Personalitetet e Çamërisë që harrohen nga vitet
Promovimi i dy librave të një autori me kombësi shqiptare dhe shtetësi greke si Niko Stylos me origjinë nga Preveza, ka qenë fokusi i një takimi të spikatur, ku ishin pjesëmarrës studiues të shumtë dhe një auditor i spikatur, nga të gjithë trevat e trojeve shqiptare, nën kujdesin e Grupit Nacional nën drejtimin e Mujë Buçpapës. Ndër oratorët që i krijuan auditorit një tërheqje vëmendjeje në lidhje me mungesën e konsiderimit të personaliteteve të Çamërisë nga ana e Akademisë së Shkencave, ishte Laurant Bica, studiues enciklopedik, i cili me një oratori të thjeshtë, por të besueshme dhe dashamirëse, tërhoqi vëmendjen për atë çka mund të konsiderohet sot në Shqipëri si një veprim me pasoja të dëmshme për brezat siç është harresa e qëllimshme e vlerave që na vijnë nga shekujt me personalitete nga të gjitha trojet tona kombëtare.
I dëgjova me vëmendje të gjithë ata që vlerësuan autorin Niko Stylos për punën shkencore dhe shtrirjen e studimeve të tij që nga shekulli i 5-të p.e.s., si dhe për Abedin Pashë Dinon. Libri i Stylos është i dyti pas botimit të Ahmet Mehmetit në lidhje me figurën e këtij rilindasi të madh siç njihet Ministri i Jashtëm i Perandorisë Osmane në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Së bashku me hoxhë Hasan Tahsini nga Ninati dhe Abedin Pashë Dino nga Preveza, janë potencialisht dy ndër figurat më madhore në historinë e rilindjes kombëtare që i hapën udhën së ardhmes.
Shumë mirë deri këtu. Folën oratorët, dëgjuan pjesëmarrësit. Dhe kaq. Pjesëmarrësit morën me vete përjetimet e një promovimi dhe studiuesit morën duartrokitjet e pjesëmarrësve. Ajo që mund të konsiderohet si një e keqe me pasoja të pariparueshme është mospjesëmarrja e akademikëve dhe e personaliteteve që mendojnë për ardhmërinë e këtij kombi, të cilët u ka mbetur në derë posti që përfaqësojnë dhe u kanë ikur nga duart vlerat që gjeneron një komb. Nëse do të doja të kujtoja këtu një latin të lashtësisë që ka thënë “O kombe ruani e kujtoni të mëdhenjtë, se, përmes tyre, do tju njohë e ardhmja”, këtë nuk e bëj si kritizer, por si një njeri që përjetova madhështinë e punës të studiuesve çamë ose jo çamë për personalitetet që i kanë bërë nder kombit dhe që kanë mbetur të panjohur nga brezat. Në librat shkollorë deri në universitet, por edhe më tej, personalitetet e trojeve shqiptare që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ndikimi jo vetëm në njohjen e kombit tonë, por edhe në vlerat shekullore që kanë mbijetuar deri në ditët e sotme janë anonimë, të panjohur, inekzistentë, a thua se historia fillon 70 vjet më parë pas Luftës II Botërore. Ata që merren me bletët e dinë mirë artin e punës së kësaj krijese në përsosmërinë e gjithçkaje që punon dhe punon për të prodhuar mjaltë dhe ai mjaltë u shërben njerëzve si një vlerë aq e kërkuar. Prodhimi i saj është një produkt që nuk rri i fshehur sepse njerëzit, duke ja ditur vlerën, ja marrin prodhimin dhe kujdesen për të. Kështu trashëgohet kjo mjeshtëri në breza. Çuditërisht këtë vlerë të kësaj krijese të Zotit në Shqipëri, kur vjen fjala për njerëzit dhe personalitetet në shekuj që kanë bërë punën krijuese si bletë të mira, ato ose harrohen, ose keqpërdoren, ose qëllimisht shpërdorohen mbi bazën e ndikimeve të qarqeve të caktuara edhe antishqiptare që në forma dhe mënyra të ndryshme veprojnë për të mohuar këto personalitete dhe punën prej blete që ata kanë bërë në shërbim të kombit. Është e kuptueshme që kjo ndjenjë antishqiptarie i ka përballur edhe këto personalitete në kohën e tyre ndaj dhe me vullnetin e tyre ata ja kanë dalë të bëjnë atë që sot na vjen si një margaritar i fshehur, por i paprishur.
Në një kuptim, për paralelizëm do të kujtoj një bisedë që kam bërë me xhaxhain tim Demir Zane, i cili më kujtoi një fakt të vërtetë. Shumë djem nga Çamëria në kohën e Mbretërisë dhe gjatë Luftës II Botërore, për rrethana dhe shkaqe që tashmë dihen, për shkak të mungesës së shkollimit në Çamëri, detyroheshin që të vinin në Shqipëri. Ata nuk vinin vetë, por shoqëroheshin nga personalitete të kohës që kishin njohje dhe lidhje me autoritetet shqiptare për të sjellë djemtë çamë, për të studiuar në shkollat në gjuhën shqipe.
Ata djem e vajza që studiuan në këto shkolla u bënë personalitete të njohura që tashmë dihet se cilët janë, duke dhënë kontribute jo vetëm në luftën antifashiste, por edhe pas Çlirimit. Megjithë inkonsekuencat dhe qëndrimet armiqësore që u mbajtën nga pushteti i kohës së diktaturës, duhet thënë se djemtë e Çamërisë u orientuan drejtë si në rastin nga Xho Musai (Musa Demi, “Nderi i Kombit”), po ashtu edhe nga burra të tjerë të Çamërisë, të cilët tregonin kujdes të spikatur për mbarëvajtjen e këtyre djemve në shkollat shqiptare. Përballë kësaj situate, edhe për shkaqe të rrethanave të politikës së asaj kohe, treva e Çamërisë u trajtua jo me kujdesin e duhur dhe personalitetet e kësaj krahine u mohuan, u cilësuan të padëshirueshëm dhe u harruan duke i futur në kalendat greke, për shkak edhe të grekofilëve që vegjetonin në qeverisjen e kohës.
Në vitet e demokracisë, për fatin e keq të organizimit të Akademisë së Shkencave dhe institucioneve të tjera të historisë dhe veçanërisht të institucioneve qeverisëse, personalitetet e shquara të Çamërisë, nuk patën atë kujdes prej blete, që si prind të mirë, të tregonin vëmendjen e duhur që kjo krahinë e pasur në vlera që nga thellësitë e shekujve, të merrte një orientim njohës dhe studiues në bankat e shkollës me qëllim që brezat ti kujtojnë. Ne duhet të dimë shumë mirë nga vijmë, ku jemi dhe ku shkojmë. Por kurrsesi ky mision nuk mund të ketë sukses nëse puna e këtyre apostujve të kombit nuk vendoset në kohë dhe në hapësirë për tu nxënë nga fëmijët e shkollave që historinë e kombit tonë të mos e hoshim partizançe, kaçakshe si pjesë e cunguar e së tërës.
Mesazhi i kohës së Xho Musait dhe ai i sotmi me Niko Stylon, na sjell në vëmendje Nobelistin indian Rabindranad Tagora që ka pohuar se; “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara, duke ndërtuar tё tashmen, nuk ka se si tё ketё tё ardhshme, është i destinuar tё zhduket”. Nuk e dëshirojmë këtë gjë, pro as dhe nuk mund të bëhet historia si dëshirë e njërit dhe e tjetrit, por si program studimi në ciklet shkollore si pjesë e së tërës që duhet të jetë pjesë e kombit me tërësinë e personaliteteve që sot na vijnë si baza mbi të cilën ne shqiptarët e ngritëm kombin tonë. Shkurt, historia dhe personalitetet e Çamërisë nuk është një ufo që tregohet si e tillë, por është histori dhe janë personalitete që bashkëpunuan në kohë për të na sjellë në këto kohët moderne mjaltin e një kohe, kur bletët i vrisnin që të mos bënin punën e tyre si krijesa që i ka paracaktuar historia botërore.
Ndoshta do ia vlente ta kujtonim një personalitet me orgjinë çame kur thërriste me zë të lartë “Po, vendin tim e dua, lirinë e dua dhe s'dua zot mbi mua. Se jam këtu kur s'kish njeri, kur s'kish kufi as fqinjëri, as shkja të zi. Se jam këtu kur Mal i Zi ish Iliri dhe Çamëria ishte Shqipëri”. Për këtë dhe për shumë e shumë çfarë thuhet në mediume e promocione të tilla, vlen që të jenë pjesë e studimeve jo vetëm akademike, por edhe shkollore ditë pas dite e kohë pas kohe. Do të tërhiqja vëmendjen që në mediat vizive, por edhe në mediume të ndryshme kur flitet për trojet kombëtare, citohen Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva dhe çuditërisht harrohet Çamëria. Nuk e di arsyen, por kjo përbën një vetcungim të trojeve tona kombëtare si një marrëveshje e heshtur për t’ja bërë qejfin Greqisë dhe politikanëve të saj që hera herës, kur ju vjen rasti, mohojnë gjithçka nga Çamëria.