
Debatet për protestat dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë shoqëruar edhe mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Aliolli, e pranishme në mbledhje, u ndal te protestat që po zhvillohen në vend, duke deklaruar se opozita do të jetë në mbështetje të studentëve.
Aliolli theksoi se, në kushtet kur të rinjtë po protestojnë për të drejtat e tyre, mbledhja nuk mund të zhvillohet sipas një rendi të zakonshëm të ditës. Ajo dënoi dhunën ndaj protestuesve, duke përmendur edhe rastin e të riut nga Elbasani, Erjonit, i cili, sipas saj, rrezikon të humbasë shikimin.
“Mbledhja nuk mund të ketë një rend dite normale, duke ditur që jashtë kësaj salle ka të rinj që protestojnë për të drejtën e tyre. Nga ana tjetër, ata dhunohen. Konkretisht kemi rastin e djalit nga Elbasani, Erjonit, i cili sot po lufton për veten e tij, sepse është në rrezik të humbasë shikimin”, u shpreh Aliolli.
Ajo e cilësoi situatën si një realitet të karakterizuar nga dhuna ndaj të rinjve, studentëve dhe qytetarëve që protestojnë, ndërsa akuzoi qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për modelin që, sipas saj, ka ndërtuar në vend.
“PD do të jetë në mbështetje të të rinjve. Studentët janë në shesh dhe ne do të jemi në shesh”, deklaroi deputetja demokrate, e cila pas fjalës së saj u largua nga mbledhja.
Pas deklaratave të Aliollit, deputeti socialist Erion Braçe reagoi duke theksuar se prej më shumë se 15 ditësh në Tiranë po zhvillohen protesta. Ai i cilësoi ato si të dhunshme, duke argumentuar se aktet e dhunës kanë tejkaluar kufijtë e ligjit dhe të rendit publik e kushtetues.
Braçe shprehu keqardhjen për të gjithë personat e lënduar gjatë protestave, përfshirë efektivët e policisë dhe qytetarët, ndërsa theksoi se mazhoranca është e gatshme të dëgjojë kërkesat e studentëve.
“Ne kemi të gjithë vëmendjen e duhur për të dëgjuar kërkesën e studentëve, me përjashtim të atyre që ushtrojnë dhunë dhe nuk lejojnë vendosjen e një dialogu të qartë të qytetarëve në protestë”, u shpreh Braçe.
Në përfundim, ai nënvizoi se Partia Socialiste ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të ndryshëm nga ai i opozitës, duke ritheksuar rëndësinë e dialogut për adresimin e kërkesave të protestuesve.
