Përmbytjet në Vlorë, Berisha akuzon qeverinë për neglizhencë dhe korrupsion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj situatës së përmbytjeve në qytetin e Vlorës, duke publikuar në Facebook një kronikë televizive të shoqëruar me mesazhin: “Përmbytet Vlora”.
Në postimin e tij, Berisha shkruan:
“Të dashur miq, Vlora është sot qyteti i përmbytjeve të mëdha. Ndryshimet pro-përmbytje të infrastrukturës së qytetit dhe braktisja e Hidrovorit janë shkaqet kryesore. Lexoni mesazhet e qytetarit dixhital.”
Mesazhi i publikuar nga qytetari dixhital ngre shqetësime serioze për gjendjen e Hidrovorit të Vlorës, duke theksuar se nga katër pompat që ka në total, dy të mëdha janë jashtë funksionit prej një viti, ndërsa dy të voglat punojnë me ndërprerje të shpeshta për shkak të mbeturinave.
“Hidrovori i Vlorës ka në total 4 pompa, 2 të vogla dhe 2 të mëdha. 2 të mëdhatë janë të djegura prej gati 1 viti. Aktualisht punon me 2 të voglat, edhe ato bllokohen çdo 5 minuta për shkak të mbeturinave,” thuhet në mesazh.
Qytetari ngre gjithashtu pyetje për përgjegjësinë institucionale dhe rolin e prokurorisë lokale, duke aluduar për mungesë reagimi dhe transparence.
Sipas të dhënave të publikuara, Bashkia e Vlorës ka akorduar 38 milionë lekë për mirëmbajtjen e Hidrovorit vetëm në datën 25 gusht, ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës ka premtuar një investim prej 3 miliardë lekësh për sistemin e kullimit.
Berisha e cilëson situatën si pasojë të “punimeve pa studim dhe tenderave të dhënë bandave”, duke e quajtur projektin e Lungomares si simbol të betonizimit pa kriter që ka përkeqësuar përmbytjet në qytet.
KOHA JONË SONDAZH

