Përse o shteti im, më “kërkon’’ me patjetër, të jem “armiku” yt…
Nga inxh. Agim Berisha/
Po prisja, por më kot, të takoja drejtuesin e një institucioni, sepse, sapo i dhanë emrin tim sekretares, ajo i tha diçka recepsionistit, që i nxorën djersët. Një i ri, me gjuhën e kodeve tha, i hoqën “pinin” këtij. U ndjeva keq… U mundova ti kërkoja ndjesë atij, pa e ditur pse, por, ai nuk kishte më “valë”… Ndoshta i rrezikohej buka…! Ndërkohë që largohesha, një ish- vartësi im, që dikur kishim punuar bashkë, nuk e kuptova, e kishte për mua apo për çadrën, “lëshoi”, përsëri këta… Atë e kisha ndihmuar, duke mos e lënë të “gaboi”, mëse njëherë… Drejtuesi im i ri, më kërkoi disa herë, propozim për largimin e tij, si person “jopërfaqësues” në administratë. Dikur më dha edhe argumentet… Pas dy ditësh, kur po e redaktoja dhe do konsultohesha me juristët, drejtuesi më thirri, e më kërkoi të mos e bëja propozimin për largimin e tij…, “më ka shkel aty ku nuk mban”… Nuk më erdhi keq… Nuk ndjehem mirë kur largohen njerëz nga puna, pavarësisht shkeljes me dëm madhor ekonomik, që e bënte të detyrueshëm largimin e tij… Kurrë nuk e mësova ku e kishte shkelë, në fakt as doja… Pas disa ditësh, drejtuesi më kërkoi mua largimin… Prej 25 vitesh, pas çdo ndryshimi “në kokë”, megjithëse vendi punës kërkon vetëm profesionin tim, më bie i pari “fati” të largohem nga puna, me arsyetime banale, duke më kthyer në punëtor sezonal, edhe pse vlerësohem si profesionist e zbatues i ligjit… Kjo “rastësi” habit, jo vetëm familjarët e mi, por edhe miqtë, aq sa më duket vetja i paaftë, kur shoh ata të përhershmit, që pavarësisht nga mënyra se si e kryejnë punën, jo vetëm i mbijetojnë “semaforëve” të kuq, por edhe “gradohen”… Vendosa, në këtë “pushim” të detyruar, të zbuloj pse ndodh kështu, e pse jo, të mbroj “master” të një lloji të veçantë, patjetër edhe me referencat që më vinë gjithandej…. I “seivova” ato që më thanë, miqtë e mi. Nga ato, disa ishin të rrezikshme, por edhe interesante për “masterin”. Dikush thoshte është lufta jug-veri… Mjerane… Njëri me “sinqeritet”, më tha se ky mbiemër nuk mund të punonte me të… Fëmijët e vëllait të rritur në Athinë prej 25 vitesh, nuk e kanë ndryshuar mbiemrin… Një tjetër, të gjendesh në “klanin” e duhur, në momentin e duhur… Fluger… E më pikantja, lëvizjet, nuk kanë lidhje me aftësitë profesionale, zbatimin me korrektësi të ligjshmërisë, karrierën, specializimet, apo gjithçka tjetër që lidhet me punën, por një vend pune mund të blihet, siç blen një mall, ose…e thënë më “ëmbël”, ta shkelësh drejtuesin aty ku nuk mban… dhe për të mbijetuar duhet të shesësh lirinë…, “do nothing, say nothing and be nothing”…
Nuk di, nëse ndonjëherë në këtë vend do të ndodh, që njerëzit do pyesin, si të ecën puna dhe jo ajo që bëhet rëndom, hë more a je në punë… dhe më pas, shoqërimi ngushëllues, por dhe me një farë përçmimi, që vjen gjithmonë pas përgjigjes negative të pyetjes, hajt shëndeti në radhë të parë… Vitet ikin shumë shpejt dhe vjen një ditë kur e sheh veten në zonën e “rrezikshme” të moshës, pa gjetur qetësi. E kur bënë bilance e sheh që kanë qenë vite edhe të bukura edhe të lodhshme, por, çuditërisht, shpesh ke qenë i gëzuar që ikën…, me shpresën, ndoshta…, tek e nesërmja, ndoshta…, në askund. Është e dhimbshme, kur gjëja më e shtrenjtë për njeriun, jeta, pa të drejtë përsëritje, kërkon apo ndjehesh mirë që iku, e thënë shpesh, me togfjalëshin më të përdorur nga shqiptarët, “po e shtyjmë”. Po çfarë mund të bëjmë edhe pse i dimë ata që na “vjedhin” vitet?…
Edhe natën e fundit të vitit, urimet, që ngjajnë më shumë si qoka ngushëllimesh, janë po për punën, -shyqyr që iku ky vit i keq, e “inshalla” i riu të jetë një vit i mbarë… Në fakt nuk është faji i vitit, pse ca gjëra që as ai, as ne, i kemi në dorë ti quajmë të këqij. Klasifikimi viteve në të mirë e të këqij, ka filluar të bëhet “traditë” tek shqiptarët, që vazhdojnë ta varin jetën tek një vend pune, i vetmi pretendim i familjeve shqiptare… Kur jeta përcaktohet nga një akt i vetëm, qoftë dhe një vend pune, ajo nuk quhet më jetë… Pavarësisht kësaj, për shumë kjo është një natë bashkëjetese, madje e vetmja natë bashkëjetese reale, ku të gjithë urojnë e ngrenë dolli për shëndetin e miqësinë, për jetën e dashurinë, për fat e… Disa në këto urime janë hipokrit, sepse kanë një vit të tërë që të heqin mundësinë e të jetuarit, të pushojnë, por edhe të “konfiskojnë” pa përfillur ligjin, dëmshpërblimin e bukës së munguar, ndërsa shumë të tjerë janë më se të sinqertë, sepse, megjithë pamundësinë ekonomike, mundohen të ngrihen në nivelin e njeriut… Sot, nuk je njeri po nuk pate… Ka nga ata që përgjigjet e urimit nga klasa e “lartë”, i ruajnë siç ruanin në monizëm prindërit tanë shishet e coca -colës në bufe… Megjithatë, të gjithë mundohemi ti pranojmë, mundohemi që së paku këtë natë edhe pse është e vetme, të jemi njerëz, duke u munduar të harrojmë vetëm këtë natë…, sepse është e pamundur të harrojmë në të tjerat… Shpesh më duket, besoj jo vetëm mua, sikur jemi njerëz vetëm këtë natë, sikur jetojmë vetëm këtë natë, sikur jetojmë vetëm për këtë natë. Është magjia që sjell e jep kjo natë, apo vërtetë vetëm këtë natë jetojmë. Unë besoj te kjo e fundit, sepse të gjithë përgatiten tërë vitin për këtë natë të ndërrimit të viteve, madje sakrifikojnë për të mos e humbur këtë “privilegj”. Në këtë natë, çdo prind përpiqet të ngrihet në nivelin e duhur para fëmijëve, duke ua plotësuar qoftë për këtë natë, dëshirat, pavarësisht se si, e… nuk është përgjegjësi e vogël. A e dinë këtë fakt pushtetarët. Ndoshta nuk duan, sepse do të mendonin para se të pushonin dikë nga puna, pa e vrarë mendjen, pa menduar dëmin që po shkaktojnë, e shoqëruar me përbuzje, por shpesh edhe me vetëflijim. Do të harxhonin më shumë para për njerëzit, nevojat e tyre, se për burgje, reklama apo spektakle të çuditshëm , si festa e njëvjetorit të aksionit të energjisë…, festa e tubave të TAP-it…, përvjetori i “suksesshëm” i zyrave të punësimit…, “gëzimi” i deputetëve që, “dhurojnë” si bamirës, leje legalizimi “”falas”… Kurse më i “ndershmi” udhëzon qytetarët, t’u kërkojnë atyre që u trokasin në shtëpi, kartat… Ndjesë, harrova spektaklin me orë të tëra në kuvend, për “shpartallimin” e Blushit…, herë i dashuri mik, herë i dashuri armik… Këto, para një populli, ku pyetja e parë, edhe para shëndetit, bëhet, a je në punë… Kam lexuar diku, se për çdo të ndaluar shteti harxhon 30-50 euro në ditë, pra për çdo grup prej 100 të ndaluar, harxhohen 3000-5000 euro në ditë. Nëse vërtet është kështu, a nuk do ishte më mirë, që së paku për një ditë, çdo grup prej 100 të ndaluar të sigurojë vetë shpenzimet, përmes punëve të ndryshme, qoftë dhe publike, e 3000-5000 euro shteti t’i shpenzonte jo në ditë, as në javë, por në vit, vetëm në natën e vitit të ri, për 100 familje në nevojë, apo të pamundura, por që respektojnë ligjin… E kujt ia ndjen… Për politikanët jeta vazhdon normalisht… pa menduar këtë natë. Pa menduar para se të hanin gjelin e vitit të ri, që ta zgjasnin magjinë e kësaj nate, duke e bërë këtë natë, të zgjas, së paku një javë,…që është mes ëndrrës, e një filmi me metrazh të shkurtër… Të nesërmen e kësaj nate të festuar nga të gjithë, kur takon njerëz të tillë, vëren se shumë janë të lodhur, e duhet të mendojnë për të jetuar ditën me kafshatën e bukës, por të shlyejnë edhe borxhet e kësaj nate të “lumtur”. Dhe atëherë vetëm një gjë të vjen në mendje, a ia vlejti gjithë kjo sakrificë për të jetuar vetëm këtë natë,… si njeri… Në këtë natë të ndërrimit të viteve, ndoshta mundohemi të vëmë një kufi me veten dhe me të këqijat, për t’i lënë ato pas, duke ëndërruar për një vit më të mirë, duke harruar që nuk ishte faji i vitit, por i dikujt tjetër, ndoshta edhe i joni, që besojmë shumë lehtë, apo jemi “mësuar” të na “mësojnë” se ç’duhet të bëjmë dhe nënshtrimi ka qenë aq i madh sa nuk arrijmë të kuptojmë fuqinë që kemi në dorë, përmes votës… E ç’mund të bëjë vota, thoshte një mik. Ajo nuk është më në dorën e qytetarit… Ajo rrëmbehet në një formë “hipnotizimi”, që nuk di ta shpjegoj pse ngjet kështu. Unë shkoj të votoj dhe për çudi, para fletës së votimit “humbëm”. Ajo shkon atje, te numri ku dëshirojnë të tjerët, shkon ke ata që u nevojitet, jo atje ku dua unë… Gjëja më e dhimbshme, por edhe më e rrezikshme për një komb është, mosrespekti ndaj votës… Ndoshta për këtë politikanëve nuk ua ndjen për qytetarët votues. A ka faj populli. Nuk di ta them, apo më mirë nuk mund ta them, por di, që faji endet i “shkretë”, si gjithmonë pa pronarë. Ai vazhdon të jetë informal, siç është informale gjithçka në këtë vend… Pas natës së vitit të ri, politikanët kthehen në rolin e përditshëm, e ne, përsëri bëjmë sikur jetojmë prej tyre…
Edhe sa do vazhdojmë të ekzistojmë pajetuar, në këtë vend, ku të gjithë flasin në emër të popullit, tashmë, një koncept abstraktë. Edhe sa do vazhdojmë të ekzistojmë me frikën nga ai që blenë vendin e punës, nga ai që blenë diplomën, nga militanti, nga miku, nga… Oh, sa shumë janë… Çfarë duhet t’u them fëmijëve të mi studentë ekselentë, për këtë? E vetmja mënyrë për të përballuar një botë jo të lirë, është që të bëhesh kaq absolutisht i lirë, saqë vetë ekzistenca jote të jetë një akt rebelimi… Kur kjo nuk arrihet, “më mirë të jesh askushi dikund, se dikushi në askund”. Këtë kanë bërë 200 mijë nga ne… Ndoshta do ta bëjnë edhe të tjerë… Ndoshta edhe unë…