Përmbytjet në Spiten, Agron Gjekmarkaj: Banorët po lëvizin me gomone, situata kërkon reagim urgjent
Drejtuesi politik i PD për qarkun e Lezhës, deputeti Agron Gjekmarkaj e quan situatë emergjente atë që po ndodh me përmbytjet në disa fshatra të këtij qarku. Teksa ka ndarë një video ku tregohet se banorët lëvizin me gomone në fshatin Spiten, ai shkruan se ata po bëjnë çmos për të shpëtuar çfarë u ka mbetur, ndërsa institucionet shfaqen me dalje mediatike që nuk u ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete.
Postimi i plotë
Dëmet nga përmbytjet në Lezhë janë masive dhe situata në terren kërkon reagim urgjent, jo spektakël politik. Mijëra hektarë tokë janë ende nën ujë, ndërsa banorët dhe fermerët përballen çdo ditë me pasojat e mungesës së mbrojtjes dhe planifikimit.
Në Spiten, banorët po lëvizin me gomone në pronat e tyre dhe po bëjnë çmos për të shpëtuar çfarë u ka mbetur, ndërsa institucionet shfaqen me dalje mediatike që nuk u ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete.
Në vend të masave të qarta, koordinimit dhe mbështetjes reale për komunitetin, pushteti duket më i interesuar të kontrollojë narrativën e opozitës që denoncon vështirësitë e banorëve, ta sulmojë atë, sesa të kontrollojë situatën.
Kjo qasje e shkëputur nga realiteti vetëm sa e thellon krizën dhe tregon paaftësi për t’u përballur me emergjencat që prekin drejtpërdrejt jetën dhe punën e qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

