Përplasjet me opozitën: Mazniku: Duhet të rrisim kapacitetet njerëzore, jemi larg standardeve të BE-së
Bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku ka folur për qasjen e ndryshme me opozitën sa i takon numrit të punonjësve në institucionet pushtetit vendor. Ai theksoi se krahasimi thjesht i numrit të punonjësve para dhe pas reformës së vitit 2014 nuk pasqyron realitetin.
”Ne duhet të analizojmë të vërtetën, a është rritur realisht numri i stafit apo janë shtuar funksionet? Para vitit 2014, bashkitë nuk ishin përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe riparimin e shkollave, për rojet apo pastruesit e shkollave. Këto janë detyra që janë shtuar më pas”,-tha Mazniku në Klan News.
Ai theksoi se për të arritur standardet e Bashkimit Europian, duhet të rritet edhe numri i edukatorëve apo punonjësve të tjerë të bashkive, sipas funksioneve të tyre. ”Në qytetet tona kemi një raport jashtë standardit europian për numrin e edukatorëve për fëmijë. Standardi europian kërkon më shumë staf për një numër më të vogël fëmijësh, ndërsa ne kemi më pak edukatorë për më shumë fëmijë. Nëse duam të arrijmë standarde europiane, nuk mund të ulim numrin e fëmijëve, por duhet të rrisim numrin e edukatorëve”.
Mazniku paralajmëroi se reduktimi i debatit në çështje numrash është i gabuar dhe se diskutohet për funksionet dhe përgjegjësitë reale të bashkive, jo vetëm për ndarjen territoriale.
KOHA JONË SONDAZH

