Përkujtohet nënkomisar Pajtim Alistafaj/ Drejtori i Policisë, Ilir Proda: Uniformën e mbante në shpirt

Me rastin e 15-vjetorit të rënies në krye të detyrës të ish-punonjësit të Policisë, nënkomisar Pajtim Alistafaj i shpallur Dëshmor i Atdheut, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit zhvilloi ceremoni përkujtimore. Në ceremoni morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, ish-kolegë të nënkomisar Alistafajt, miq dhe familjarë të tij.

Për të përkujtuar dhe nderuar sakrificën e ish-punonjësit të Policisë, te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, aty ku prehet nënkomisar Alistafaj, u vunë kurora me lule. Më pas, tek ish-Stacioni i Policisë në Qytetin Studenti u vendos pllakë përkujtimore në nderim të Dëshmorit të Atdheut. Në vitet 2007–2010, nënkomisar Alistafaj shërbeu si shef i Stacionit të Policisë së Qytetit Studenti.

Nënkomisari shënoi historinë e Policisë nëpërmjet kontributit të tij të çmuar për konsolidimin e rendit dhe të sigurisë në këtë zonë specifike dhe të rëndësishme të qytetit të Tiranës. Gjithashtu, ai kishte rol kyç në ngritjen dhe forcimin e urave të bashkëpunimit me qytetarët dhe në mënyrë të veçantë, me të rinjtë.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Pajtimi ishte një nga ata njerëz të rrallë që uniformën nuk e vishte vetëm në trup, por e mbante në shpirt. Nga auditorët e Akademisë, te shërbimi në qytetin “Studenti” dhe më pas në çdo rrugë të vendit, Pajtimi e ktheu çdo detyrë në mision, çdo ditë pune në sakrificë për jetën dhe sigurinë e të tjerëve. Policia e Shtetit ka humbur një bir të denjë, por ka fituar një simbol që na kujton se siguria ka emra, ka fytyra, ka jetë që janë dhënë për të”, tha Proda, në fjalën e mbajtur me këtë rast.

Swiss Digital Mobile Reklama

Proda theksoi se një objektivat e tij dhe Policisë së Shtetit është që të qëndrojë pranë familjeve të dëshmorëve, duke i mbështetur ata me dinjitet, vëmendje dhe mirënjohje të përhershme. Motra e Dëshmorit të Atdheut, oficerja e Policisë Adriana Alistafaj, mes emocionesh, u shpreh gjatë ceremonisë se “Pajtimi nuk ishte vetëm një punonjës policie, ishte njeri me shpirt të madh, i drejtë, i dashur dhe i përkushtuar ndaj çdo detyre që merrte përsipër.

Ai besonte se forca e policit qëndron në përulësinë dhe në dashurinë për njerëzit të cilëve iu shërben. Për ne, Pajtimi mbetet një mision, dhe atë mision e çoi deri në fund, me jetën e tij. Pajtimi është Dëshmor i Atdheut, por për mua do të jetë gjithmonë vëllai im i dashur, i cili me buzëqeshjen e tij të qetë, më mësonte të mos dorëzohesha kurrë”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?