Përshkallëzohet situata para Parlamentit, policia ndërhyn dhe shoqëron disa protestues
Tensione janë regjistruar mëngjesin e sotëm para Kuvendit të Shqipërisë, teksa pritet të nisë seanca plenare. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën përreth institucionit, ndërsa raportohet për shoqërimin e disa protestuesve, mes tyre edhe aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, disa protestues kanë qëlluar me vezë drejt deputetëve socialistë, të cilët ndodheshin në një lokal pranë parlamentit. Incidenti ka ndodhur në momentin kur ligjvënësit po përgatiteshin të hynin në godinën e Kuvendit.
Zona përreth parlamentit është “blinduar” nga policia, me barriera metalike dhe prani të shtuar efektivësh, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe protestuesve. Një pjesë e tyre janë grumbulluar në hyrje të pedonales, e cila gjithashtu është e rrethuar me gardhe sigurie.
Protestuesit kanë tentuar t’i afrohen godinës së Kuvendit, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë për të mbajtur situatën nën kontroll. Deri tani, policia ka shoqëruar të paktën pesë persona, të cilët dyshohet se kanë kaluar perimetrin e sigurisë.
Gjithashtu raportohet për persona të lënduar, por rrethanat mbeten ende të paqarta dhe nuk ka konfirmim zyrtar mbi natyrën apo shkallën e dëmtimeve.
Në vendngjarje janë dëgjuar edhe thirrje politike nga protestuesit, përfshirë slogane kundër qeverisë dhe opozitës, ndërsa deputetët janë futur në Kuvend nën masa të shtuara sigurie.
Policia vijon të jetë e pranishme në të gjithë perimetrin e sigurisë, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe nën monitorim.
KOHA JONË SONDAZH

