Përpjekje për të bërë shtet
Nga Sadedin Çeliku
U bë më se një shekull që bëhen përpjekje për të bërë shtet, por askush, asnjë lider dhe asnjë herë nuk ka pasur vullnet nga askush dhe as ka sakrifikuar asnjë për ta bërë Shqipërinë shtet. Heroi ynë kombëtar Skënderbeu edhe pse luftoi për gati çerek shekulli nuk arriti të bëjë shtet. Kuvendi i Lezhës mori disa vendime që merr një shtet, por ai nuk qe i tillë. Do duhesh pesë shekuj që të mbërrinte tek shpallja e Pavarësisë në 1912-n, ku Ismail Qemali bëhet Kryeministri i parë i vendit. Pavarësisht luftës e përpjekjeve të tij, ai mbretëroi në detyrë vetëm katër muaj e pak, por për hir të së vërtetës nuk na la gjurmë shteti. Në të njëjtat gjurmë shkeli dhe Fan S. Noli, i cili mbajti postin e Kryeministrit për gjashtë muaj, shtet s’kishim, shtet nuk bëri dhe kështu dhe ai u largua nga vendi. Mbreti Zog, mbretëroi si ministër, Kryeministër dhe Mbret për 15 vjet radhazi. Ai bëri pak gjëra për t’u kujtuar. Shqipërinë e mori me vetëm 2300 kilometra rrugë dhe po me aq e la. Ato pak rrugë siç qe ajo Tiranë-Elbasan dhe Ura e Zogut në Milot u bënë nga Italia. Ai do të kujtohet gjatë për dhurimin e Shën Naumit dhe pyllin e Velipojës në Vermosh si shpërblim për ardhjen e tij në pushtet. Edhe Cari i Rusisë ju dha amerikanëve Alaskën, por ai të paktën e shiti dhe mori ca para, kurse Zogu e fali madje, megjithë shtëpi e katandi.
Gjatë sistemit komunist edhe pse ishte regjim totalitar që dallon nga ky që kemi sot u bënë mjaft vepra, vepra të cilat po i marrin konensionarët e lidhur me qeverinë siç ishte ndërtimi i H/C Fierzë, Koman, Vahu Dejës, Ulëzë, Shkopet, Bistrica 1 dhe 2 etj., elektrifikimi i gjithë vendit, spitale, shkolla, kopshte e çerdhe, kombinate gjigante, uzina e fabrika, porte detare, kantier detar e flotë tregtare, dhjetëra parqe kamionësh, autobusësh e spedicioni si dhe ndërtoi as më shumë dhe as më pak plot 18 mijë kilometra rrugë nacionale. Në këtë analizë nuk duhet të ketë keqkuptime që lidhen me sistemin politik, modelin ekonomik, me luftën e klasave, diktaturën, izolimin dhe çështje të tjera. Demokracia ishte shpresë e madhe për popullin shqiptar dhe përmbysja e sistemit ishte meritë direkte e këtij populli. Pas viteve 1990 kemi Sali Berishën që drejtoi shtetin plot 14 vjet, 4 vjet Fatos Nano, dhe 4 vjet të tjera mendohet të drejtojë Edi Rama. Zoti Berisha do kujtohet gjatë për krizat permanente dhe plagët, problemet e mëdha që i krijoi shoqërisë shqiptare. Kështu kemi krizën e fajdeve, zgjedhjet e vitit 1996, revoltën popullore të vitit 1997, konçensionimin e ekonomisë me bazë interesin, futjen e shkollave dhe universiteteve private që pajisi të gjithë shqiptarët me diploma të blera me para, rritjen e borxhit publik, rritjen e kredive shumica pa kriter, mësoi shqiptarët të mos paguajnë taksa, energjinë elektrike, ujin, ndërtimet pa leje madje në tokat e pronarëve legjitim etj.. Pra shkurt i mësoi të vjedhin e të mos zbatojnë e respektojnë ligjin. Sistemi i drejtësisë i mbushur me kursantë 3-mujor madje, disa nga 8-vjeçarja, u rrënua, u korruptua dhe u kthye në sistem padrejtësie. Edhe atë çikë shtet që na lanë trashëgim të parët tanë, e shkërmoqi dhe e bëri një palo shtet rrumpalle. Zgjedhjet e vitit 2013, ishin zgjedhje shprese aq ma tepër që slogani “rilindje” u duk se çdo gjë do shkonte në vendin e vet. Nuk ndodhi edhe pse maxhoranca sotme mori vota mjaftueshëm për të qeverisur në mënyrë komode. Aksionet e nisura për arkëtimin e parave nga debitorët e energjisë elektrike, lufta kundër trafikut lëndëve narkotike, informalitetit, çlirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, edhe pse u bënë selektive, edhe pse u lanë në gjysmë të rrugës, përsëri e kemi vlerësuar si një hap pozitiv për ta bërë shtetin. Por vetëm kaq. Jemi thellësisht të indinjuar se nuk realizohen të ardhurat nga tatimet, doganat, nuk realizohen investimet, investimet nuk kanë interes publik për shkak se po rikonstruktohen vetëm ministritë, komisariatet, drejtoritë e shëndetit publik në qendër dhe rrethe dhe s’po bëhet asgjë për premtimet që lidhen me nxitjen e punësimit dhe çështje të tjera. Sikur të mos mjaftojë kjo po grabitet nga një dorë njerëzish pasuria e tyre e vënë me gjak. Konçensionohen shërbimet spitalore me shpejtësi ku konçensionarët janë njerëz të dyshimtë, konçensionohen shërbimet e transportit rrugor dhe po përgatiten të jepen me konçension dhe shërbime të tjera që ende nuk janë bërë publik nga qeveria. Shteti nuk mund të bëhet me njerëz të paaftë, hajdutë, të kriminalizuar, e të korruptuar. Shteti para së gjithash duhet ta bëjnë patriotët e ndershëm që mendojnë për popullin e jo për veten e familjen e tyre. Me sa duket kjo tokë nuk lind burra shteti. Gjithsesi, edhe nëse nuk do të bëhet drejtësia, edhe nëse do vonojë, ai sistem do bëhet një ditë dhe një nga një mëkatarët do të duhet të paguajnë.