Përse opozita po anashkalon debatin mbi terrorizmin
Nga Mero Baze
Kryeminstri Edi Rama është përpjekur sot, të ul nivelin e alarmit që po ndillet rreth rrezikshmërisë ndaj të cilës është e ekspozuar Shqipëria, ndaj sulmeve terroriste. Gjatë një takimi me gazetar, në krah të Presidentit të Këshillit të Evropës, Rama tha se Shqipëria nuk është më e rrezikuar se vendet e tjera. Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur ka një shtim të vemendjes rreth shanseve për atentate, apo akte të tjerra terroriste nga shteti islamik përfshi dhe Shqipërinë. Fakti që institucionet e shtetit janë vënë në lëvizje dhe herë pas herë shërbimi sekret, “rrjedh” ndonjë lajm dhe pista të mundëshme atentatesh, krijojnë një sfond paniku, por dhe debati, mbi peshën e kësaj situate mbi politikën e ardhëshme shqiptare.
Por ndërsa ka debate të forta rreth kësaj çështje dhe një përpjekje të shtypit për të rritur vemendjen ndaj tij, përmes ekspozimit të këtij rreziku, ka dhe një deklaratë të kryeministrit, që tenton ta ul këtë nivel paniku.
Por qysh nga fillimi i kësaj krize, nuk kemi asnjë deklaratë të opozitës shqiptare për këtë situatë. Me këtë nuk dua të them, se opozita nuk ka dënuar sulmet në Paris, apo se ka tendenca të mbaj qëndrim neutral ndaj terrorit, pasi në këtë pikë jemi të qartë, që ajo është në qëndrimin e duhur.
Por ndërsa Shqipëria ka prodhuar një debat rreth rrezikut të atentateve, ose më mirë të themi, që ka një debat të fryrë rreth kësaj çështje, opozita nuk është shprehur për asnjë detaj.
Është e pazakont, por opozita shqiptare nuk ka asnjë qëndrim zyrtar në këtë pikë.
Në Francë edhe pse gjithë politika është e bashkuar, ka qëndrime të opozitës që shkojnë në ekstrem. Në vendet e tjera, si Gjermani, Belgjikë apo Itali, opozita po ashtu ka propozimet e saj, herë ekstremiste, herë më të mdoeruara se qeveria.
Në Shqipëri, opozita nuk ka asnjë qëndrim. Sali Berisha i cili përfaqëson realisht opozitën, ka bërë statuse dhe për ngjyrat e ndërtesës së doganës Beratit, por asnjë fjalë për këtë situatë dhe për qëndrimet e qeverisë shqiptare ndaj terrorizmit. Po ashtu nuk ka asnjë qëndrim ndaj zërave ekstremistë të disa hoxhallarëve shqiptarë të qart pro ISIS, apo tendencës për të shkatërruar Komunitetin Myslyman, edhe pse i biri është “praktikant” dhe “vëlla” i disa prek këtyre ekstremistëve .
Por mbi të gjitha nuk ka reagime ndaj qëndrimeve të qeverisë në këtë pikë.
Klima e panikut që po ngjallet duke kthyer në çështje dite atenatet e mundëshme të shtetit islamik, ka rikthyer në Evropë debatin mbi kufizimin e lirive njerëzore duke i dhënë prioritet rritjes së sigurisë. Dhe në këtë pikë opozitat janë shumë të ndjeshme. Opozita jonë që shpik rreziqe për lirinë kur nuk ka, në këtë rats që mund të ketë vërtet hesht. Fjala vjen flitet se Edi Rama ka kërkuar angazhim për krizën e refugjatëve në emër të shtetit shqiptar, duke kërkuar përshpejtimin e hapjes së negociatave. Nga ana tjetër rritja e masave të sigurisë në vend, krijon të tjera prioritete shtetërore për qeverinë, të cilat lënë në hije, kauzat e vockla me të cilat merret opozita. Në këto kushte, opozita duhet të faktorizohet, duke ju bashkuar debateve të mëdha dhe duke pasur qëndrimin e saj.
Është e vërtet se Berisha është i kompleksuar të mbaj një qëndrim të qart kundër ekstremistëve myslyman, që u kultivuan në Shqipëri në vitet 90-të gjatë pushtetit të tij, por ai dhe opozita nuk mund ta kalojnë në heshtje dhe pa qëndrim, qoftë dhe mënyrën politike se si qeveria aktuale, po e përdor këtë situatë në favor të saj.
Nëse zëri i vetmë kundër terrorizmit nga Shqipëria mbetet qeveria, ajo është komode në raportet e saj me Bashkimin Evropian dhe në negocitat që mund të bëhen në kurriz të standarteve për shkak të sigurisë së nevojshme. Ndaj opozita duhet të jetë prezente dhe e përfshirë në këtë proces. Edhe siguria por dhe integrmi janë çështje konsesuale dhe me interes kombëtar, dhe nuk ka pse opozita t’ia fal qeverisë si çështje të saj. Nëse ka komplekse nga disa flirtime të saj me element ekstremist, apo lidhje të Familjes Berisha me sekte radikale të Islamit këtu, kjo nuk ka pse mban peng opozitën. Opozita shqiptare është properndimore dhe padiskutim një faktor i rëndësishëm në integrimin e Shqipërisë në Evropë. Si e tillë ajo nuk duhet të abstenoj në këtë debat, pasi kur e lë në dorë të Nishanit bëhet qeshrake, kurse kur e lë në dorë të manirave të Berishës, për ta injoruar këtë debat, ngaqë nuk është vet i përfshirë, atëhere bëhet padrejtësisht e dyshimtë.
Tema