në hidrocentral”. Iu luta me aman e derman. I thashë se ishte nata e viti të ri. Në fillim bëri sikur nuk e dinte…O pikë e zezë! Hajde o t’u mbylltë, ku hante pyka ai…Ç’të bëja, ngarkova dhe u nisa për në Koman.
– Shkove në Koman dhe u ktheve!? – pyeta gjithë habi.
– Dale, o i uruar. Ngrije një herë atë virane qelqi. Hajt, gëzuar!
– Gëzuar!- urova dhe unë. Nuk po e merrja vesh pse ishte i gëzuar…
– U nisa ore, u nisa për në Koman. Po duke ikur, duke shpikur. Ti e di që në gjuhë kam qënë i mirë. Dhe gjuha më nxorri në selamet sonte. Se si m’u përdrodh gjuha dhe fjalën “Koman” e përktheva “Kuman”. E de, fshati që është ngjitur me qytetin tonë. Sa nuk fluturova kur gjeta këtë zgjidhje. E po, një gërmë është e shkreta…Me atë gërmë e ktheva timonin nga Kumani. Tashti sapo shkarkova mollët. I peshova kile për kile dhe jam në rregull me shtetin. Në fund të fundit, kështu e përktheva, kështu e kuptova…
Këtu e mbylli rrëfimin miku im dhe nxorri dy kokrra mollë nga xhepi. Uruam njëri-tjetrin për vitin e ri dhe shkuam në familjet tona.
Ndërsa mua më erdhi në mendje forca e një gërme, sidomos tani që fillon dhe viti i ri arsimor…